Dy nga veprat e kompozuara nga Thoma Simaku janë luajtur në kishën "St Bartholomew the Great" më e vjetra e Londrës. Ka qenë kuarteti i njohur britanik "Kreutzer Quartet", i cili për dy orë gjatë fundjavës, mjeshtërisht ka luajtur veprat e kompozitorit shqiptar.
Këtë koncert, i cili u ndoq nga dashamirësit shqiptarë dhe britanikë të Simakut ata e hapën me pjesën e quajtur "Voci Celesti String Quatet", kompozuar në vitin 2005.
Më pas, instrumentistët e këtij kuarteti kanë vijuar me një kompozim të vitit 2003 i titulluar "Radius String Quartet". Quateti "Kreutzer" ka krijuar një reputacion të gjerë në Evropë për mënyrën dinamike të interpretuarit. Ata janë fitues të disa çmimeve. Po ky kuartet, në bashkëpunim më kompaninë "Naxos" janë duke incizuar në CD me kompozimet më të mira të Thoma Simakut. Është hera e parë që veprat e një kompozitori shqiptar luhen në këtë kishë e ndërtuar në vitin 1123. Gjatë të gjithë periudhës së emigrimit nga Shqipëria në Angli, karriera e Simakut ka shënuar vetëm sukses duke fituar çdo vit çmime prestigjioze në konkurse ndërkombëtare në të gjithë botën. "Ishte një natë e veçantë për mua, pasi ishte hera e parë që këto vepra luheshin në një kishë me kaq emër sa kjo e "St Bartholomew the Great" tha për "Shqip" Thoma Simaku, pas përfundimit të koncertit. "Këto vepra janë luajtur edhe në vende të tjera. Por kjo ishte një premierë britanike nga e cila u kënaqa shumë, pasi si kompozitor bashkëkohor pata rastin të dëgjoj veprat e mia të interpretuara kaq bukur nga ky kuartet me shumë reputacion.
Është kënaqësi të punosh me këta instrumentistë që janë pedagogë në "Akademinë Mbretërore të Londrës". Për sa i përket ambientit ku u luajtën veprat e tij, Simaku tha se "Nuk do ta kisha imagjinuar një ambient më të mirë në Londër. Me këto dy vepra po mundohem të bëj një ndërthurje të aspekteve moderne me ato antike të shprehjes muzikore. Ishte një koincidencë e bukur që premiera londineze u dha në një kishë e cila është 900-vjeçare". Pikërisht në këtë kishë është xhiruar një skenë e filmit "Katër martesa dhe një funeral", si dhe filmi "Madame Bavari" prodhim i BBC-së. Edhe ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar është larguar me përshtypjet më të mira nga kjo natë artistike në zemër të Londrës me protagonist kompozitorin Simaku. Ai tha: "Është me të vërtetë një arritje. Performanca e kuartetit bëri që vepra të dilte më tepër në pah. Pjesëmarrja dhe interesi i atyre që morën pjesë tregoi vlerat e koncertit. Jam i kënaqur që profesor Simaku deputoi në Londër me dy vepra të rëndësishme që vlerësohen nga muzikantët britanikë".
Më tej, Robo e ka cilësuar këtë koncert si një tjetër arritje të shqiptarëve në Britaninë e Madhe, të cilët dita-ditës po promovojnë anën tjetër të medaljes pikërisht imazhin pozitiv të shqiptarëve. "Ky koncert i profesor Simakut është treguesi më i qartë se komuniteti shqiptar ka se çfarë t‘i ofrojë shoqërisë britanike. Ky nuk është një rast i shkëputur".
Kompozitori shqiptar nga Kosova me banim në Londër, Akil Koçi, u shpreh se ai ka një kohë të gjatë që ndjek krijimtarinë e kolegut Thoma Simaku. "Mund të them se ai është i vetmi kompozitor shqiptar që ekzekutohet për momentin në Evropë dhe më gjerë. Kjo do të thotë se ai kompozon vepra me kualitet. Në këto vepra hasim forma të reja të muzikës avangarde evropiane. Megjithatë, ai përdor perlat e muzikës shqiptare si bazë të këtyre krijimeve". Një vit më parë, Thoma Simaku ka fituar çmim nderi në konkursin ndërkombëtar "Personalitete Muzikore 2006", i organizuar nga shoqata "Alexander Tansman për Promovimin e Kulturës", nën patronazhin e Ministrisë së Kulturës të Polonisë. Vepra e tij e re ‘arc-en-ciel‘ koncert për violonçel dhe orkestër ishte një nga pjesët e zgjedhura nga juria ndërkombëtare prej 401 kompozitorëve nga 51 vende që morën pjesë në konkurs.
Marre nga : Gazeta Shqip











