Butrintgjurmet e nje zbulimi sensacional

Butrint,gjurmet e nje zbulimi sensacional

E megjithatë, edhe kjo periudhë disi e errët e tij, ka nisur të japë për studiuesit të dhëna dhe detaje gati unikale. I tillë është koleksioni i plotë i qeramikës dhe qelqit i një prej qeveritarëve të qytetit rreth shekullit të 8-të pas Krishtit, që vërteton se Butrinti vazhdonte të ruante traditën e prodhimit të qeramikës si dhe vazhdonte tregtinë me Romën, e në këtë kohë edhe me Turqinë.

Koleksioni që përballoi zjarrin
Arkeologët anglezë dhe shqiptarë pritet të përfundojnë këtë verë gërmimet në këtë kullë impozante të Butrintit, që cilësohet si pjesa më e dukshme e një sistemi mbrojtës të vendosur në pjesën perëndimore të murit të qytetit. Kjo Kullë është një prej monumenteve të para që të shfaqet para syve teksa ke hyrë në qytetin antik. Gërmimet e para në të nisën në vitin 2004 nga Instituti i Monumenteve, ndërsa aktualisht një grup studiuesish të drejtuar nga arkeologu irlandez Mattew Logue dhe arkeologja shqiptare Solinda Kamani po përfundojnë gërmimet në këtë kullë që mendohet të jetë ndërtuar në periudhën e antikitetit të vonë, përklatësisht rreth vitit 475 pas Krishtit.

“Ndërsa hijeshia e qytetit antik, në periudhën e antikitetit të vonë duket se kishte marrë fund, jeta në të vazhdonte”, thotë për MAPO, Logue. Rreth shekullit të shtatë një popullsi e vogël e Butrintit ishte vendosur pikërisht rreth kësaj kulle. Në shekujt e 8 dhe të 9-të pas Krishtit, ajo u pushtua nga qeveritarët e qytetit, derisa në një moment, u shkatërrua nga një zjarr. Të ndërgjegjshëm se zjarri nuk do të kishte lënë asgjë të vlefshme në rrënojat e kullës, arkeologët e vazhduan punën pa ndonjë entuziasëm të dukshëm.

Por ajo që nuk e kishin menduar ndodhi kur, në një shtresë të poshtme të dyshemesë së dikurshme të kullës, zbuluan një koleksion të plotë me objekte prej qeramike, të cilat, sipas specialistëve të Fondacionit Butrinti dhe Packard, që po i studiojnë, janë unikale dhe të pa hasura në vende të tjera. Veç qeramikës, arkeologët zbuluan dhe objekte të tjera gjithashtu unikale, prej qelqi dhe metali.

“Qeramika e zbuluar na konfirmoi se Butrinti ka jetuar në një traditë të pasur të prodhimit të qeramikës, ndërsa objektet prej qelqi vërtetojnë se ky qytet, ndonëse nuk jetonte më në ditët e tij më të mira, vazhdonte të bënte tregti me qytetet italiane dhe ato turke”, thotë Logue, i cili përmes këtij gërmimi në Butrint, pret të marrë doktoraturën në Irlandë.
Zjarri e detyroi popullsinë elitare të Butrintit, të zhvendosej përfundimisht në atë periudhë në fushën e Vrinës, që ndodhet në anën tjetër të Kanalit të Vivarit, pikërisht përballë qytetit antik. Ishte pikërisht kjo zhvendosje që bëri që të riorganizohej qyteti, tashmë mesjetar i Butrintit, e madje të lulëzonte si një forcë e dukshme rreth shekujve të 13-të dhe 14-të derisa të binte sërish në regres, në shekullin e 16-të, ashtu si dhe shumë qendra të tjera në këtë territor që atëherë u pushtua nga perandoria osmane.

Kristi Pinderi : Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama