Qeramika e thjeshtë utilitare deri tek instalacioni dhe abstraktja. Prej disa ditësh në galerinë Kombëtare të Arteve është hapur ekspozita Ndërkombëtare "Dialog", me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë e të huaj. Kuratori Sadik Spahija shprehet se nuk ka qenë e lehtë të hapësh një ekspozitë të tillë. Prej dy vjetësh kërkesa e tij ka qendruar mbi tryezën e drejtuesve të GKA-së, për t'i ardhur përgjigia vetëm pak kohë më parë.
Ekspozita Ndërkombëtare e Qeramikës Bashkëkohore "Dialog" prezanton 40 artistë, mes të cilëve Therese Lebrun, Aleko Valsamakis, MariaVlandi, Theodora Chorafas, Linda Karlsson, Magdalena Nilsson, Emma Kronëall, Nana Bayer, etj. Gjithashtu të pranishëm janë emra të njohur të arteve pamore shqiptare dhe artistë të rinj, të cilët i bashkon pasioni për këtë gjini nga më të vjetrat e artit pamor dhe synimi për ta prezantuar me këndvështrim e tendencë bashkëkohore. Janë rreth 30 artistë shqiptarë prezent në ekspozitën ndërkombëtare "Dialog" mes të cilëve Thoma Thomai, Muharrem Turkeshi, Artan Peqini, Genc Mulliqi,Sadik Spahija, Stefan Taçi, Mira Kuçuku. Organizatorët nuk kanë imponuar kritere në përzgjedhjen e punëve, përveç atyre artistike dhe thelbësore, që specifikojnë qeramikën, që konsistojnë në punimet e bazuara në elementin e baltës dhe me procesin e pjekjes në zjarr. Për këtë arsye në ekspozitë artistët paraqiten me tematikë të lirë dhe me të gjitha teknikat kompozime, instilacione etj.
Organizatorët synojnë që me prezantimin e lirë dhe pa barriera të artistëve të qeramikës bashkëkohore, të sjellin një komunikim dhe shkëmbim eksperiencash e mendimesh midis artistëve me njëri- tjetrin dhe midis artistëve me publikun. Për këtë arsye ata edhe e pagëzuan ekspozitën ndërkombëtare me një titull të thjeshtë dhe lakonik "Dialog". E ftuar në këtë edicion ishte dhe AnneLeclercq, Kryetare e Shoqatës Belge "Arts& Crafts", e cila e vlerësoi qeramikën shqiptare si të veçantë. Me një stil që ajo nuk e ka ndeshur në vende të tjera. Sipas saj, ashtu si edhe qeramistët shqiptarë, edhe ata të huaj kalojnë gati të njëjtat probleme, sa i përket mbështetjes financiare dhe të jetuarit vetëm me këtë profesion.
A . Mile - Gazeta Shekulli











