Boleroja e fundit e Arian Sukniqit

Boleroja e fundit e Arian Sukniqit
Në vend të tij u vendos regjisori Kiço Londo. Para largimit, koreografi shfaq sot premierën e "Bolero"-s

Prej disa ditësh Arian Sukniqi nuk është më drejtor i Qendrës Kulturore "Tirana". Institucion që sapo ka nisur ta marrë disi veten është në duart e regjisorit Kiço Londo, ish-drejtor i Teatrit Kombëtar. Për koreografin Arian Sukniqi, gjithçka ka qenë tërësisht e papritur. Ishte në mes të përgatitjeve për veprën "Bolero", kur i është komunikuar shkarkimi. Ky ndryshim vuri në pikëpyetje edhe veprën që kishte në duar. Ishte parashikuar të shfaqej në 20 qershor, por do të shfaqet vetëm sot dhe falas për publikun. "Ishte vetëm këmbëngulja e balerinëve që më shtyu ta shfaq këtë pjesë", - thotë Sukniqi, i cili e kishte shumë për zemër këtë vepër të ngritur në dy pjesë. E para është një balet, me koreografi të mbështetur mbi muzikën e Ravelit. Një krijim që qëndron mes reales dhe sureales, mes trupit të përkohshëm dhe shpirtit të pavdekshëm.
 
Kjo reflektohet në lëvizjet e balerinëve të "Tirana show dance", por edhe në skenografinë abstrakte dhe kostumografinë, që të jep idenë e ca trupave të zhveshur. Ndërsa pjesa e dytë është më e prekshme për publikun. Është një muzikal i titulluar "Hitet '70-'80-'90". Këngëtarët Juliana Pasha dhe Gentian Demaliaj do të interpretojnë disa nga këngët më të bukura të këtyre tre dekadave, të kënduara nga Joe Cocker, Celine Dion, Mireille Mathieu, etj. Këngët gërshetohen me njëra-tjetrën duke servirur si subjekt një intrigë dashurie. Tashmë që nuk është më në krye të Qendrës "Tirana", Sukniqi e paraqet "Boleron" si një projekt privat. Ai thotë se gjithçka e ka paguar nga xhepi. Drejtori i ri nuk lejoi të shfaqej më shumë kjo vepër në Arenën e Tiranës dhe si në një formë proteste të heshtur, por edhe si lamtumirë me publikun që e mbështeti gjatë qëndrimit në krye të institucionit, hyrja sot në orën 20.00 është e lirë. Sukniqi mendon ta shfaqë në skena të ndryshme të Shqipërisë, sidomos nëpër vende turistike.

Ndërkohë, drejtori Kiço Londo, i cili për tre vjet drejtoi Teatrin Kombëtar, edhe pse ka disa ditë në krye të institucionit, ende nuk ka bërë një prezantim me mediat dhe nëpërmjet tyre ta njohë publikun me projektet. Është duke studiuar situatën, duke mbledhur ide dhe projekte. Londo thotë se nuk do të jetë i nxituar. Mësohet se këto ditë, ai do paraqesë edhe "platformën" e tij për Qendrën Kulturore "Tirana". Duke parë ecurinë e këtij institucioni gjatë drejtimit të Sukniqit, i cili si koreograf i dha përparësi spektakleve me elementë koreografikë ("Arrëthyesi", "Katedralja e Parisit"), pa lënë mënjanë edhe cirkun me disa premiera, ndoshta drejtori i ri do t'i japë më shumë prioritet artit dramatik, nga ai vjen. Megjithatë kjo pritet të zbulohet së shpejti.

www.shekulli.com.al (Alma Mile)
28-06-2007

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama