Dolores O Riordan live ne Tirane

Dolores O Riordan,  live në Tiranë

Koncerti në kryeqytet është konfirmuar për datën 19 qershor, vetëm pak ditë pas koncertit të artistit italian Zucchero(me të cilin ka pasur një bashkëpunim në këngën "Puro amore") në datën 13 qershor. Pra nesër edhe kjo artiste, e sjellë në Shqipëri nga "Living Room Show" këndon në stadiumin "Selman Stërmasi".

Në fund të viteve '80, këngëtarja po kërkonte një bandë me të cilën të këndonte. Tre pjesëtarët e grupit, të cilët deri në atë kohë luanin në një grup të quajtur "The Cranberry Saw Us" për tetë muaj rresht, humbën këngëtaren e tyre të vjetër që mesa duket i hapi rrugë, karrierës së Dolores. Që në takimin e parë, Dolores interpretoi me tastierën e saj disa këngë që njëri prej pjesëtarëve të grupit kishte shkruar më parë. Vetëm pak javë më vonë, formacioni, tashmë me një këngëtare të re, regjistruan disa demo, të cilat u shpërndanë në kompani të ndryshme regjistrimi, për të parë se nga cila prej tyre do të merrnin përgjigje. Daljet e para i patën në lokale, ku interpretonin live, pastaj në sheshe të vogla, derisa më në fund morën përgjigjen për realizimin e albumit të tyre të parë. Pas tij do të vinin albume të tjera, të cilat do të kishin një sukses global, me shumë disqe platini të fituara dhe rreth më shumë se 32 milionë kopje të shitura, si edhe qindra turne në mbarë botën. Ata ishin të suksesshëm, por nuk harruan kurrë që nisën gjithçka nga një gjë fare e vockël, e megjithatë, Dolores, me një vokal të fortë, ishte tashmë absolutisht një divë, e cila këndonte me një prej grupeve më të suksesshme të muzikës së viteve '90.

Ata realizuan së bashku plot tetë albume që nga viti 1992 deri në vitin 2002, midis të cilëve gjendet edhe e famshmja "Zombie", një produksion muzikor mjaft i njohur edhe në Shqipëri.

"Zombie" është një këngë proteste, e realizuar në vitin 1995, ku grupi protestonte për kushtet e tmerrshme të të burgosurve irlandezë në burgjet e Britanisë së Madhe. Kjo këngë ka qëndruar në majë të klasifikimit amerikan për rokun modern për gjashtë javë, në dhjetëshen më të mirë franceze për nëntëmbëdhjetë javë e dhjetëra hit pareide të tjera, si edhe i ka dhënë grupit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve MTV Music Awards, çmimin e këngës më të mirë.

Elsa Demo - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama