Bën përshtypje pjesëmarrja virtuale e artistit të gjashtë shqiptar, Edi Hilës. Emri i tij, në faqen e rifreskuar të Bienales, vetëm sa figuron, sepse Hila nuk merr pjesë. Ishte vërtet vonë, megjithë angazhimin e vetë ministrit të Kulturës, Ylli Pango, të zhbëhej çorba që u gatua.
Ishte vonë që Hila i zgjedhur nga kuratorja e pavijonit shqiptar Bonnie Clearëater, të mblidhte nga galeritë e huaja punët që amerikania ia kishte kërkuar për këtë ngjarje.
Burime nga Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë thanë se në ceremoninë e hapjes së Bienales kanë marrë pjesë komisari i pavijonit shqiptar Rubens Shima, një deputet i Partisë Demokratike, poeti Parid Teferiçi dhe një specialiste e arteve vizuale sapoardhur me detyrë pranë MTKRS-së. Në pavione të tjera dhe me histori pjesëmarrjeje në Bienale, si pavijoni francez apo belg, kanë qenë të pranishëm vetë ministrat e Kulturës.
Qysh në ditët e para të ekspozitës, ndonjë kritik i huaj, ka veçuar një fakt domethënës për kuratoren e pavijonit shqiptar. Pse një amerikane kuron shqiptarët? Pyetje që u është drejtuar qysh në fillim organizatorëve shqiptarë.
Duke analizuar mentalitetet e ekspozitave në grup të vendeve që kanë zgjedhur ta prezantojnë produktin kulturor jo me një e dy artistë, por me disa, vende si Brazili, Bullgaria, Gjeorgjia, Libani, Kina, Azerbajxhani, Singapori, po dhe Shqipëria, kritiku William Hanley që veçon këtë prirje, shkruan: "Në ekspozitat grup del në pah ekspozita e herës së parë shqiptare, e cila mbahet në Palazzo Malipiero. Punë nga pesë artistë shqiptarë: Helidon Gjergji, Gent Gjokola, Alban Hajdinaj, Armando Lulaj dhe Heldi Pema – janë kuruar nga drejtorja e Muzeut të Artit Bashkëkohor e Majamit të Veriut, Bonnie Clearëater. Edhe pse jo shqiptare, Clearwater i dha fund brenda një nate falë një lektoreje të MOCA-s, e cila ishte nëna e Ambasadores Amerikane në Shqipëri, Marcie Reis. Reis ia prezantoi drejtoreshën vajzës së saj dhe kjo e fundit ia rekomandoi Clearwater-in komisarit të ekspozitës, nëndrejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima." Pas kohë pas zgjedhjes së Clearwater-it kuratore e pavijonit shqiptar, e përditshmja e amerikane e Floridës së Jugut "The Miami Herald", ngrinte një pikëpyetje se pse pikërisht Clearwater duhej zgjedhur për të kuruar përfaqësimin e Shqipërisë në Bienalen e Venecias, meqë ajo nuk ka pasur asnjëherë lidhje me këtë vend, çfarë do ta shtynte të udhëtonte mijëra kilometra larg vendit të saj drejt Shqipërisë? As më shumë e as më pak por një ambasadore: Marcie Ris, përfaqësuesja e diplomacisë amerikanë në Shqipëri. "Po si ndodhi që një drejtore muzeu nga Majami i Veriut përfundoi duke kuruar njëekspozim që do të përfaqësojë një shtet më shumë se 5.500 milje larg? Duket se është një lektore e MOCA-s, Amona Berman, nëna e ambasadores amerikane në Shqipëri, Marcie Reis. Reis i rekomandoi Clearwaterin, Shimës, i cili është njëherazi komisionier i pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias", shkruante e përditshmja amerikane. Atë kohë burime nga Ambasada Amerikane të Tiranë pohonin se ambasadorja Reis, nuk ka të bëjë në sugjerimin e Clearwaterit.
Kjo e dhënë del sërish mbi ujë si pa lidhje edhe tani që pavijoni shqiptar në Venecia është një fakt dhe tërheqës madje. Artisti që nuk ka kaluar pa u vënë re është Helidon Gjergji, i lindur në Tiranë më 1970 dhe që aktualisht jeton në Nju Jork. Gjergji dallon për reflektimet mbi pikturën e sotme dhe për rolin angazhues të televizionit në shoqërinë bashkëkohore. Në Bienalen e Venecies paraqitet me një punë të re me titull "Silica". Është një instalacion: tetë televizorë të fshehur në një shtresë të hollë rëre transmetojnë kanale të ndryshme. Vizitorit i tërhiqet vëmendja nga fluksi i vazhdueshëm i imazheve që ndriçojnë rërën, duke i bërë abstrakte format që vijnë nga ekrani. "Prirja e vazhdueshme drejt studimit të një ideje të re të artit abstrakt në kufirin ndërmjet sipërfaqeve, dritave dhe vibracioneve të ngjyrave i përcjell spektatorit një Kullë Bali të lartë bashkëkohore." Është ky një koment për veprën e Gjergjit sipas të cilit "artisti vëzhgon me ironi dhe kthjelltësi, procesin e mistifikimit dhe falsifikimit të prodhuar nga media e cila më shumë se çdo gjë tjetër, ka revolucionarizuar historinë e imazheve të epokës sonë; ajo që në të vërtetë duhej të ishte vetëm një mjet informimi dhe zbavitës, është duke u transformuar në mënyrë të paepur në pasqyrë të një bote virtuale dhe estetike."
Është vlerësuar si një punë interesante ky instalacion i Helidon Gjergjit e cila ngre edhe një herë një pikëpyetje ndaj "paralajmërimit asnjëherë të përmbushur për profecinë e vdekjes së pikturës; prandaj televizorët e tij bëhen vula dhe shenja të një vepre të gjallë dhe prekëse. Helidon Gjergji duket se pranon dhe ripërpunon leksionin e Popper-it, duke na treguar se ky objekt elektroshtëpiak mund të bëhet burim i një sugjestioni të ri viziv, instrument krijues nëpërmjet të cilit do t'i kthehet spektatorit nëse jo tamam aftësia e një vizioni kritik, të paktën ndershmëria e një përvojë estetike."
Ky ka qenë ndër komentet më të plota për pjesëmarrjen e artit shqiptar në Bienalen e Venecias e cila ka vetëm dy ditë që është hapur dhe është ende herët të thuash se vështrimi i kritikës së huaj mbyllet me kaq.
Deri tani Bienalja ka dhënë çmimin e saj të madh, Luanin e Artë. Me të është nderuar artisti afrikan, fotografi Malick Sidibé. Është vlerësuar për krijimtarinë e tij në tërësi, një çmim i merituar pa asnjë dyshim edhe në emër të Robert Storr-it, drejtor artistik i Bienales.
Deri më tani mediat e huaja kanë veçuar dimensionin dramatik të veprave pjesëmarrëse. "Venecia nën vulën e tragjikes" ishte një titull i të përditshmes franceze "Le Monde". Në artikull thuhej se ky edicion i Bienales së Venecies – në pavijonet kombëtare në Giardini, në Arsenale dhe në ekspozitat e shpërndara në pallate – sjell të njëjtën atmosferë, herë tragjike, herë funebër. "A duhet të ankohemi nga kjo perandori e ankthit? Absolutisht jo. Kjo i jep Bienales, shpesh konfuze, tonalitetin dhe koherencën. Dhe me punën e tij, drejtori i përgjithshëm, Robert Storr, duket t'ia ketë dalë mbanë. Bienalja e tij është një nga më interesantet e dekadës së fundit." Arsye tjetër pse nuk duhet ankuar për këtë përmasë ankthi që ngrihet nga veprat e artit bashkëkohor në Bienalen e Venecies është se "ky terr i përgjigjet atij të epokës sonë."
Elsa Demo - Gazeta Shekulli











