E kemi përsëritur tashmë shpesh që kërkimet dhe hulumtimet arkivore janë befasuese në fushën e shkencës albanologjike. Po e përsërisim këtë pohim edhe sot, sepse rezultatet e këtyre hulumtimeve arkivore dhe bibliotekare janë befasuese jo vetëm për lexuesit, por edhe për vetë ne që punojmë drejtpërdrejt në këto strofka burimologjike e po përballemi me faktin që rezultatet e botuara më parë po përmbysen nga rezultate më të reja. Statutet e qyteteve dhe katedraleve shqiptare janë një dëshmi që vërteton edhe një herë ekzistencën e qyteteve-komuna shqiptare, botës qytetare, në kompleksin mesdhetar, zhvillimin e tyre dhe ngjashmëritë me qytet-komunat e tjera të Evropës, si dhe zhvillimin e të drejtës kanonike (kishtare), e cila ishte mjaft specifike ngaqë në vetvete ruante rregullat zyrtare të kishës, duke i përshtatur ato sipas të drejtës dhe traditës vendase shqiptare.
Teksti i "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis" është përgatitur, zyrtarizuar dhe edituar në Manastirin e Shën Theodori de Elohiero të Urdhrit të Shën Benediktit, në dioqezën e Durrësit, në praninë e at Nikollë Lalemit, abatit të manastirit në fjalë dhe në prani të zotit Gjergj Topia dhe të burrave të nderuar, zotit Pjetër, rektorit të Shën Demetrii de Plumsis dhe të zotit Gjin, rektorit të Shën Venere de Managastis të po asaj dioqeze në prani të dëshmitarëve dhe të të ftuarve të tjerë edhe të rogatve gjatë vitit të Zotit 1464, në indiktin XII, me datë 21 të nëntorit. Dorëshkrimi, që në origjinal ruhet në Bibliotekën Mbretërore të Kopenhagës, është shkruar nga kanoniku dhe noteri i Tivarit, Simon Dromasys, më 12 janar 1468. Ai bën përshkrimin e variantit të zyrtarizuar të vitit 1464, nga libri i noterit e kanonikut të Durrësit, Gjon Mauros, që ndërkohë kishte vdekur, i cili njëkohësisht kishte qenë sekretar i kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëlli.
Variantin e "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis" nga viti 1464 e kishin punuar kanonikët e Drishtit, njerëz të ditur, të shkolluar, që njihnin rrethanat, situatën dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me katedralen dhe me zakonet e Drishtit në të kaluarën dhe në kohën kur ata jetonin, variant ky i përgatitur që para vitit 1456. Këto statute i kanë miratuar dhe firmosur: Nikollë Kalanci, Andre Prekasi, Nikollë Beli, Nikollë Cezani, Pal Kelanti, Nikollë Pisciragu, Nikollë Ungari, Gjergj Gjonoma, Pjetër Suma, Pjetër Sakati, Gjergj Golemi, Andre Xaoni, Anton Kazeli, Frang Merti, Dedë Prekali, Martin Mazioti, Novak Prekali. Për zakonet e lashta e të lavdishme të katedrales së Drishtit dhe të vetë qytetit-komunë, të cilin si seli ipeshkvnore e hasim në burimet e shkruara dokumentore që nga 16 maj 743 (shek. VIII), flet vetë teksti në mënyrë eksplicite: "Laudabilem consuetudinem antiquorum nostrorum immitantesi" (kap. II); pastaj: "antiquissimam constuetudinem imminantes" (kap. XXXIX) dhe "antiquissima et observata consuetudine" (kap. XLIV), si dhe "secundum morem et consuetudinem antiquorum" (kap. XLVI). Pra, përveç përvojës, njohurive dhe njohjes së situatës së përgjithshme, kanonikët nga Drishti i mbanin si shembull edhe këto statute të lashta "a maioribus nostris quasdam constitutiones traditas", [f.2v], që në formë të shkruar datonin të paktën nga viti 1397.
Sipas M.Shufajt, teksti origjinal i "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis", nga Shqipëria fillimisht duhet të janë bartur në Tivar dhe nga aty, para vitit 1571 për në Itali. Megjithatë, ne mbështesim qëndrimin e M.Ahmetit, se një pohim i tillë nuk ka mbështetje në burime të sigurta dhe dokumentare dhe se rruga e dorëshkrimit të Statuteve të Katedrales së Drishtit për në Itali ka mundësi të ketë ndjekur fatin e familjes Engjëllore. Do ishte krejt normale që një kopje e këtij Statuti të gjendej në Archivio Segreto Vaticana, ose Archivio di Stato Venezia, por kërkimet shkencore në këto dy arkiva nuk dhanë rezultate. Po ashtu, as në Firence e Dubrovnik, ku ruhen dorëshkrime të ndryshme të Engjëllorëve, nuk u gjet ndonjë gjurmë e këtij Statuti, i cili është drejtpërdrejt i lidhur me familjen fisnike të Engjëllorëve. Pra, mbetet për të ardhmen që të sqarohet lëvizja e dorëshkrimit të "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis", deri në kohën kur për herë të parë, zyrtarisht, përmendet në vitin 1833.
Deri para pak kohësh është menduar se dorëshkrimi i Statutit të Katedrales së Drishtit për herë të parë përmendet në katalogun 438 të antikuarit gjerman, Karl Wilhelm Hiersemann nga Lajpcigu, në qershorin e vitit 1915, fasc. 43, nën numrin 250, zë ky i përshkruar në mënyrë shumë sipërfaqësore në këtë katalog, por me titull të plotë: "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis". Meqenëse dorëshkrimi nuk u shit, Hiersemann i përsërit shënimet e vitit 1915 në katologun 477 për vitin 1920, fasc. 7, nën numrin 33, duke mos shtuar asgjë më shumë. Me fjalë të tjera, dorëshkrimi ishte sjellë nga ndërmjetësi Thomas Thorpe në vitin 1833, dhe vinte nga një prej atyre koleksioneve, emrin e të cilin për momentin nuk jemi në gjendje ta themi me saktësi. Një gjë është e sigurt, se dorëshkrimi nuk vinte nga koleksioni i Lord Guilford-it, sepse dorëshkrimet që ishin nga koleksioni i tij janë shënuar me "G" në katalog. Për vendndodhjen dhe përmbajtjen e dorëshkrimit, M.Shuflaj njoftohet në vitin 1916.
Ai provon ta sigurojë me anë të blerjes, por nuk e arrin një gjë të tillë, përkundër insistimit të tij të përsëritur. Në vitin 1920, ai njoftohet se një blerës anonim e kishte blerë dorëshkrimin nga antikuari gjerman. Duke shfrytëzuar miqësinë që kishte me albanologun tjetër sllav, Henrik Bariq, në vitin 1924, Shuflaj arrin të sigurojë emrin e blerësit, anglezit Sir Thomas Phillipps, i cili ishte një koleksionist i famshëm dorëshkrimesh dhe librash të rrallë antikuarë. Koleksioni i tij ishte kolosal prej më se 60 mijë dorëshkrimesh dhe 40 mijë librash të rrallë-antikuarë. Së bashku me kolegët e tij, Viktor Novakun dhe Henrik Bariqin, M.Shufalj shfrytëzoi njohjen me albanologun danez, Holger Pedersenin, që ky i fundit të ndërmjetësonte te Sir Thomas Phillipps për të siguruar një kopje të fotografuar të tërë dorëshkrimit. Holger Pedersen u del në ndihmë, duke siguruar një kopje jo të plotë të dorëshkrimit, pasi dorëshkrimi i "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae Cathedralis Drivastensis" ndodhej tashmë në fondet e Bibliotekës Mbretërore të Kopenhagës e jo të Sir Th. Phillipps. Kopja e dorëshkrimit arrin në dorë të M. Shuflajt në gjysmën e dytë të vitit 1925. Së bashku me V. Novakun, Shuflaj i hyri menjëherë punës për përgatitjen për botim të dorëshkrimit, me gjithë mangësitë që kishte fotokopja. Rezultatet e punës së tyre u botuan në "Biblioteka Arhiva za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju," në Beograd, në vitin 1927, e jo në "Arhiv za Arbanasku starinu, jezik i etnologiju," siç pretendojnë disa që shkruajnë për Statutin... Në vitin 1971, botohet në formë të shkurtuar dhe me ndërhyrje të shumta në gjuhën shqipe në "Gjurmime Albanologjike", seria e shkencave historike të Prishtinës.
Meqenëse së shpejti "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis" do të botohet së bashku me faksimilet e origjinalit, ne po e përshkruajmë atë sipas përshkrimeve më të kompletuara, të bëra deri më tani nga M.Ahmeti, dhe duke e plotësuar në ndonjë vend atë pasi kemi në duar një kopje të skanuar të këtij dorëshkrimi, të cilin e kemi marrë nga autori i zbulimit. Nuk jam e para e as e vetmja që dr.M.Ahmeti me mirësi ma vuri në dispozicion një dorëshkrim me vlera të rralla. Përveç meje, kopjen e origjinalit nga dr.M.Ahmeti e kanë marrë edhe E.Lala, W.Kamsi, G.Tafa dhe Sh.Sinani /dy faqe/ dhe tekstin e transkriptuar, i cili u shkrua më 2005. "Dr. Musa Ahmeti pati mirësinë të më dhuronte për të ilustruar këtë dorëshkrim, një prej fletëve me kaliografi më të qartë, me nistore të zbukuruara, që mund të trajtohet edhe si miniaturë me iluminim. Zbulimi i këtij kodiku herët a vonë do të shërbejë si shkas për një reflektim të përgjithshëm për historinë e së drejtës tradicionale në Shqipëri dhe sidomos për historinë e raporteve të së drejtës urbane me atë agrare".
Dorëshkrimi është në pergamen të butë e fin. Kopertina është pak më e trashë se faqet e tjera. I tërë dorëshkrimi është i shkruar me ngjyrë kafe nga një dorë e vetme. Ka dy lloj paginimesh: njërin lart në të djathtë, që fillon nga nr.1r dhe vazhdon deri në nr.18v dhe paginimi i dytë, poshtë në të djathtë, që fillon nga nr.9r dhe përfundon në nr.26v. Në f.1r (olim 9r) brenda inicialit "P" të iluminuar në flori, me dekorime shumë të bukura përreth, është një portret i kryeipeshkvit Pal Engjëlli me shkopin baritor në dorë, me mitër në kokë, i veshur me rroba të kryeipeshkvit. Në të gjitha faqet e dorëshkrimit ka iniciale të dekoruara. I tërë dorëshkrimi ka 66 iniciale. Zakonisht në iniciale janë përdorur tri ngjyra: e kuqja, kafeja dhe bluja e mbyllur. Në f.4r-v; 5r-v; 6v; 7v; 8r-v; 9v; ka shënime në margina, menjëherë në vazhdim të tekstit me ngjyrë të kuqe. Në faqen e fundit të dorëshkrimit është një gjenealogji e familjes së Engjëllorëve, e cila lexohet me vështirësi ngase është shumë e zverdhur. Dorëshkrimi ka gjithsej 922 reshta. 32 faqe kanë nga 27 rreshta, dy faqe nga 26 reshta [f.14v dhe 17v] dhe një faqe 6 reshta [f.18r], me 53 kapituj dhe dimensione: 17.5 x 25.7 cm.
Dorëshkrimi i Statutit të Katedrales së Drishtit, zbuluar nga M.Ahmeti në Kopenhagë të Danimarkës, është një kodifikim i të drejtës kanonike të një katedraleje dhe asaj laike të qytetit të Drishtit, dhe si i tillë është i vetmi Statut origjinal i njohur deri më sot në tërë hapësirën bregdetare, në të dy brigjet e Adriatikut, "që nga Istria deri në Selanik, në faqen perëndimore të Ballkanit, dhe që nga Trieste deri në Ankona, në faqen lindore të Apenineve. Për këtë arsye dorëshkrimi merr një vlerë gjeorajonale, duke pasur në vlerësim edhe faktin se përmban kanone kishtare dhe laike (shekullare) të ndërthurura në mënyrë të pandashme, pikërisht në kohën kur në këtë rajon kishte mbërritur një faktor i ri politik, ushtarak, fetar dhe kulturor, si ish-perandoria osmane". Statutet si rregulla të drejtësisë, të cilat i ka nxjerrë një pushtet autonom për territorin e tij, fushëveprimin e tij dhe qytetarët e tij, janë burime shumë të rëndësishme historike. Shënimet e para për statutet e komunave në territoret shqiptare i hasim të paktën që në shekullin XIII, si në qytetet përgjatë bregdetit Adriatik, ashtu edhe në ato të hinterlandit, dhe janë një vazhdimësi logjike e statuteve të komunave dhe qyteteve dalmatinase. Statutet janë tërësi normash të shkruara, apo akte normative të kodifikuara, që rregullojnë jetën e brendshme të qyteteve mesjetare dhe marrëdhëniet e tyre si komuna autonome, me zotërinjtë e tyre feudalë, por edhe raportet e kishës me komunën, si dhe raportet brenda për brenda kishës në një territor të caktuar, siç është kryeipeshkvia. Mbi bazën e tyre zgjidheshin dhe vepronin të gjitha organet e brendshme drejtuese të komunës dhe kishës, që kryenin detyra të caktuara me karakter legjislativ, administrativ, gjyqësor, etj., por edhe duke dhënë normat përkatëse juridike penale, civile, procedurale, doganore, tregtare, të pronësisë, të punës, jetës familjare, marrëdhënieve bashkëshortore, atyre të prindërve me fëmijët, deri te normat mbi dhunën dhe sjelljet e moralit... etj.
Termi statutum në fillim përdorej për një vendim të vetëm me karakter legjislativ, që zakonisht kishte përdorim të gjerë dhe për një kohë të gjatë. Më vonë me këtë emër njihet tërësia e këtyre vendimeve si një korpus organik. Në tekstet juridike, me statut nënkuptojmë një "përcaktim ligjor, juridik, rend, rregull", duke qëndruar kështu shumë pranë fjalës latine, "constitutio." Në fillim të shek. XII përdorimi i fjalës "statuta" kufizohet në gjuhën e përdorur për mbretin dhe për kishën, megjithëse shfaqen edhe "statuta civitatis". Në krijimin e statuteve të qyteteve shqiptare dhe atyre të katedraleve, një rol vendimtar, gjë që është edhe veçori dalluese nga statutet e ngjashme të krijuara në Evropë, ka luajtur e drejta zakonore vendase, që shfaqet në shumë institute juridike të përbashkëta. Nëse në fillim rregullat ishin renditur në mënyrë fragmentare dhe kronologjike sipas datave, tani u renditën sipas më të mirave sistemuese dhe u ndanë në pjesë të ndryshme si libri, kapitulli, etj., sipas kritereve të përmbajtjes.
Kushtetuta dhe administrimi i komunës, e drejta civile dhe penale, mbikëqyrja e sigurisë në qytet dhe në vend, marrëdhëniet tregtare etj., të gjitha këto ishin tani forma të veçanta dhe secila u zhvillua në një mënyrë të veçantë sipas karakteristikave dhe specifikave të komunave, apo katedraleve përkatëse. Parë nga ky këndvështrim, "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis" është një akt normativ i "natyrshëm" për kohën, së bashku me Statutet e Shkodrës, duke qenë më specifik se ky i fundit, për shkak të bashkëveprimit të dy pushteteve laike dhe kishtare në një person të vetëm, atë të kryeipeshkvit të Drishtit. Statutet si shprehje juridike të qyteteve të ndryshme formuan kështu një burim primar juridik për jetën publike dhe private të shoqërisë komunale. Kur komunat humbën autonominë e tyre dhe u bënë pjesë e shteteve më të mëdha dhe më komplekse, edhe statutet filluan që t‘u nënshtroheshin ligjeve dhe rregullave të shteteve dominuese. Megjithatë statutet vendore qëndruan në fuqi në disa qytete deri në shek. XVIII.
Interesim të veçantë për "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis", nga viti 1468 kanë treguar vetëm specialistët e huaj, të profileve të ndryshme, qofshin ata të së drejtës kanonike kishtare, juristë dhe studiues të së drejtës zakonore shqiptare, por edhe paleografë, studiues të diplomatikës dhe historianë të artit, etnologë dhe linguistë, por, për fat të keq, nga shqiptarët, gjithnjë sipas të dhënave që disponojmë ne, ky numër, nëse përjashtojmë dr.Musa Ahmetin si zbulues të dorëshkrimit origjinal, nuk mund të jetë më shumë se një, dhe ai është etnolog Sh.Sinani. Ndoshta për një gjë të tillë, mund të ketë një "arsyetim" jo fort bindës, por që mund të qëndrojë, sepse në Shqipëri, deri më sot, ky dorëshkrim i "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis" nuk njihet fare, nuk është botuar asnjëherë, as në latinisht e as në përkthimin shqip.
Disi më ndryshe qëndron puna me studiuesit kosovarë. Në Prishtinë, siç e pohon M.Ahmeti, "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis" është botuar i përkthyer në gjuhën shqipe në "Gjurmime Albanologjike", seria e shkencave historike. Prishtinë, 1972, me shkurtime dhe jo komplet, por atje, deri më sot, asnjë studiues, i cilësdo fushë i shkencave albanologjike, nuk ka shkruar as edhe një rresht të vetëm. Një mosinteresim i tillë, për një burim me vlera të rralla dhe të jashtëzakonshme, për vetë faktin se ai vjen nga shek. XV dhe që është në origjinal, na duket qëllimkeq dhe tendencioz. Nëse studiuesit në Shqipëri kishin një arsye që nuk e kishin në dorë origjinalin, ndonjë botim në latinisht apo botimin e Shuflajt ose tek e fundit edhe përkthimin në gjuhën shqipe, ata kosovarë nuk mund të nxjerrin një argument të tillë. Shkaqet për një heshtje të tillë nuk na janë të njohura. Të mendohet se për këtë dorëshkrim, në të cilin janë të bashkuar të dy pushtetet: ai kishtar dhe laik, pra si dorëshkrim fetar, si i vetmi i njohur deri më tani i këtij lloji nga shekulli XV, në të dyja anët e Adriatikut të ketë rezerva, kjo do ishte një papërgjegjësi, mungesë serioziteti dhe joprofesionalizëm i historianëve dhe studiuesve shqiptarë. Sipas M.Ahmetit, (dr.M.Ahmeti. "Odiseja e gjetjes së Statutit të Drishtit", në Spiritus /e përjavshme e gazetës "Albania"/, 19. V. 2007, nr. 1, f. 5) të paktën një historian shqiptar, studiues i mesjetës nga Tirana, me shkrim ka bërë një vlerësim të tillë, ose të ngjashëm, duke pohuar se ky dorëshkrim, meqë është me karakter dhe përmbajtje fetare, nuk është i rëndësishëm, sepse "ky Statut nuk ka vlera të mirëfillta shkencore, sepse trajton probleme fetare të ritit katolik...". Të arrihet në përfundime të tilla, të jepen gjykime të tilla dhe të vlerësohet një dorëshkrim origjinal në këtë mënyrë, pa e pasur kurrë në dorë atë, si origjinalin ashtu edhe botimin e "cunguar" të Sufflay-Novak, është një gjë e padëgjuar ndonjëherë, as në kohërat e komunizmit.
Kur flasim për përkthimin e "Statuta et ordinationes capituli ecclesiae chathedralis Drivastensis" në gjuhën shqipe, si botim i Prishtinës në "Gjurmime Albanologjike", duhet cekur se përkthimi në shqip u bë nën kujdesin e Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës, e dhënë kjo që gjendet në f.163, referenca nr.1. Shtrohet pyetja: Kush është autor i këtij përkthimi nga Tirana? As M.Ahmeti si njohësi më i mirë i këtij dorëshkrimi, e as të tjerë që po merren me të si E.Lala, W.Kamsi, R.Elsie, N.Malcolm, A.Meksi, Sh.Sinani nuk japin asnjë të dhënë për përkthyesin. Edhe kjo përbën një mister në vetvete.
Duke qenë se këto statute bazohen në një shkallë të lartë në zakonet e vjetra ekzistuese "antiquissima et observata consuetudine" (kap. XLIV), duke i hedhur në letër ato që tashmë ishin praktikë e përditshme në shoqërinë shqiptare, "secundum morem et consuetudinem antiquorum" (kap. XLVI), statutet fillojnë me një normë zakonore që duhet të ketë qenë shumë e përhapur në traditën e lashtë shqiptare, siç është ajo e respektit të ndërsjellë të brezave dhe pikërisht me "Më ç‘mënyrë të rinjtë duhet të respektojnë pleqtë dhe në ç‘mënyrë pleqtë duhet t‘i duan të rinjtë..." [kap.I], duke theksuar kështu që në fillim vlerat tradicionale dhe rëndësinë që ata u jepnin këtyre vlerave vendore. Në kapitujt në vijim përcaktohet mënyra e zgjedhjes së rektorit dhe prokuratorit [kap.II], saktësohen detyrat dhe përgjegjësitë e rektorit [kap.IV], kanonikëve [kap.VII, VIII, IX, XLIV], rregulli për diskutim në kapitull dhe respekti ndaj pleqve [kap.XVII], ruajtja dhe përdorimi i vulës; dokumenteve dhe privilegjeve [kap.XX], gjobat për vjedhje dhe mashtrim [kap.XXIII], përfaqësimi i kanonikëve dhe të deleguarit e tyre në bisedime ose marrëveshje të ndryshme [kap.XXIV], dënimet për rrahje [kap.XXIX], shqyrtimi i ankesave të ndryshme nga qytetarët, por edhe nga kanonikët [kap.XXX-XXXIII], në rast të mungesës së normës statutore, të veprohet sipas drejtësisë dhe ndershmërisë, duke pasur gjithmonë parasysh frikën e Zotit [kap.XXXV], dënimet e konkubinatit [kap.XXXVI], ndërsa kap.XLI flet për ndihmën dhe mbështetjen e studiuesve dhe atyre që shkojnë me studime, kurse kap.LI trajton "Mosmarrëveshjet rreth respektimit të statuteve" etj.
Ky burim me vlera të rralla, qoftë për nga përmbajtja, qoftë për nga rëndësia, koha kur u krijua, tematika, por edhe elementët e tjerë paleografikë, si nistoret (inicialet), miniatura e praruar në flori, portreti mjaft interesant i kryeipeshkvit, i punuar për të gjallë të tij, me një kolorit dhe elemente të mrekullueshme, dhe pse i botuar me shkurtime, ai mbetet pothuajse i panjohur dhe i pashfrytëzuar nga studiuesit, albanologët dhe historianët shqiptarë. E shumta që ka bërë ndonjëri prej tyre, është thjesht përmendja shkarazi e titullit, pa u thelluar në ndonjë analizë, citim apo studim të veçantë të këtyre statuteve. Është për t‘u befasuar, por krejt ndryshe qëndron puna me studiuesit e huaj, të cilët e citojnë dhe jo rrallë edhe shkruajnë për të, që nga koha e Milan Sufflay, Viktor Novak, e deri te më të rinjtë si Nada Zeçeviq, Oliver J.Schmitt, Lucia Nadin, Gerhard Jaritz, Christina Maria Grafinger, Kirsi Salonen etj. Megjithatë, kohët e fundit ka nga ata historianë që e quajnë veten të "gjithëdijshëm" dhe "kompetentë" për gjithçka në historiografinë shqiptare, që japim mendime në ajër për vlerat e këtij dorëshkrimi, pa pasur në dorë as origjinalin ose kopjet e tij, e as botimin e Beogradit, e madje pa u lodhur të shohin përtej botimit të "cunguar" të Prishtinës vlerat që ka ky dorëshkrim, edhe thjesht si tekst i hartuar në shekullin e pesëmbëdhjetë në Shqipëri.
Marre nga : Gazeta Shqip