Podrimja nje mbremje romane me emrin e tij

Podrimja, një mbrëmje romane me emrin e tij

Në këtë mbrëmje do të promovohet përzgjedhja e poezive të titulluara "Shkretëtira gllabëruese", që është nxjerrë në qarkullim nga shtëpia botuese italiane "De Angelis Editore", me titullin "Il deserto invasivo". Kjo mbrëmje vjen në kuadër të aktivitetit ndërkombëtar "Takime interkontinentale të Mediteranit", që ka startuar që më datën 3 qershor dhe do të vazhdojë deri më 21 korrik. Aty marrin pjesë krijuese nga e gjithë bota për shumë gjini të artit që promovojnë krijimet e tyre në mbrëmje të veçanta, si ajo që do t‘i kushtohet njeriut të letrave nga Kosova. Do të flasin rreth krijimtarisë së Ali Podrimes dhe veçanërisht rreth librit të tij me poezi, "Shkretëtira gllabëruese", shumë poetë të tjerë, studiues e kritikë si: prof.Filipo Bettini, prof.Predreg Matvejeviç, Visar Zhiti, Gëzim Hajdari dhe përkthyesja prof.dr. Blerina Suta. Mbrëmja do marrë formën e një performance artistike, pasi do të interpretohen dhe poezi të tij, të shoqëruara nga violinistja e njohur shqiptare Anila Kraja, që prej vitesh jeton dhe jep koncerte në Romë.

Libri me poezi i Ali Podrimes, "Shkretëtira gllabëruese", botohet brenda një kolane që përfshin edhe poetë të njohur botërorë, si Mahmut Darwish, Natan Zach, nobelisti nga Nigeria, Wole Soyinka etj. Libri ka 190 faqe dhe është botuar në të dy gjuhët: shqip dhe italisht. Përveç krijimtarisë së poetit kosovar, një kënd të veçantë në këtë eveniment kulturor ndërkombëtar zë edhe "Ekspozita e fotografive nga lufta" që ka për autor Nusret Pllanën. Kjo ekspozitë do të paraqesë dhe njëherë realitetin e luftës në Kosovë me foto impresionuese. Kësaj i paraprin dhe një simpozium mbi luftërat në Ballkan, që me moszgjidhjen ende të statusit të Kosovës përçojnë idenë e një epoke të errët ende të papërfunduar. Në këtë simpozium do të jetë sërish poeti Ali Podrimja, i cili do të lexojë një ese të quajtur "Metafora e së keqes". Në këtë ese, Podrimja përcjell me një tjetër gjuhë e stil tragjeditë e pas ‘90-ës në ish-Jugosllavi dhe atë të popullit të Kosovës. Aty ndërthuren dhe dukuritë ballkanikë të trashëguara në shekuj që paradoksalisht sa i mbajnë bashkë popujt prej fateve të përbashkëta, po aq dhe i ndajnë nga komplekset nacionale. Ali Podrimja është ndër emrat më të njohur të letrave kosovare për më shumë se dy dekada. I afirmuar më tepër në krijimtarinë poetike, Podrimja është konsideruar dhe si penë e fortë në trajtesa eseistike të shumë fenomeneve. Fati i Kosovës dhe kauza kombëtare gjendet pothuajse në gjithë krijimtarinë e tij.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama