Nishku artisti qe e lidhi jeten me orkestren e Radiotelevizionit

Nishku, artisti që e lidhi jetën me orkestrën e Radiotelevizionit

Një mbrëmje emocionues për artdashësit kryeqytetas. Dhe nuk është pak të marrësh pjesë dhe të gëzosh një përvjetor të tillë. Jo vetëm vitet që të imponojnë respekt dhe krenari por vetë emri i këtij formacioni muzikor të ngjall emocion dhe nostalgji. Në vite kjo orkestër ka riprodhuar tingujt kristalorë të muzikës shqiptare, muzikë klasike tradicionale dhe të kompozitorëve botërorë. Por për publikun shqiptar kjo orkestër ka qënë torta e fund vitit. Të dukej sikur gjithësecili prej artdashësve mezi priste funddhjetorin për të përjetuar prurjet e reja të muzikës së lehtë, tinguj që i interpretonte aq mjeshtërisht pikërisht kjo orkestër që sot mbush plot 45 vjet. Edhe pse në pamje të parë ka ngjarë pak si më „i fshehur“ ky formacion muzikor pa të nuk do të kishte shkëlqim të asaj plejade këngëtarësh aq të dashur për të gjithë. Janë tingujt e kësaj orkestre që kanë shoqëruar zërat brilantë të Vaçe Zelës, Ema Qazimit, Tonin Tërshanës… Dhe jo vetëm kaq!

Ky koncerti ishte një mesazh nderimi dhe mirënjohje edhe për Cesk Zadenë, Thoma Gaqin, Feim Ibrahimin, Kujtim Laron etj., kompozitorët që krijuan ato vepra muzikore kombëtare të pavdekshme. Në këtë mbrëmje „Gala“ rifreskuam memorien dhe shtuam nderimin edhe për Mustafa Krantien, Simon Gjonin, Ferdinant Dedën e Eno Koçon, dirigjentët e shquar të kësaj orkestre prestigjioze ndër vite. Por këto emocione arritën kulmin kur në skenë para artdashësve të zjarrtë dalin disa nga instrumentistët e parë të këtij formacioni. Nuk ka se si të rreshtin duartrokitjet falenderuese kur para këtyre interpretuesve të talentuar shfaqet imazhi i Prokop Nishkut, tropmistit të parë, Kristofor Qorit (korno) dhe Cin Simonit (spala e orkestrës). Dhe emocionet e zjarrta nuk mund t’i shuanin as lulet dhe duartrokitjet kur Nishku ndërsa përshëndet orkestrën përqëndron shikimin te dy ish studentët e tij Gazmor Halilaj dhe Xhemali Musaj… Ishin këto çaste të paharruara që më ngacmuan dëshirën për të shkruar diçka modeste për shokun tim të hershëm Prokop Nishku…

Prokopi lindi në qytetin e Tiranës në 25 prill 1934 në një familje të nderuar dhe të respektuar. Babai i Kopit, Dhimitër Nishku mbahet mënd si një zanatci individual që dinte të shërbente dhe të komunikonte ngrohtë me bashkëqytetarët e vet. Në krah të tij ai kishte një grua që për fat të keq me vdekjen e tij të parakohëshme i mbeti mbi shpinë gjithë pesha e familjes. Lija, nëna e Kopit u bëri ballë tallazeve të jetës për të rritur, edukuar dhe shkolluar 5 fëmijët e mbetur pa baba. Dhe nën këtë kujdes e dashuri prej nëne për fëmijët një pasqyrë e gjallë ku ata shikonin karakterin dhe ecurinë e tyre ishte vetë jeta babait të tyre. Për asnjë çast ata nuk e ndjenë veten jetimë kur gjurmët dhe kujtimi i të jatit u ngjallnin forcë, krenarie dhe besim për të ardhmen. Kështu ata bëheshin për vetveten por vazhdonin emrin e mirë të familjes së tyre të nderuar dhe të respektuar. Dhe jam fatlum që për këtë të vërtetë të sjell edhe vetë një dëshmi. Nuk kam për ta harruar atë moment emocionues që ndjeva në vitin 1993 në Romë. Me rastin e 28 nëntorit Ditës së Flamurit, ambasada shqiptare organizoi një kokteil.

Në një çast u ndodha përballë me piktorin e madh Ibrahim Kodra dhe një nga tregtarët e vjetër tiranas me emrin Sotir Coka. Në bisedë e sipër tregtarit i thashë që kam shumë shokë tiranas… E ndërsa citoja disa prej miqve të mi ai më ndali sapo veshi i kapi mbiemrin Nishku. Menjëherë Coka mu drejtua duke më pyetur se cfarë e ka ky shoku yt Dhimitër Nishkun. I mbushur me emocion iu përgjigja babë. Tregtari i vjetër tiranas i larguar prej kohësh nga Shqipëria runatë të freskta përshtypjet për familjen Nishku duke pohuar se: „Dhimitër Nishku ishte një njeri i respektuar që me punën e tij të ndershme i dha nder familjes së vet“. Por edhe familja duhet të krenohet për birin e saj Prokopin. I rrikthehem kujtesës duke kujtuar vitin 1951. I dhënë dhe i apasionuar artin skenik, Kopi në fillimet e tija mori pjesë si valltar pranë Filarmonisë Shqiptare. Ishte kënaqësi që shoqërisë sonë ju shtua një djalë simpatik që shquhej për humorin e tij. Nuk e patëm të vështirë të miqësoheshim me të qysh në ditët e para. Një miqësi që vazhdoi ndër vite mese meje, Kopit, Ramazan Bogdanit, Farruk Kokës, Timolea Papës, Engjëll Tërshanës e shumë të tjerëve. Qysh në atë kohë ai vazhdon të jetë kripa dhe lezeti i shoqërisë tonë. Sepse ka një shpirt të pastër, është dashamirës dhe i respektueshëm.

Sepse rrjedh nga një familje me edukatë qytetare duke u bërë e nderuar dhe e dëgjuar në vazhdimësi me sukseset e tyre në fushën e artit dhe të kulturës qytetare tiranase dhe kombëtare. Dhe që të kapësh këto maja të admirueshmë dhe të dëshiruara nga gjithkush nuk është e lehtë. Para së gjithash kërkohet pasion dhe edukatë pune që të synosh dhe të realizosh atë çka të ngre në podiumin e nderit dhe të suksesit. Nëpër këto binarë ka ecur edhe kariera e Kopit. Si valltar Kopi ndenjti pak kohë. Nuk kaloi shumë kohë dhe artisti e gjeti vetveten në instrumentin e trompës. Dhe për fat përkushtimi dhe pasioni i tij u shpërblye në vitin 1958 me të drejtën që të ndjekë studimet në kryeqytetin e Cekosllovakisë, Praga, pranë Konservatorit Shtetëror në degën e instrumentëve frymorë me specifikë instrumentin e trompës. Artisti shqiptar spikati mes shokësh si njeri i mirë e gazmorë, me vullnet të fortë. Dhe mbarësia vazhdoi kur për pedagog pati Koloshin, një nga metodistët më të dëgjuar të Europës. Kështu atij ju krijuan të gjitha mundësitë teorike dhe praktike që të studioi hollësisht instrumentin e trompës duke përfshirë metodën estetike të këtij instrumenti. Ndihmesë në formimin e tij artistik ishte edhe frekuentimi i orkestrës simfonike dhe operave klasike tradicionale. Por, duhet ritheksuar se metoda e mësimdhënies së pedagogut Kolosh në instrumentin e trompës, u bë një nxitje dhe mundësi për të pasuruar bagazhin e tij me të reaj që në të ardhmen do ja lehtësonin punën për të merituar njëshin e tropmës shqiptare në Orkestrën e simfonisë së Radio-televizionit. Njohuritë dhe aftësitë e mara në konservatorin e Pragës, me një histori të lashtë dhe të pasur në fushën e muzikës evropiane, i hapën rrugën atij për të qënë i denjë në mësimdhënie në Konservatorin e Tiranës.

Prokopi studioi tre vjet pranë konservatorit shtetëror të Pragës, por pa mundur që të mbarojë ciklin e plotë të studimit pasi politika kishte ndërhyrë në mes. Ndërprerrja e e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik sollën ngrirjen e kontakteve me shtetet e vendjes së Lindjes. Për pasojë edhe studentët në Cekosllavaki ishin të detyruar të ktheheshin në atdheun e tyrë. Por nga Praga ai kishte marrë shumë. Akoma edhe sot i kumbon në vesh vlerësimi dhe konsideratat e pedagogut të tij të nderuar, Koloshi: „I dashur student i imi Kopi. Ti po largohesh, por këshilla ime e vetme është që instrumentin e trompës duhet ta përdorësh çdo ditë nëse do suksesin. Unë nuk kam për të harruar se ti ishe një student i dashur dhe mbi të gjitha gazmor, çka tregojnë mirësinë e shpirtit tend“. E në gjithë atë rrugë të gjatë që do bënte në vazhdimësi Kopi do kishte udhërrëfyes pikërisht këto mirënjohje dhe porosi të pedagogut çek. Falë edhe sedrës dhe punës së përkushtuar me arritjet e tij ai diti të nderojë dhe të respektojë emrin e atij konservatori aq me emër. Me tu kthyer në Shqipëri dhe pa u vonuar mbaroi studimet në konservatorin e Tiranës. Me krijimin e orkestrës pranë Radio-Televizionit rreth viteve 1962 Kopi ishte nga të parët si trompist i parë. Ishte jo pak të meritoje dhe të besoje këtë përgjegjësi artistike që do të ishte pjesë e ardhshme e famës dhe personalitetit të një formacioni me emër dhe shumë të rëndësishëm në jetën artistike të një vendi.

Artisti si trompist i parë pranë orkestrës së Radios, u aktivizua në disa dekada. Janë të panumërta koncertet në Shqipëri dhe në shumë skena të huaja. Pjesë e këtij kontributi të përbashkët mes dirigjentëve, drejtusve artistikë të kësaj orkestre apo dhe drejtuesëve të RRTPSH-së, ka qënë edhe ajo e orkestrantëve. Një disiplinë e lartë artistike dhe profesionale bënë që emri i këtij formacioni të zërë vëndin e nderuar në historinë kulturës muzikore kombëtare. Dhe është kënaqësi që ndërsa shrehim këto konsiderata që pjesë e tyre është edhe talenti dhe djersa e shokut tonë të respektuar Prokop Nishku. Kopi ishte dhe koncert maestër i orkestrës simfonike të radios dhe televizionit për rreth 20 vjet. Si koncert maestro u aktivizua në shumë koncerte, turne, festivale dhe rregjistrime të RRTPSH. Pra, kontributi i tij është shumë i madh në këtë institucion.

Por Prokop Nishku ka pse të krenohet edhe si pedagog i katedrës i instrumentave me frymë, për specialitetin tromp që nga hapja ish-konservatorit shtetëror të Tiranës në vitin 1962. Si pedagog i vetëm themelues, i është dashur që krahas zhvillimit të punës pedagogjike me studentët, të merret dhe me veprimtari pedagogjike krijuese për të siguruar repertorin teknik dhe artistik për këta instrumente. Krahas kësaj ka përpunuar dhe përshtatur vepra të repertorit kombëtar për tromp. Ka qënë pjesëtar i komisioneve të katedrës dhe atyre shtetërorë ku ka dhënë një kontribut shkencor me diskutimet dhe problemet që ka trajtuar.

Një nga meritat e veçanta të Nishkut si pedagog është fakti se pedagogët që japin këtë specialitet në Akademinë e Arteve janë studentët e tij. Ja vlen të përmëndim fjala për ilustrim, se trompisti i parë i tij Isak Shehu, është zëvendësrektor i Akademisë së Arteve.

Breza të tërë artistësh nxënësish dhe studentësh nuk kanë për të harruar mësimëdhënien dhe kulturën e lartë artistike që kanë përfituar nga pedagogu i tyre. Kopi është udhëheqës i 28 temave në diplomat e studentëve të tij gjatë viteve që ai ka qënë pranë Akademisë së Arteve. Por edhe Akademia e Arteve ja ka „shpërblyer“ si jo më mirë Kopit… Pikërisht në këta auditorë rreth viteve 1966 kur ishte pedagog në Konservatorin Shtetëror njojti një vajzë të brishtë, me emrin Edit Mihali, studente në degën e kantos. Nga ditë në ditë u miqësuan, u afruan deri sa bashkuan dy zemrat për të mos u ndarë më kurrë. Gëzimi i parë i jetës bashkëshortore ishte lindja e tarshëgimtarit të tyre, Gertit. Por me një bashkëshorte të tillë si Edit Mihali, gëzimet dhe mbarësia e jetës nuk kanë të sosur…. Një karrierë e shkëlqyer si këngëtare lirike pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Interpretuese e shkëlqyer në shumë role madhore të kalendarit operistik botëror. Jo më kot dhe vlerësimi i saj ka qënë maksimal për këtë kontribut dhe sukses si artiste e merituar dhe mjeshtre e madhe. Editi sot e e kësaj dite është udhëheqëse muzikore e operas, pa lënë mbas dore bel kanton në momente të caktuara. Kur e pyet Editin se çfarë të bashkoj me Prokopin, ajo përgjigjet: „-Dashuria e ime konsiston në dy veti të larta të Kopit: Te shpirti i tij prej artisti dhe humori. Kushedi sa herë për shkak të përgatitjeve të tejzgjatura nuk kam mundur të jem prane detyrimeve familjare. Mirëpo asnjëherë të vetme nuk kam fiksuar që nga bashkëshorti im të ndjej inatin dhe kundërshtin. Kanë qënë këto shtysat dhe arsyet kryesore që unë kam qënë e sukssesshme në të gjitha koncertet ku kam interpretuar. Ja pse ndjehem krenar dhe i shpreh mirënjohje bashkëshortit tim…“. Kopi më jepte gëzimin me batutat e tija sa shpesh herë harroja shqetësimin dhe lodhjet.

Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe dhe të mos i marrësh për të vërteta këto pohime bashkëshortësh kur jo më pak mirënjohës është edhe Kopi për artisten.

Editi është mbi të gjitha një nënë e dashur… Se edhe unë nuk kam qënë aq i rregullt me oraret… Më se një herë edhe unë jam „harruar“ në shoqërinë e miqve të mi në një kafe apo në restorant… Por nga goja e saj nuk mbaj mënd të jetë bërë ndonjëherë „shamata“ për këto vonesa të tejzgjtura…

Vite më parë ka qënë një klub-bar për artistët pranë Teatrit Popullorë. Jo se nuk ka më klube në ambjentet e këtij institucioni por ja që tashmë është nji Klub-Bar tjetër që „strehon“ ata… Ajo ndodhet pranë shtëpisë së Kopit... Dhe jo se është më komodi dhe më i bukuri por sepse këtë lezet dhe prioritet ia jep shpirti i pastër dhe humori i Kopit. Ky lokal nga viti 1992, të ngjan me një nga sallat e Teatrit të Operas dhe Baleti, tek shikon që hyjnë aty Gaqo Cako, Albert Janku, Xhemali Musaj, Gazmor Halilaj, Faruk Koka, Ramazan Bogdani, Astriti Mezini, Leonard Janku etj…

Cilido që vjen pas përshëndetjes së zakonshme pyetja e parë që i bëjnë shoqi-shoqit është: -A ka ardhë Profesori? Hajde po deshe dhe mos i i vendos këtij shkrimi titullin: Prokop Nishku, lezeti dhe kripa e shoqërisë së artistëve…

 Dedin Suli - Gazeta 55
 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama