Gjirokaster shtepite 300-vjecare po kthehen ne rrenoja

Gjirokastër, shtëpitë 300-vjeçare po kthehen në rrënoja

Tashmë janë 13 shoqata joqeveritare që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qytetin e Gjirokastrës, si dhe 120 subjekte tregtare që i përkasin pjesës muzeale të qytetit, që i kanë dërguar një peticion kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Në këtë peticion, shoqatat dhe tregtarët e qytetit i kërkojnë kryeministrit që të tregohet më i vëmendshëm e më i përgjegjshëm, pasi deri tani vlerësimi i tij dhe i kabinetit që ai drejton për qytetin muze, i cili është dhe pjesë e trashëgimisë botërore nën mbrojtjen e UNESKO-s, ka munguar plotësisht. Në peticion thuhet se një nga vendet më me rëndësi historike e kulturore, Qafa e Pazarit, po shkatërrohet dhe shtëpitë e objektet karakteristike 300-vjeçare, të cilat përbëjnë edhe krenarinë e këtij qyteti, po kthehen në rrënoja. Tashmë janë pikërisht rrënojat që do t’i befasojnë turistët e huaj dhe jo vlerat e dikurshme që po humbin dita-ditës. Madje, shqetësimi i banorëve shprehet edhe në një drejtim tjetër. Aktualisht, më shumë se për të shpëtuar vlerat muzeale të banesave qytetare, bëhet fjalë për të shpëtuar jetën e njerëzve.

Mjaft shtëpi në Gjirokastër, të shpallura monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë, përbëjnë një rrezik të madh për njerëzit, pasi muret e tyre po rrëzohen përditë. Ka pasur mjaft raste kur gurët dhe muret e shtëpive të vjetra, për të cilat nuk kujdeset askush, bien mbi kalimtarët apo familjet që banojnë brenda këtyre shtëpive. Madje edhe kur janë aksidentuar e kanë humbur jetën nën gërmadha njerëz të ndryshëm, shteti përsëri nuk ka treguar asnjë shenjë përkujdesjeje. Krahas akordimit të menjëhershëm të fondeve dhe rregullimit të ligjshmërisë për objektet muzeale, hartuesit e peticionit i kanë përsëritur kryeministrit të vendit edhe një kërkesë të njohur, por që nuk ka marrë ende zgjidhje. Ata i kanë kërkuar kreut të qeverisë që të anulojë vendimin e ndërtimit të fakultetit në lagjen “18 Shtatori”, ku janë thuajse të gjitha institucionet publike të qytetit. Ndërtimi i këtij fakulteti tek ish-godina e ushtarakëve është një nga ndërmarrjet më të gabuara dhe pa logjikë funksionale dhe arkitekturore, ndërsa ekzistojnë të gjitha mundësitë për zhvendosjen e këtij ndërtimi në Pazar.

Sipas hartuesve të peticionit, është absurde që shuma marramendëse parash të investohen në godinën e shtëpisë së ushtarakëve, kur ky fakultet mund të ndërtohet me më pak para në zonën e sipërpërmendur. Nëse kjo gjë, që është tërësisht e realizueshme, nuk ndodh, atëherë 120 tregtarët që mbijetojnë në kushte të vështira në zonën muzeale do ta braktisin atë dhe pastaj Gjirokastra, me gjithë emrin e shënuar në pasuritë e përbotshme si e mbrojtur nga UNESKO, do të jetë thjesht një ish-qytet muze.

Lulëzim Çajupi - Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama