Poezite e para te Driteroit i redaktova ne kanal

Poezitë e para të Dritëroit i redaktova në kanal

Jonuz Karaulli, në prag të tetëdhjetave, e fsheh moshën e vërtetë me shume dinjitet. Paksa rrondokop, por me fizik të lidhur, i rrjedhshëm në të folur dhe me një kujtesë perfekte, plotëson në detaj portretin e një burri simpatik. I tillë është dhe për jetën e deritanishme, së bashku me ngjarjet e këndshme që e kanë shoqëruar. Këtë pasuri ia jep dhe të qenit gjirokastrit me një bashkëshorte shkodrane. Në fushën e letrave, Jonuz Karaulli ka firmën e tij në shumë libra dhe revista për fëmijë. Mik dhe bashkëpunëtor me dy emrat e mëdhenj të këtij lëmi, Odise Grillon dhe Dionis Bubanin, Karaulli iu përkushtua kësaj gjinie ndër vite, duke qenë anëtar kolegjiumi i revistës "Bota e fëmijës" dhe "Yllkat". Por në jetën e tij ka disa momente që mbetën të pashlyeshme. Një prej to është njohja me Dritëro Agollin, kur ai ishte nxënës në gjimnazin "Asim Zeneli" në Gjirokastër, si dhe kthimi mbrapsht që i ka bërë një krijimi të Ismail Kadaresë, duke e cilësuar atë si të dobët, ndodhur në vitin 1972.


Dritëroi

Januz Karaulli thotë se me krijimet e Dritëroit u njoh në thellësinë e nja kanali vaditës. Duket paksa e çuditshme, por si të gjitha aspektet e pazakonta të jetës, çudia në të tilla raste është e pashmangshme. Karaulli tregon se ishte viti 1949, kur si arsimtar i ri ishte ngarkuar nga seksioni i arsimit në rreth dhe organizata e rinisë që të drejtonte një kompani gjimnazistësh në aksionin për hapjen e një kanali të madh vaditës në Guranxi të Dropullit. Ishte sezon veror dhe aksione të tilla në atë kohë, lokale apo nacionale, ishin të zakonshme. Dritëroin e njihte vetëm si nxënës të gjimnazit dhe nuk kishte asnjë dijeni për zellin e tij letrar. Një ditë, rrëfen Karaulli, po ndiqja punimet (ndërkohë që punoja dhe vetë për normën), si komandant i kompanisë së tretë dhe nga thellësia e kanalit nxënësi Dritëro më fton të zbres poshtë dhe më nxjerr nga xhepi i pasmë i pantallonave një fletore shkolle të palosur, plot poezi. Më tha t‘i lexoja, pasi dikush i kishte treguar për mua që kisha dhe unë prirje për letërsi. Ia lexova dhe më pëlqyen, sidomos tabani kombëtar i shprehur në to. Për momentin mendova thjesht që ai djalë kishte një talent të madh letrar. Më pas u binda për këtë, pasi Dritëroi m‘i besonte gjithnjë mua krijimet e tij. Të tillë talente ka nxjerrë shumë gjimnazi "Asim Zeneli" në Gjirokastër, ku jepnin mësim profesorë me emër si Thoma Papapano, Sokrat Kutra, Tare Kalo, Myzafer Xhaxhiu, Siri Shapllo, Zija Shapllo etj. Më pas, Dritëroi u largua me studime për në Bashkimin Sovjetik dhe për dhjetë vjet kontaktet tona u ndërprenë. Pas kthimit në atdhe unë u ritakova me Dritëroin, i cili më nxiste që të shkruaja në gazetën "Zëri i Popullit", ku ishte emëruar. Ishin momente të bukura kur kujtonim atë çast të njohjes së parë në kanal, ku u bë shkak poezia e tij.

Ismaili

Por ndryshe ka qenë eksperienca e Jonuzi Karaullit me tjetrën "Penë" të madhe të letrave shqipe. Me Kadarenë, edhe pse që të dy gjirokastritë, nuk i ka pasur raportet aq vaj. Kujton se është detyruar t‘i kthejë një krijim Ismailit, për shkak të dobësive të shfaqura. Ishte viti 1972. Ishin shumë shkrimtarë të njohur që sillnin krijime edhe për organet e fëmijëve. Disa prej tyre dukshëm dalloheshin se kishin më tepër interes të merrnin ndonjë honorar. Druhem ta them se në rastin konkret dhe krijimi që kishte sjellë Ismaili për revistën "Bota e fëmijës" ishte i kësaj kategorie. Ajo ishte një pjesë për fëmijë me një akt, por që mua m‘u duk shumë e dobët. Si anëtar kolegjiumi u shpreha për refuzimin e pjesës dhe ripunimin e saj. Kështu vendosën dhe kolegët e mi atë mbrëmje, gjë që sigurisht e zemëroi Ismailin. Ai po më priste te porta e Lidhjes së Shkrimtarëve për të marrë një shpjegim, duke më kujtuar njëherësh që ishim dhe patriotë. Por unë i thashë se kthimin e pjesës e bëra për të ruajtur dinjitetin e tij si shkrimtar cilësor. I thashë që nuk ishte e denjë që ai, i cili kishte krijuar menjëherë profilin e një mjeshtri në fushën e letrave, të përfaqësohej me krijime të dobëta. Dhe besoj më kuptoi.

Këto janë kujtimet e Jonuz Karaullit për dy emrat më të mëdhenj të letërsisë shqipe të pasluftës. Nga natyra dhe gazmendi që ka, vështirë se do kishte kujtime për ngjarje të trishta apo të atilla që e lidhin padukshëm me ndenja xhelozie dhe egoje. Është paqja vetë, e përçuar ndoshta nga krijimtaria e lidhur tërësisht me botën fëminore.


Nga qindra poezi të Dritëro Agollit u përzgjodh poezia "Berberi", për t‘i shërbyer si ilustracion artistik këtij shkrimi, ku flitet për një aspekt të krijimtarisë së poetit e shkrimtarit të njohur.

"Berberi" është ndër ato poezi lapidare kushtuar kësaj figure të pashmangshme në jetën e çdo njeriu.

 

Berberi


Shumë njerëz ka qethur berberi në jetën e gjatë

Atje në floktoren e kthesës së rrugës "Naimi",

Shumë vdiqën fatmirë a të ngratë,

Shumë u vranë, u burgosën dhe jetën u mori mërgimi.


Qethi djaj e fisnikë e kusarë dhe mjaft deputetë,

Dijetarë e memurë, kapterë e plot gjeneralë,

Presidentë të shkuar e të ardhshëm, dramaturgë e poetë,

Kardiologë e xherahë e dentistë që shkulin dhëmbë e dhëmballë.


Ah, nga gjithë mullarët me koka, ç`na mbetën!

Po të bënte berberi një album me kokët e qethura,

Sigurisht do t‘i hapej një nam i madh gjithë jetën

Si poetit të shquar në librin me vjersha të zgjedhura:


"Ja, ky flok i takonte filan presidenti,

Filan presidenti që vdiq, a mbaroi i burgosur.

Këto balluke i mbante kusari më i madh i qytetit,

Ndërsa ato më tutje i kishte një pusht i brengosur"

Kështu do lexonim të zgjedhurat flokë si libër

Nga vetitë e prodhimit të leshit në kokat shqiptare.

Lëre, lëre! Berberi vërtet do bënte një Bibël,

Po të kishte në kokën e tij dy-tri pare!

Kur punonte te "Zëri i Popullit", Dritëro Agolli do shkruante dhe për ish-redaktorin e parë të krijimeve të tij, e po ashtu do kërkonte nga Jonuz Karaulli që të ishte aktiv me shkrime në faqet e gazetës. Kujtojmë që, në atë kohë, të të dilte emri te "Zëri i Popullit", ishte njësoj sikur sot të ishe i preferuar si emër në faqet e "Uashington Post"!

Vargje që këndonin të rinjtë aksionistë të gjimnazit "Asim Zeneli", mes të cilëve ishte dhe Dritëro Agolli

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama