Të jetë mësuese nuk është edhe aq "keq", ndonëse dikur ka ëndërruar skenat operistike. Teksa i sheh nxënësit të rriten nga viti në vit, kur ata marrin atë çka ajo u jep, ndihet e realizuar. Ja që dëshira për të shpërthyer, ndonjëherë është shumë e madhe. Skenës nuk mund t'i vidhesh. Erina Balla vjen me dy trofe nga Festivali Ndërkombëtar i Muzikantëve të rinj që u zhvillua në Prishtinë më 26-30 maj. Merrnin pjesë rreth 200 instrumenistë e këngëtarë nga vendet e rajonit si Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, etj. Në kategorinë e kantos, apo siç quhet në Kosovë solo këndim nga Shqipëria mori pjesë sopranoja Erina Balla dhe dy nxënës të Liceut Artistik "Jordan Misja". Pas katër ditësh konkurrimi, Balla u kthye me çmimin e parë në kategorinë IV (konkurrimi fillonte që nga mosha 5 vjeç) dhe me çmimin e dytë të madh të të gjithë aktivitetit, Çmimin e kompozitorit "Akil Koçi".
Për Erinën marrja e atij çmimi, ishte vërtet një befasi. "Niveli i konkurrimit ishte vërtetë i lartë gjë që nuk e kisha menduar para se të nisesha drejt Kosovës. Mjaft të përmed konkurrenten maqedonase, apo nxënësit maqedonas, që do t'i vlerësoja si zëra të rrallë", - thotë sopranoja. Duket se repertori i zgjedhur preku emocionalisht anëtarët e jurisë ndërkombëtare. Krahas aries antike "Amarili", e detyruar për të gjithë konkurrentët, Erina interpretoi arien prekëse të Amelias nga opera "Ballo me maska", "N'at zaman t'asaj furije" si dhe arien e "Lauretës" të kompozitorit francez Ricarde Lion. Nga 100 pikët e mundshme, sopranoja shqiptare arriti të marrë 95, duke merituar edhe vendin e parë. Ndonëse ndihet e kënaqur nga puna si mësuese e kantos në Liceun "Jordan Misja", pas këtyre çmimeve sopranoja ndihet edhe më mirë me veten. Pas përfundimit të Akademisë së Arteve, nuk tentoi të çante në Teatrin e Operës dhe Baletit. I dukej aq e papërshkueshme ajo botë atje... Iu dedikua mësimdhënies. Jep lëndën e kantos në të katërta vitet e Liceut. "Puna me nxënësit të jep kënaqësi të veçantë. Në mënyrë të çuditshme ata bëhen pjesë e jotja. Ti u jep gjithë ç'ke dhe kënaqesh kur i sheh që ata rriten", - thotë Erina pa mohuar rastet e "zhgënjimit" kur nxënësit nuk japin atë që kanë marrë. "Gjuha e kantos është shumë abstrakte. Duhet të kesh fantazi, që nxënësve t'iu shpjegosh gjithçka.
Nëse nuk të kuptojnë, atëherë duhet t'ua demonstrosh ushtrimin në një tjetër formë. Në këtë mënyrë jam gjithnjë në kërkim të mënyrave të reja të të shprehurit. Kjo më mban në formë". Mundohet të jetë e durueshme. Nga koha kur ishte vetë nxënëse në të njëjtin lice mban mend atë që i kanë përcjellë mësuesit e saj, të njëjtën gjë bën dhe ajo me nxënësit e sotëm. Por sot kohërat janë pak më të vështira për artistët e rinj. Erina mendon se është pseudomuzika që ka pushtuar tregun muzkor, ajo që dëmton shumë. "U mësohet veshi me një jomuzikë, me diçka që nuk ka lidhje me atë që ne japim në shkollë", - thotë ajo. Por pavarësisht të gjithave të talentuarit e gjejnë gjithmonë rrugën. Erina thotë se në Lice ka plot zëra të bukur, madje edhe zëra mashkullorë, për të cilët opera shqiptare është në krizë. Madje, momentalisht në grupin e saj ka më shumë djem se vajza. Është ende herët që nxënësit e saj të afirmohen në fushën operistike dhe ajo të mund të krenohet me atë që nxjerr nga duart, por është e kënaqur që disa studiojnë sot në akademitë e huaja dhe pas konkurrimit kanë arritur të kalojnë në vite akademike superiore. Kjo është edhe meritë e saj.
Alma Mile - Gazeta Shekulli











