Ne shitje parku i madh Coney Island . Do te jete Las Vegasi i ri

Në shitje, parku i madh  Coney Island . Do të jetë Las Vegasi i ri

Rrotullamja e madhe "Breakdance" ka dalë në shitje për 225 mijë dollarë, shtëpia magjepsëse "Inferno di Dante" për 300 mijë dollarë, ndërsa kulla legjendare "Astrotower", nga ku shijohet panorama befasuese e Bruklin, Manhatan-it dhe Oqeanit Atlantik, duhet të jetë shitur për një shifër me shtatë zero. "Coney Island", parku më i madh i lodrave të Amerikës dhe "paraprijësi" i "Disneyland", do të dalë në ankand.

Dje familja Albert, e cila ka qenë për 40 vjet pronarja e asaj toke në atë pjesë ekstreme të Bruklin-it, ka bërë të ditur shitjen e të gjitha lodrave të saj, rrotullave panoramike, tunelin e dashurisë dhe malet ruse. Mbyllja definitive e parkut mitik "Lunapark" do bëhet më 3 shtator të këtij viti, për t‘i lënë vend restaurimit, vendosur nga Thor Equities e Joseph Sitt. Sipërmarrësi i ri, i cili ka marrë në mbikëqyrje hapësirën e madhe të parkut, ka premtuar se do ta transformojë në një "Las Vegas të ri" brenda vitit 2011.

Sitt ka për qëllim të investojë 2 miliardë dollarë për të rikthyer "Coney Island", ku një herë e një kohë ka qenë vendi i festimeve dhe pushimit për njujorkezët e bardhë dhe të pasur, por që u prish më pas nga "Grande Depressione" ("Depresioni i madh") dhe zjarri shkatërrues i vitit 1912. Sot vendi është një geto për të varfrit afro-amerikanë dhe emigrantët e rinj rusë e polakë, të cilët bëjnë piknikë sepse nuk u lejohet të shkojnë në plazhe dhe vende më të mira.

"Projekti im do të jetë parajsa e pushimeve edhe më vezulluese, mrekulluese dhe të jashtëzakonshme të Las Vegasit dhe Atlantic City së bashku", premton Sitt, i cili është me origjinë nga ajo zonë dhe thotë se është i motivuar nga "idealet e dëlira nostalgjike". Projekti i tij do të përfshijë edhe salla kinematografike të shumëfishta, park gjigand të mbuluar e të mbushur me ujë, struktura krijuese me hotele luksoze, kafene dhe restorante, dyqane dhe një hotel me 500 dhoma.

"Në katin kryesor do të instaloj një rrotullame të madhe me shumë ngjyra të Timothy Leary", nënvizon sipërmarrësi. Dhe për të tërhequr turistët e të gjithë botës, ka ndërmend të krijojë disa anije lundruese me vela, që do të lundrojnë çdo 10 minuta duke rrëshqitur me ngadalë nga çatia e hotelit e duke valëzuar flamuj me shumë ngjyra, ku do lexohet: "The boardwalk at Coney Island".

Ideja, shpjegon Sitt, i ka ardhur pikërisht duke bërë vrap gjatë "boardwalk". "Projekti do të përfshijë të gjithë vendin dhe do ta vendosë ‘Coney Island‘ sërish në hartën planetare, nga ku u fshi prej ‘Disneyland‘". Por metamorfoza e asaj që nga lufta civile në konfliktin e dytë botëror ishte parku më i madh i lojërave amerikane, është parë me shumë mosbesim nga shumë njujorkezë. Mes tyre, një nga regjisorët më të famshëm, Woody Allen, pikërisht në "Coney Island" ka kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë së tij. Vetë Allen e kishte cilësuar si "ëndrrën më të madhe amerikane (dreamland), iluzionin e një bote të mrekullueshme, në të cilën të gjithë do të ishin të lumtur". Dhe jo rastësisht "Coney Island" ka qenë edhe portreti i dy filmave të tij më të njohur: "I and Annie" dhe "Radio Days". Por "Coney Island" ka qenë mjedisi i zgjedhur edhe për filma të tjerë hollivudianë, nga "He Got Game" të regjisorit Spike Lee, te "Fighters of nihgt" e Walter Hill, "Brighton Beach Memoirs" të Neil Simon, "A.I." i Steven Spielberg.

Por ëndrra e "Coney Island" ka influencuar edhe në muzikë, letërsi dhe televizion, nga Isaac Bashevis Singer te Lou Reed, nga i madhi Grande Gatsby te Simpsons, nga Woody Guthrie tek Aerosmith.

Të premten e shkuar, një shtëpi kozmetike në Manhatan ka prezantuar pikërisht një parfum me emrin e parkut "Coney Island", i cili kushton 178 dollarë. Shishja është krijuar për të "veshur" esencat e aromave të vendit: një përziere kremrash diellorë, sheqer i djegur, salca dhe "hot dog". Po, sepse mes shumë parësive të saj, "Coney Island" ka edhe atë vendlindje të salcës më me nam, "Nathan‘s", 1916, që ka revolucionuar shijet e gjysmës së botës. Kjo prejardhje ilustruese tashmë rrezikon të zhduket. "Kemi frikë se Sitt dëshiron ta transformojë "Coney Island" në një zonë ku do të mbizotërojë luksi i shfrenuar dhe do të bëjë që parku i ri të mbyllë ‘dyert‘", thonë banorët e zonës, të cilët janë bashkuar për të ndaluar projektin nga i cili ndihen të rrezikuar. Vetë fjala e fundit i takon tashmë kryetarit të bashkisë, Bloomberg, i cili në vitin 2003 ishte i pari që shprehu idenë që Olimpiadat e vitit 2012 të bëheshin në "Coney Island". Qytetari i parë i "mollës së sherrit" ka përsëritur shumë herë se është "kundër transformimit të tij në një kompleks gjigant pa shpirt. Është e rëndësishme ta mbajmë dhe ta ruajmë trashëgiminë tonë", ka thënë ai.


Parku historik "Lunapark" i "Coney Island", hapur prej më shumë se 40 vjetësh, do të mbyllet përfundimisht më 3 shtator të këtij viti. Sipërmarrësi Joseph Sitt është shprehur se do ta transformojë totalisht në një "Las Vegas të ri"


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama