I themeluar para tre vjetësh, ai është shndërruar për një kohë të shkurtër në një institucion të vërtetë poetik ndërkombëtar, ku projektet shtegtojnë nga bota në Shqipëri, duke siguruar njohjen e hapësirave poetike bashkëkohore dhe duke e pasuruar jetën shqiptare me një veprimtari të çmuar, e cila padyshim ndikon në cilësinë e konsumimit të kulturës në përgjithësi në vendin tonë.
Drejtori i festivalit, Arian Leka, poet, përfaqësues i një brezi shkrimtarësh që ka hyrë në letërsi me një zë që kumbon i sigurt, origjinal dhe i pasur, në fjalën përuruese përmendi metaforën realitet poetik. Dhe vërtet atë javë Durrësi u bë pjesë e një realiteti të madh poetik. Viktor Hygo thoshte se një poet është një botë e mbyllur te një njeri i vetëm. Poeti fillimisht ka qenë aed (aoidos gr.), këngëtar epik që recitonte vargje e shpesh i shoqëronte ato me një vegël muzikore. Homeri, poeti i parë i dashurisë njerëzore, autor i poemave të mëdha "Iliada" dhe "Odisea", ka qenë më i madhi dhe i fundmi i aedëve, thuhet, por një formë e poezisë së lashtë, rapsodia ka vazhduar të mbijetojë edhe në mesjetë e më vonë në hapësirat ballkanike në Bosnjë e Hercegovinë e në bjeshkët shqiptare.
Një veprimtari poetike e madhe në një vend të vogël
Në mbrëmjen e përurimit të festivalit binte një muzg i ngadaltë e i ngrohtë, si të derdheshin me ëmbëlsi jone sonetesh nga lart. Yje s‘kishte, por ajri ngjyrë jargavani i mbështillte të gjithë me ngjyrat e poezisë. Pishtarët që ishin ndezur përqark Rotundas, forumit mesjetar të Durrësit, të lidhnin me dikurin, duke dëshmuar virtualisht se ka një vijimësi kulturore, se njerëzit kanë prodhuar e konsumuar kulturë në të gjitha kohërat. Banderolat me emrin "Poeteka" në ngjyrë të bardhë e blu, dy ngjyra që përftojnë ngjyrime poetike, bluja si një nga ngjyrat themelore të spektrit të dritës dhe e bardha me nuancat e saj të shumta që e pasqyron dritën, të vendosura në vende të dukshme, krijonin një atmosferë festive. Në mes të forumit ishte vendosur një tryezë e madhe me revistën që mban emrin simbol "Poeteka", ku përfaqësohen thuajse të gjithë poetët, si dhe libra të ndryshëm poetikë. Librat i jepnin një kuptimshmëri të thellë mbrëmjes. Dhe në atë atmosferë poezia nuk kishte si të mos shenjtërohej. Poetët, të cilët kishin ardhur nga vende të largëta të globit si Hart Wegner (SHBA), Fiona Sampson (Angli), Ilia Kukulin e Maria Maiofis (Rusi); nga treva të ndryshme të Evropës si Eduardo Moga (Spanjë), Marion Poshman (Gjermani), Haydar Ergylen (Turqi), Hans Raimund (Austri), Gabriella Eftimie (Rumani), Drazan Katurnaric (Kroaci) ; nga vende të afërta si Jevrem Brkovic (Mali i Zi), Milovan Stefanovski (Maqedoni); Athina Papadakis (Greqi), Monica Maggi e Alessandra Corsini (Itali), Ismet Markoviq, Mustafa Balje e Sadik Idrizi (Bosnjë), apo si dhe poetë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia, bisedonin me nga një gotë verë në dorë dhe i uronin njëri-tjetrit mirëseardhjen. Një orkestër e vogël violinash luante pjesë të zgjedhura nga kompozitorë vendas e të huaj. Kjo mënyrë e bukur dhe e natyrshme përurimi, larg zyrtarizmave e politizimeve, tregoi se një frymë e re marrëdhëniesh e qëndrimesh ka nxjerrë filiza të shëndetshëm te ne.
Shqipëria ato ditë në Durrës foli në të gjitha gjuhët. Dhe të gjitha gjuhët flisnin shqip. Ishte një gjë vërtet magjike. Kur punon bashkë për një qëllim të lartë siç është njohja dhe përhapja e poezisë, patjetër do të ndërtosh diçka të mirë. Poetët e huaj që kishin ardhur të ftuar, u përballën me një realitet që ua bëri qëndrimin të këndshëm dhe shumë përfitues. Në mënyrën më demokratike atyre iu dha fjala poetike në gjuhën e vet, pasi ishte bërë një prezantim i poezive të tyre në gjuhën shqipe, nëpërmjet numrit special të revistës "Poeteka", e cila poetët shqiptarë i prezantonte të përkthyer në një nga gjuhët e huaja të njohura. Madje, pati edhe raste kur ishin botuar libra të plotë të përkthyer në shqip si bie fjala "Largësia mes nesh" i poetes britanike, Fiona Sampson, botuar nga "Ideart", apo i poetit kroat, Drazan Katurnariç, që përfaqësohet në një antologji të poetëve të Evropës Juglindore, botuar nga "Globus R". Ky lexim pati edhe një ndikim të mahnitshëm te dëgjuesi. Aty kuptoje sa bukur tingëllon poezia në çdo gjuhë, qoftë në anglisht apo greqisht, qoftë në rusisht apo spanjisht, qoftë në gjermanisht, turqisht etj., apo edhe në të bukurën gjuhë shqipe.
Të drejtuara nga moderatorë, disa prej të cilëve dukej se kishin të zhvilluar një gojëtari poetike, seancat ngjanin me pjesë të një kolokuiumi madhështor ku dëgjohej fjala poetike ose mendimi që zgjon poezinë. Nga seanca në seancë mbretëronte njëlloj disipline poetike që në vargjet dhe fjalën e poetëve Agron Tufa, Lindita Arapi, Ervin Hatibi, Olimbi Velaj, Gentian Çoçoli, Ledia Dushi, Parid Teferiçi, Flurans Ilia e të ndonjë tjetri, mund të krahasohet me vullnetin e grupit surrealist të Andre Bretonit.
Sot nuk janë më muzat ato që frymëzojnë poetin, i cili komunikonte me zotat, siç pandehej në lashtësi, por makro dhe mikrouniversi, ky realitet i madh e i thellë që kërkon të zbulohet e të identifikohet me mjete poetike. Kjo u përvijua edhe në poezitë që recitoheshin edhe në refleksionet rreth poezisë. Në poezitë më të mira dallohej sesi peshohet çdo fjalë, çdo ritëm dhe çdo rimë, sepse ndihej si transmetohej menjëherë te dëgjuesi ëndrra apo revolta, trishtimi, gazmendi apo arratisja e kohës, me një fjalë gjendja shpirtërore e njeriut modern me ngjitjet dhe rëniet, me sukseset dhe dështimet, me dashuritë dhe vdekjet. Epoka e re e mondializimit, u tha, nuk është tjetërsim i kulturave, por forcim i individualiteteve. Universaliteti nuk e përjashton identitetin kombëtar dhe as atë poetik. Kjo është arsyeja që kudo në botë poetët përshëndeten si pararoja e mendimit të ardhshëm, si shërues të shpirtrave në planin njerëzor dhe si mjeshtër të gjuhës në planin shkrimor.
Përpjekja e organizatorëve për të nxjerrë në pah vlera poetike, të konkretizuara brenda ditëve të festivalit, është një përvojë nga e cila duhet të mësojmë të gjithë. Shoqëria jonë vuan shumë herë nga njëlloj pritmërie dhe ngathtësie (avashllëk siç përdoret rëndom fjala me prapashtesë turke), të cilat na kanë lënë prapa botës së qytetëruar në shumë fusha. Në ditët e festivalit funksionoi një përdorim i shkëlqyer i kohës në përfitim të pjesëmarrësve dhe admiruesve të poezisë. Aty u bë njohje e poezive të një poeti të veçantë shqiptar apo të huaj nëpër recitale, por edhe shqyrtim i frymës poetike të një grupi poetësh nëpërmjet orëve poetike, siç ishin ai për motivin "Kosova, atdheu shpirtëror", vështruar në poezinë e poetëve Ali Podrimja, Eqrem Basha e Basri Çapriqi me lektor kritikun Ali Aliu, në të cilin interpretoi disa poezi edhe aktori ynë i mirënjohur, Mirush Kabashi, për "Urat prej shkronjash", me poetët boshnjakë, Sadik Idrizi, Ismet Markoviq e Mustafa Balje, për "Homo Ballkanicus" me disa poetë të trevave ballkanike, për "Heshtja në vjershë", me poetë shqiptarë që jetojnë në Maqedoni, si Nehas Sopaj e Resul Shabani, "Murkaluesi", që iu kushtua takimit përkthyes shqiptar-autor i huaj, të pranishëm në "Poetekë", e takime e diskutime të tjera si poeti dhe qyteti në epokën e demokracisë dhe globalizmit; tema, poezia feministe dhe feminiteti i poetëve në krijimtari, ishulli, shtëpia dhe ngjyrimet e saj të shumta në kontekstin e sotëm shkrimor ku poetët shqiptarë dhe të huaj folën së bashku. Përkthimi i njëkohshëm që bëhej nga Julian Qineti dhe Eno Jegeni, dy djem të talentuar që bënin interpretime nga gjuha e huaj në shqip dhe nga shqipja në gjuhë të huaj qe i jashtëzakonshëm dhe ndihmoi shumë që projekti poetik të arrinte nivele shumë të larta. Mjaft me interes qenë edhe dy veprimtaritë me një titull të përbashkët "Përshpirtje", njëra kushtuar shkrimtarit Mitrush Kuteli, shoqëruar me një shpjegim nga Behar Gjoka dhe recitim i vjershës "Poema kosovare" nga aktori Mirush Kabashi dhe tjetra kushtuar poetit Paul Celan, shoqëruar me ligjëratë nga Hart Wegner (SHBA) si dhe me videopoemën "Fuga e vdekjes", recituar nga Arben Dërhemi. Disa recitale u shoqëruan me muzikë, duke vërtetuar afrinë e këtyre dy arteve në çdo kohë.
Shtegtimet poetike që u zhvilluan në Shkodër, në kështjellën e Rozafës, apo në Berat në Kala, nuk i penguan asfare veprimtaritë poetike në Durrës, në hollin e Pallatit të Kulturës, në Isamnus, në galerinë "Jozef", apo në një nga shkollat e mesme. Çdo gjë ishte studiuar në mënyrë të atillë që veprimtaritë të ishin të ndryshme dhe përfaqësuese. Ato nuk e përsëritën asnjëherë njëra-tjetrën dhe kalimi nga një veprimtari në tjetrën ishte nga gjërat më të bukura të festivalit. Sepse ndryshonte vendi, ndryshonte subjekti, ndryshonin moderatorët dhe kumtuesit. Edhe ndarja e çmimeve u bë në një sallë të hotelit "Adriatik" në plazh. Pra u ruajt deri në fund ideja që veprimtaritë të ishin në vetvete risi në të gjitha pikëpamjet. Është i kuptueshëm në këtë rast migrimi i poezisë më të mirë dhe i çdo gjëje të mirë shqiptare në botë përmes poetëve pjesëmarrës. Në të gjitha veprimtaritë morën pjesë mosha të ndryshme, duke filluar nga poeti malazez, Jevrem Brkovic, që ishte shtatëdhjetepesë vjeç, luftëtar i të drejtave të njeriut, një mik i çështjes së Kosovës; Hart Wegner (SHBA), e me radhë Xhevahir Spahiu, Primo Shllaku, Erion Kristo, Romeo Çollaku, Ermir Nika, Anisa Veliaj, një gjimnaziste durrsake etj. e deri te bukuroshja Bubulina Tufa, ferishte që erdhi dhe ndoqi një seancë kur fliste i ati, poeti Agron Tufa, dhe duke mbajtur një qëndrim çuditërisht serioz, dëshmoi poeteshën që ekziston në potencë, por që s‘është çudi edhe njërën nga poeteshat e ardhme.
Në recitalet apo orët poetike, referencat e brendshme të poetëve kishin një simetri që do të ruajë një shkëlqim të përhershëm. Si një frymëmarrje e plotë dhe e lirshme ndaj asaj që quhet tjetër e që është laryshi, ngjyrë e domosdoshme, ditët e festivalit u bënë pjesë e një stacioni ku poezia është në lulëzim. Bota aty dukej si një univers i afërt, i prekshëm, ngaqë flitej me gjuhën më të bukur në botë, me gjuhën e poezisë. I takon administratës shtetërore, asaj që merret me kulturën që ta ruajë e ta mbajë gjallë këtë frymë, madje edhe duke marrë modele të gatshme nga vendet perëndimore, të cilat në këtë rast janë dobiprurëse. Ato e afrojnë poezinë te njerëzit edhe me mënyra jo të drejtpërdrejta si bie fjala nëpër stacione treni, metroje apo autobusi njeriu gjen të shkruara bukur në vende të dukshme vargje të zgjedhura poetike në vend të disa reklamave që vihen vend e pa vend. Nga qeveria jepen edhe fonde të veçanta për botimet poetike që kanë një shitje të ngadaltë. Ajo ndihmon në organizimin e konkurseve poetike jo vetëm nga shkollat e larta e të mesme, por edhe nga ndërmarrje të ndryshme etj.
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë është ngjarje kulturore, por edhe historike, sepse në Shqipërinë e vogël ka filluar të bëhet një kuvendim i madh. Një harmoni komunikimi e tillë vështirë se mund të përfytyrohet në mjedise të tjera. Kjo u duk qartë në leximet poetike ku të gjithë poetëve pjesëmarrës sipas një programi të mirorganizuar, iu krijua mundësia të shprehnin veten ose kredon e tyre poetike, duke i dhënë festivalit frymën e vërtetë identitare, por edhe në diskutimet teorike për tema të ndryshme, që janë shndërruar në metafora, duke filluar nga përfytyrimi i universit dhe botës ku jetojmë si shtëpi e deri te shtëpitë poetike që i gjen kudo në botën e zhvilluar. Edhe "Poeteka" jonë i ngjan një shtëpie të përbashkët që prodhon poezi pa kufi, poezi që ngjason me një lule hyjnore, sepse ajo përherë është në lulëzim, ajo çel çdo maj bashkë me pranverën.
Marre nga : Gazeta Shqip











