Persekutimi i dyte i Edi Hiles

Persekutimi i dytë i Edi Hilës

Mjaft më me mbivendosjen e zyrtarëve mbi artistët e vërtetë

Na vjen shpesh të pickojmë veten që të sigurohemi se jemi në këtë realitet, se jemi në vitin 2007 dhe jo 1977 ose 1987, kur shikojmë se si një zyrtar i vogël mund të ngrihet mbi një artist të madh, kur vërejmë se pas një lufte të gjatë, zyrtari i vogël megjithatë fiton, triumfon, bën atë që do, kurse artisti, që e quaj pa asnjë ngurrim të madh: Edi Hila, detyrohet të mungojë, të zhbëhet në më të madhin eveniment të artit pamor në Europë, Bienalen e Venecies.

Rrjedhën e ngjarjeve lexuesi mund ta ndjekë fare mirë nga letra e hapur që një grup artistësh e intelektualësh të njohur shqiptarë i dërgojnë ministrit të Kulturës Ylli Pango. Atë publiku e ka lexuar edhe më parë në artikuj të Adrian Pacit e intervista të Edi Hilës, po në “Shekulli”. Thelbi i anabasit të përfaqësimit shqiptar në Bienalen e Venecies 2007 mund të përmblidhet me këto fjalë: një formacion kozmopolit e i shumëçmuar në skenën ndërkombëtare, i përbërë nga kurator-artistë të një kalibri si Anri Sala, Adrian Paci, Sislej Xhafa, që kishte zgjedhur Edi Hilën për t’u prezantuar në Venecie, zëvendësohet me forcën shtetërore, për të mos thënë dhunën e shtetit shqiptar, të përfaqësuar nga Galeria e Arteve dhe MTKRS, nga të tjera formacione provinciale, të cilat nuk mjaftohen me bashkëngjitjen por kërkojnë edhe përjashtimin. E kështu arrijnë, megjithë ndërmjetësimin e një kuratoreje amerikane, ta ndalojnë Hilën që të shkojë, po të flasim me metaforë, në qytetin mëmë të artit të tij: nga Shkodra e vet e moçme në Venedik.

Kemi përpara një korrespondencë të artistit me kuratoren Bonnie Clearwater, specialiste shumë e njohur e arteve pamore, e cila ndërmjetësoi një kohë të gjatë mes artistëve shqiptarë që ajo pëlqeu dhe zgjodhi dhe zyrtarëve shqiptarë, mjerisht të përcaktuar jo nga forca e artit por nga forca e shtetit. Ja një e-mail i saj i datës 24 maj 2007, kur ditët deri në fillim të Bienales po mbaronin dhe katalogu i saj ndërkaq ishte shtypur:
“I dashur Edi: Kam frikë se do të tërhiqem si kuratore e pavionit shqiptar. Nuk kisha dëgjuar më prej tij, megjithëse shumë herë u përpoqa ta kontaktoj. Sot Rubensi vendosi se përfundimisht nuk dëshiron të të përfshijë ty në pavion. Kam punuar pa pushim që të të përfshinte, pasi kam besim të fortë në veprën tënde. Sadoqë zyrtarët e Bienales së Venecies nuk kanë asnjë kundërshtim për përfaqësimin tënd, ata më njoftuan se nuk kanë juridiksion mbi pavionet ndërkombëtare dhe se komisioneri i vendit përkatës (në këtë rast Rubensi) ka fjalën e fundit.

Por ende besoj në ndonjë mrekulli. Desha vetëm të të vë në dijeni për situatën, tani që mora përgjigjen e tij. Nuk dua që askush të mund të komprometojë gjykimin tim si kuratore, ndaj nuk më mbetet tjetër zgjidhje, veçse të tërhiqem në qoftë se ti nuk përfshihesh.

Eshtë vërtet frustruese që ky është rezultati i muajve të tërë pune. Isha shumë entuziazte për ty dhe për një numër artistësh që pashë në Tiranë dhe shpresova ta paraqisja punën tënde në një mënyrë kuptimplote në Venecie. Do të të mbaj në korrent për vendimin tim.”

Ndërsa dje ka ardhur letra përfundimtare. Muri i shtetit shqiptar mbeti i pakalueshëm: “I dashur Edi. Më në fund dëgjova sot në mëngjes nga Rubensi. Ai nuk e ndryshon mendjen lidhur me ty, kështu që zyrtarisht u tërhoqa si kuratore. Besoj sinqerisht se ky do të kishte qenë, me përfshirjen tënde, një nga pavionet më të forta. Shpresoj t’i bëj njerëzit të vetëdijshëm për artistët më të fortë në Shqipëri. U qëndroj 5 artistëve të tjerë që zgjodha, por pa ty, kjo nuk është ekspozita që kurova unë. Deri më sot nuk më ka ndërhyrë asnjeri në ekspozitat e mia. Të paktën ti e di se sa shumë e çmoj veprën tënde. Miqësisht e jotja, Bonnie.“

Përfytyroni të dashur lexues, në karrierën e saj të gjatë, kjo kuratore nuk ka patur deri më sot asnjë ndërhyrje në punën e saj përzgjedhëse. U desh eksperienca shqiptare që ta provonte këtë lloj dhune. U desh një spurdhjak që shpalli me të madhe nëpër intervista vizionin e tij për Galerinë kur u ndërrua pushteti te ne, që mbylli që në ditët e para të punës zyrën e Bienales së Tiranës, që hodhi pleh sa deshi mbi kontributin e artistëve e kuratorëve tanë me emër si Anri Sala, Edi Muka a Gëzim Qendro, që edhe Bonnie Clearwater ta kuptonte se Europa vërtet është një kontinent i lirë në punë të artit, por se ka një vend europian ku kjo liri shoqërohet me shumë ndalesa, Shqipëria, sepse fundja rregulli do përjashtimin që të qëndrojë.

Po të kisha vetë gjë në dorë, do të propozoja që në qendër të pavionit shqiptar të Venecies të vendosej së gjalli komisioneri i tij, Rubens Shima. Pasi të lyhej me varak dhe t’i viheshin disa pupla në kokë, do të bënte disa lëvizje të prera prej buratini autokrat, simbol i kalaqafjes së pandryshuar të shtetit mbi artin në Shqipëri. Nuk kam dyshim se ky sinqeritet do të vlerësohej nga juria e qytetit lagunor, ndoshta me një çmim inkurajues për vendin tonë.

Edi i shtrenjtë. Shpresoj që këtë episod të trishtuar ta harrosh sa më parë dhe që asgjë mos të të ndryshojë në ritmin e punës tënde të pandërprerë, nga Akademia në studio, nga studioja te vatra e thjeshtë familjare, mes fantazmave të së shkuarës sonë, ëndrrave të tua gjithë ngjyra dhe grisë së realitetit të përditshëm shqiptar, që ti di ta kapësh aq mirë në kanavacë. E që padyshim pas kësaj do të bëhet edhe më gri dhe më e pamëshirshme se çka qenë.

Letër e hapur ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

I nderuar zoti Ylli Pango,

po ju shkruajmë si një bashkësi artistësh, shkrimtarësh, njerëzish të kulturës, tepër të shqetësuar për një akt arbitrar që ka për autor drejtorinë e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe që kompromenton pjesëmarrjen e artit e artistëve shqiptarë në një nga evenimentet më të mëdha botërore të artit pamor, Biennalen e Venecies, duke ndaluar pjesëmarrjen në të të piktorit dhe profesorit të artit Edi Hila.

Kjo pjesëmarrje ka një histori të gjatë. Ajo fillon me sukseset e disa artistëve shqiptarë (Anri Sala, artisti i ri më i mirë në Bienalen e vitit 2003, Adrian Paci pretendent për veprën më të mirë në Bienalen e shkuar, 2005) dhe po përfundon me sa duket me një ndërhyrje force të shtetit shqiptar, kryer kohët e fundit nga drejtoria e Galerisë së Arteve, e mbështetur më parë edhe nga ministri i TKRS parardhës i juaj, z. Bujar Leskaj.
Për Bienalen aktuale të Venecies që çelet në datën 6 qershor 2007 ishin propozuar tre kuratorë shqiptarë, të tre ndërkohë me emër në skenën e artit ndërkombëtar: Anri Sala, Adrian Paci dhe Sislej Xhafa, të cilët do të prezantonin këtu vepra të piktorit tonë të shquar Edi Hila. Ky propozim i Bienales miratohet nga drejtori i mëparshëm i GKA Abaz Hado. Me ndërrimin e tij, edhe drejtori i ri Nestor Jonuzi e lë formacionin të pandryshuar, por nëndrejtori i caktuar nën të Rubens Shima, e përmbys projektin fillestar dhe në marrëveshje me ish-ministrin Leskaj bën kundërpropozimet për artistë të tjerë shqiptarë që të paraqiten në pavionin e vendit tonë në Venecie.

Kuptohet që kuratorët e parë tërhiqen pas kësaj ndërhyrjeje të shtetit në zgjedhje që kishin ndjekur të tjera kritere, ato estetike-artistike. Peripecia e përfaqësimit shqiptar në Venecie vazhdon megjithatë me angazhimin e një kuratorje amerikane, specialiste shumë e njohur e arteve pamore, znj. Bonnie Clearwater, e cila vjen disa herë në Shqipëri dhe propozon zgjedhjen e saj që ishte në njëfarë mënyre zgjedhje kompromisi midis idesë fillestare dhe këmbënguljes së anës zyrtare për të dërguar në Venecie artistë të tjerë. Znj. Clearwater kërkon në mënyrë të përsëritur përfaqësimin e Edi Hilës aty me disa punime.
Por komisioneri i caktuar nga pala shqiptare, nëndrejtori i Galerisë së Arteve Rubens Shima, vë veton kundër këtij përfaqësimi. Pra ai nuk pranon që të ekspozohen në pavionin shqiptar vepra të piktorit tonë të shquar, artistit të persekutuar qysh në vitet 1970, njeriut të mençur dhe modest, profesorit të Akademisë së Arteve Edi Hila.

Atëherë znj. Clearwater, mbas disa paralajmërimeve ndaj z. Ruben Shima, dje shpall zyrtarisht se tërhiqet nga pozicioni i saj si kuratore e pavionit shqiptar në Bienalen e Venecies. “Kam punuar pa pushim që të të përfshinte, - i shkruante ajo Edi Hilës -, pasi kam besim të fortë në veprën tënde. Sadoqë zyrtarët e Bienales së Venecies nuk kanë asnjë kundërshtim për përfshirjen tënde, ata më njoftuan se nuk kanë juridiksion mbi pavionet ndërkombëtare dhe se komisioneri i vendit përkatës (në këtë rast Rubensi) ka fjalën e fundit.” E në letrën e djeshme: “Rubensi më tha se përfundimisht nuk e përfshin veprën tënde. Jap zyrtarisht dorëheqjen. Më vjen shumë keq, se ky pavion me përfshirjen tënde, do të ishte një nga më të fortit”.

Zoti ministër, kjo është një histori e trishtuar dhe qesharake. Ajo na kujton konferencat, simpoziumet dhe ekspozitat e kohës së komunizmit, kur Tirana zyrtare bënte kundëpropozimet e saj ndaj propozimeve që vinin prej organizatorëve në Perëndim dhe dërgonte atje njerëzit që donte, ata të besuarit. Ajo na bën të shfaqemi edhe më provincialë seç jemi, duke ndaluar artistët tanë më të mirë, më të emancipuar e më europianë, e duke i zëvendësuar këta me emra të tjerë. Ndërsa për piktorin Edi Hila akti i ndalimit për të marrë pjesë në Bienalen e Venecies përfaqëson një censurim e një persekutim të dytë, që bëhet edhe më i hidhur kur mendon se ndodh në kohën e lirisë dhe komunikimit të lirë midis artistëve dhe institucioneve ndërkombëtare.

Kërkojmë nga ju, zoti ministër, të mbani qëndrim publik ndaj kësaj çështjeje, të na mbështesni në bindjen tonë se artistët nuk janë disa flutura efemere që mund të largohen e afrohen sipas dëshirës, të nxirrni konsekuencat ndaj disa njerëzve të vegjël që komprometojnë emrin e artit shqiptar dhe të mund të shpëtoni çfarë mund të shpëtohet nga kjo histori e përfaqësimit të Shqipërisë në Bienalen e Venecies.

Me nderime
Anri Sala, Edi Muka, Gëzim Qendro, Adrian Paci, Sislej Xhafa, Thoma Thomai, Jutta Benzenberg, Ardian Klosi, Kujtim Çashku, Piro Misha . 29 maj 2007.

Ardian Klosi - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama