Rendi i ri botëror nënkupton thjeshtë që për të gjetur koordinatat e rritjes ekonomike globale dhe sjelljes së tregjeve financiare, është po aq e rëndësishme të gjurmosh të dhënat ekonomike kineze dhe evropiane, sa edhe trillet e tregut amerikan të pronave të paluajtshme.
Ruchir Sharma
Ndonjëherë, ngjarja më domethënëse është pikërisht ajo që nuk ka ndodhur. “Mosinfektimi” i globit nga rritja e ngadaltë ekonomike e SHBA-së gjatë vitit të fundit ka turbulluar shumë ekonomistë, që konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si motorin e vetëm të ekonomisë botërore. Ky obsesion i vazhdueshëm me trajektoren e ekonomisë amerikane ka bërë që shumë investitorë të heqin dorë në mënyrë të nxituar nga aksionet në bursë, që do të thotë shitje masive e nxitur nga konvulsionet në tregun e shtëpive në Amerikë në fillim të vitit. Për ta ishte e paimagjinueshme që rritja ekonomike globale do të vazhdonte në një kohë që Shtetet e Bashkuara kanë pasur një rritje ekonomike vjetore vetëm 2 për qind, gjë që ka ndodhur në pesë tremujorët e fundit.
Por ndërkohë ka qenë duke u formësuar një rend i ri botëror i përcaktuar nga mësymja e Kinës dhe një rilindje ekonomike e Evropës. Me pak më pak se tre trilionë dollarë, ekonomia kineze, në terma nominalë vazhdon të jetë më pak se një e katërta e ekonomisë së SHBA-së. Por, me një ritëm ekspansioni tashmë më shumë se katër herë më të madh se atë të Shteteve të Bashkuara, Kina po kontribuon gjithnjë e më shumë në drejtim të rritjes ekonomike globale se sa Amerika.
Surpriza edhe më e madhe është ringjallja e ekonomisë së Evropës udhëhequr nga Gjermania. Vitin e kaluar, eurozona pati një rritje 2.6 për qind, e nxitur kjo nga një rritje me 3 për qind vetëm në Gjermani. Një fokusim gjithnjë e më i madh në rritjen e produktivitetit ka ndihmuar sektorin gjerman të eksportit të bëhet shumë konkurues, dhe tani ai po përfiton nga lulëzimi i kërkesës në tregjet në zhvillim. Dhe teksa rritja ekonomike e parashikuar për vitin 2007 është 2.5 deri në 3 për qind, me shumë gjasa Eurolanda do të ia kalojë ekonomisë së SHBA-së, për herë të parë në historinë e kohëve të fundit.
Nëse SHBA shket në një recesion të plotë, impakti do të jetë gjithsesi i madh për ekonominë globale. Por, çdo skenar më pak drastik se recesioni i frikshëm tani duket i menaxhueshëm, pasi eurozona dhe Kina tashmë zënë një përqindje më të madhe të GDP-së globale se sa SHBA. Duket se, thuajse pa mundim fare, bota i ka shpëtuar varësisë së rrezikshme nga fuqia ekonomike e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndryshimi në ekuacionin e rritjes ekonomike po manifestohet në rritjen e rëndësisë së ndikimit kinez në përcaktimin e situatave në tregjet financiare globale. Çdo dekadë, një klasë asetesh apo një tjetër rrëmben imagjinatën e investitorëve. Në vitet tetëdhjetë ishte tregu japonez, për shkak të rritjes së shpejtë ekonomike në vend. Në vitet nëntëdhjetë ishte NASDAQ, nxitur nga bumi teknologjik. Këto kohë, investitorët janë të gozhduar nga lëvizjet në tregun kinez, ku baticat dhe zbaticat e përditshme të tregut të këmbimit atje shpesh herë përcaktojnë tendencën e pjesës tjetër të rajonit.
Sigurisht, pas ngjitjes thuajse vertikale të çmimeve të aksioneve kineze, reagimi impulsiv i shumë komentatorëve financiarë është ta etiketojë atë treg si një tjetër “flluskë” që pritet të plasë. Dhe ndonëse ka disa shenja që flasin për këtë, duhet thënë se performanca e kohëve të fundit është më shumë rezultat i rendit botëror që po ndryshon. Të gjithë lulëzimet e mëdha në tregjet e aksioneve e kanë origjinën në një transformim të fuqishëm të rritjes ekonomike; edhe vlerësimi i aksioneve në Kinë kohët e fundit është i nxitur pjesërisht pikërisht nga fitimet e mëdha që nxirren për shkak të një ekonomie në lulëzim. Rritja e fitimeve për kompanitë kineze në tremujorin e parë të këtij viti kapi një nivel fenomenal prej 80 për qind, dhe sipas vlerësimeve për të cilat bien dakord të gjithë, mund të kalojë 30 përqindëshin për pjesën e mbetur të vitit.
Ndërkohë, në universin e zhvilluar, investitorët duken të konsumuar nga “Euforia”. Siç tregon një vëzhgim i kohëve të fundit realizuar nga Merrill Lynch, një numër rekord investitorësh ndajnë mendimin se eurozona ka mjedisin më të favorshëm për kompanitë e mëdha nga të gjithë rajonet me tregje të zhvilluar. Aksionet në Evropë janë rritur me 10 për qind këtë vit, pasi janë trefishuar në vlerë, në terma të dollarit, që nga viti 2003.
Kjo është shenjë e kohërave që kanë ndryshuar, si edhe një testament për dinamizmin e sektorit të korporatave në SHBA, që tregu i aksioneve në Shtetet e Bashkuara ka arritur gjithashtu maja të reja, edhe pse ka një ngadalësim në ritmin e rritjes ekonomike. Firmat amerikane janë përshtatur me ndryshimin e ekuilibrit ekonomik duke u bërë shumë më globale në natyrë, ku operacionet e tyre jashtë vendit tashmë zënë më shumë se 40 për qind të shitjeve, nga më pak se 30 për qind në fundin e viteve nëntëdhjetë. “Empirical Research Partners” vlerëson se gjysma e të ardhurave në SHBA këtë dekadë kanë ardhur nga “loja me Kinën”, si në drejtim të kompanive energjetike, materialeve, makinerisë si dhe kompanive të ndërtimit. Kjo pavarësisht se këta sektorë zënë mesatarisht vetëm tetë për qind të tregut amerikan.
Pra, një botë me disa motorë rritjeje ekonomike nuk nënkupton që tregjet financiare janë më pak të sinkronizuar. Ndërlidhjet në një botë të globalizuar janë shumë të fuqishme. Rendi i ri botëror nënkupton thjeshtë që për të gjetur koordinatat e rritjes ekonomike globale dhe sjelljes së tregjeve financiare, është po aq e rëndësishme të gjurmosh të dhënat ekonomike kineze dhe evropiane, sa edhe trillet e tregut amerikan të pronave të paluajtshme.
Sharma është kreu i departamentit të tregjeve në zhvillim në “Morgan Stanley Investment Management”.
LAJME SHKURT
Rrëmbehen tre shtetas gjermanë në Bagdad
Sipas një zëdhënësi të Qeverisë në kryeqytetin irakian janë rrëmbyer tre gjermanë. Bëhet fjalë për punonjës të një sipërmarrje gjermane nga fusha e informatikës. Sipas zëdhënësit, ata janë rrëmbyer nga persona me uniforma policie në çastin e largimit nga Ministria irakiane e Financave. Konfirmimi zyrtar nga Ministria e Jashtme nuk ka ende. Që nga fillimi i shkurtit gjenden nën kontrollin e pengmarrësve dy gjermanë: një 61-vjeçare dhe i biri.
Bush rrit trysninë ndaj Sudanit për Darfurin
Në konfliktin e Darfurit Presidenti amerikan George W. Bush ka rritur trysninë ndaj Qeverisë sudaneze. Siç bënë të ditur përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë, Bush planifikon sanksione të tjera ekonomike kundër vendit afrikan. Ai ka kërkuar gjithashtu një rezolutë të re të Kombeve të Bashkuara për ta detyruar Qeverinë në Khartum, që të mos i pengojë më përpjekjet për përfundimin e konfliktit të Darfurit. Sipas një rezolute të mëhershme, në provincën sudanezo-perëndimore duhet të vendoseshin 22.000 ushtarë të Kombeve të Bashkuara, por kjo ka hasur deri tani në rezistencën e Qeverisë së Khartumit.
Ushtarët izraelitë arrestojnë edhe një deputet të Fatahut
Ushtarët izraelitë kanë arrestuar në Bregun Perëndimor të lumit Jordan një deputet të Parlamentit palestinez. Sipas forcave palestineze të sigurisë, ai bën pjesë në organizatën Fatah të Presidentit Mahmud Abaz. Izraelitët e kanë arrestuar atë në një kamp refugjatësh në Nablus. Pas goditjeve të vazhdueshme të qyteteve izraelite nga palestinezë militantë ushtarët kanë arrestuar disa politikanë të Hamasit radikal islamik. Deri tani përfaqësuesit e Fatahut nuk ishin ndjekur. Siç bënë të ditur më tej forcat e sigurisë, në Rripin e Gazës u vranë gjatë një përpjekjeje me armë dy luftëtarë të Hamasit.
Nis takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Azisë
Ministrat e Jashtëm të BE-së janë mbledhur për të diskutuar në Hamburg me kolegët e tyre nga 16 vendet aziatike mbi vatrat e krizave në botë si dhe për mbrojtjen e klimës. Në takimin e përbashkët të ASEM-it synohet të thellohet bashkëpunimi mes BE-së dhe Azisë në fushën e politikës, ekonomisë dhe të kulturës. Në fjalën e hapjes, ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier deklaroi se:Ata (aziatikët) përfaqësojnë 46 vende, prezantojnë 50% të prodhimit të brendshëm botëror, përbëjnë 58% të popullsisë së gjithë botës dhe 60% te tregut ndërkombëtar. "Kemi të bëjmë me një nivel ndikimi, të cilin ne mund dhe duhet ta përdorim edhe në një shkallë më të madhe në politikën ndërkombëtare", theksoi shefi i diplomacisë gjermane.
Gabriel: SHBA më shumë përgjegjësi kundër ngrohjes së tokës
Një javë para fillimit të Samitit G8 në Heiligendam, Qeveria gjermane po përpiqet që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta shohin qëllimin e mbrojtjes së klimës si një qëllim përfitimi edhe për ata. Ministri gjerman për Mjedisin, Sigmar Gabriel, bëri thirrje në Berlin, gjatë një takimi me kryetaren e dhomës së përfaqësuesve,Nancy Pelosi, që udhëheqja e SHBA-ve të marrë më shumë përgjegjësi në luftën kundër ngrohjes së tokës. Pelosi nuk deshi të shprehej nëse SHBA në Heiligendam do të marrin pjesë me vendime konkrete për mbrojtjen e klimës. Por ajo theksoi se të gjithë pjesëmarrësit megjithatë janë të lutur që të gjejnë zgjidhje për sfidat që na presin. Sot politikania amerikane e demokratëve opozitarë do të takohet me kancelaren Angela Merkel.
Përleshje mes policisë dhe demonstruesve në Venezuelë
Vazhdojnë përleshjet midis policisë dhe studentëve universitar në Karakas të Venezuelës. Protestuesit kanë zbritur në shesh për t'u shprehur kundër mbylljes së televizionit privat RCTV, një nga mediat më të fuqishme opozitare ndaj Presidentit Hugo Chavez. Pas ndërhyrjes së forcave të rendit për të mposhtur turmën kanë filluar përleshjet që kanë çuar në shumë të plagosur dhe të arrestuar. Gjatë përleshjeve kanë mbetur të plagosur katër policë.
Marre nga Gazeta Metropol











