Ismail Kadare është një monument i kulturës bashkëkohore, një romancier i hapësirave të shtrira për çdo lexues që përmes tij dhe veprës së tij kërkon të kuptojë historinë e pasur dhe komplekse të Ballkanit. Në këtë kolanë romanesh të shkurtër janë përmbledhur krijime të fundviteve ‘70 dhe të fundviteve ’90, të cilat shpalosin dhe sjellin një gamë të vërtetë të talentit të tij. Novela e gjatë “Qorrfermani”, nga ka marrë titullin edhe kjo kolanë, është një gjini e veçantë, një analizë e
kujdesshme dhe e thellë e mekanizmit të diktaturës dhe terrorit.
Në këtë vepër, e shkruar më 1984-n, kohë kur në Shqipëri mbretëronte regjimi stalinist i Enver Hoxhës, Kadareja përshkruan brutalitetin dhe ashpërsinë e një fushate persekutimesh… gjatë periudhës së Perandorisë Otomane, por që lexuesi nuk e ka të vështirë ta kuptojë dhe ta krahasojë lehtësisht atë me atë valë terrori mbi të cilën ishin ngritur regjimet komuniste të Europës Lindore. Dhe brenda këtij represioni mjegullues pushteti luante me monstruozitetin e shtetit herë të akullt e në një rast tjetër impresionues, një herë të pakapshëm si brenda një boshllëku ajo vërtitej brenda duke mos u përhapur askund… Lexojmë brenda të njëjtës kolanë edhe novelën “Komisioni i festës”, një përjetim ky tronditës i asaj bote otomane gjatë pushtimit të Shqipërisë. Duket pra se Shqipëria mbetet tema qendrore e shumë prej veprave të Kadaresë. Historia tragjike e “vendit të shqipeve” preket edhe në një roman tjetër të shkurtër i quajtur “Viti i mbrapshtë”, por mbi të gjitha ajo është e pranishme në një tjetër vepër, që quhet “Tri këngë zie për Kosovën”.
Duke shfrytëzuar historinë e betejës së Kosovës më 1389 mes popujve të Ballkanit nga njëra anë dhe turqve nga ana tjetër, shkrimtari ndërton disa ura me dramën e sotme të krahinës së vogël në Serbi, e populluar nga shumica shqiptare. Një mjeshtër i fjalës, i frymëzuar nga rapsodët e vendit të tij por edhe nga mitet greke, shkrimtari nënshkruan
një tjetër vepër të gjetur, të quajtur “Breznia e Hankonatëve”, një mikroroman i përbërë nga 80 kapituj që risjell kronikën e një familjeje dyqindvjeçare. Jeta e përditshme e kësaj dinastie tregtarësh ngërthehet, merr jetë dhe gjallon brenda të gjitha zhvillimeve politike dhe ushtarake që kanë shoqëruar historinë e Shqipërisë në një vend ku janë ndeshur shumë popuj, ku kanë lulëzuar civilizime të ndryshme përpara se ato të fshiheshin nga dallgët e historisë.
“Qorrfermani” dhe romane të tjera të shkurtra janë përkthyer nga Jusuf Vrioni dhe Aleksandër Zoto.
Laurent Pericone - Gazeta Albania











