Kështu e shpjegon vajza 16-vjeçare ato minuta, ndërsa i duhej të përqafonte prindërit që ishin të pranishëm në sallën e Pallatit të Kongreseve dhe njëkohësisht të mbante edhe emocionet që si kishte provuar kurrë më parë, si në atë moment. Një nga ëndrrat më të mëdha të Greta Koçit u plotësua. Ajo mundi të triumfonte në një nga garat më të rëndësishme të muzikës moderne shqiptare, me një këngë, të cilën thotë se e kishte pëlqyer që në momentin e parë kur ia kishin treguar. Një dashuri e kohërave të sotme, këto ishin vargjet që përcilleshin nëpërmjet ritmeve të Genti Lakos dhe zërit e Greta Koçit, të cilat mundën të merrnin vlerësimin më të madh në "Top Fest 4".
E prisje të ishe ti fituesja e çmimit të madh në "Top Fest 4"?
Në fakt gjatë gjithë kohës kam qenë shumë e emocionuar dhe plot ankth. Sigurisht, kushdo që hyn në një kompeticion, apo një festival, hyn për të fituar. Por kurrë nuk e mendoja që do të votohesha dhe do të mbështetesha aq shumë nga publiku. Kur shihja votat në monitor , shtangia, pasi akoma nuk më besohej që isha e para. Thosha, a do të përmbyset ky rezultat, pasi këngët konkurruese ishin vërtet shumë të bukura. Ndërkohë që jepeshin çmimet e tjera si "Best song", "Best Alternative" etj., shihja që nuk po vlerësohesha dhe mendoja se çfarë do të ndodhte. Ndërkohë gjatë gjithë natës së madhe të festivalit më vinin mijëra mesazhe në celular, ku do të veçoja njërin prej tyre, që më vinte nga një diskotekë verore në Sarandë, ku ishin mbledhur nxënës, studentë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, ku thoshin se: "Kemi ndërprerë aktivitetin, duke ndjekur në monitorë "live" festivalin në ekranin e ‘Top Channel‘, duke votuar për ty". Aty u emocionova shumë dhe ku gati sa nuk po lotoja, deri në momentin e fundit, që po e prisja me ankth. Megjithatë kisha një shpresë, se e ndjeja që publiku po e pëlqente këngën, nga mesazhet që vinin "Greta do të votojmë", "Je më e mira", etj., ndërkohë që spektakli vazhdonte. Ishte një garë vërtet e vështirë, pasi të gjitha këngët ishin të bukura. Për mua ishte një vlerësim shumë i madh. Përfitoj nga rasti të falënderoj këtë industri gjigande muzikore, siç është "Top Media" që më dha mundësi të jem në këtë eveniment, si dhe komponentët që realizuan këngën time.
Mund të na tregoni si lindi kjo këngë, paska rebele ?
Kënga është kompozuar nga Genti Lako dhe me tekst të Redi Mazit. Kur mendova të hyja në "Top Fest", folëm me disa kompozitorë dhe i vetmi ku gjetëm mbështetje e menduam se mund të realizonim një këngë të formatit të këtij festivali, ishte Genti Lako. Ideja ime ishte për një këngë "trendy", që t‘i përshtatej muzikës moderne shqiptare, parametra që kërkohen për një festival si "Top Fest". Kur Genti na tregoi këngën mua më pëlqeu shumë, pasi ishte shumë e veçantë, ndryshe nga të tjerat. Ishte një tekst shumë interesant, që tregon për një dashuri rinore, një mënyrë sesi dashurohet rinia e sotme, ku vajzat janë më të hedhura se djemtë, ndërsa djemtë janë pak më të ndrojtur, por me shikime ata sërish duan. Ishte një tekst shumë rinor, ndaj dhe u pëlqye.
Jeni vetëm 16 vjeç dhe këto dy vitet e fundit mund të thuhet se keni qenë e suksesshme? Mund të na tregoni për fillimet tuaja?
Kam kënduar që pesë vjeç, ashtu siç shfaqet talenti gjithnjë në moshë të vogël. Këndoja para pasqyrës, gjithmonë kam preferuar të këndoj materiale të vështira, këngë të tipit Maria Carey, Celine Dion dhe me ato jam stërvitur që në moshë të vogël. Kam pasur një mbështetje të madhe nga prindërit, duke qenë se mamanë e kam muzikante, por edhe babai ka shumë njohuri ndaj muzikës. Gjithçka ka ndodhur gradualisht. Dueti i parë që kam realizuar ka qenë "Kush ka faj" me këngëtarin Erion Korini, e kështu shkallë- shkallë vazhdoi karriera.
Si do ta cilësoje këtë periudhë, kur je marrë me muzikën në jetën tënde?
Këto dy vitet e fundit mund t‘i quaja të suksesshme. Ka qenë dalja e albumit, fitimet e dy trofeve me çmime të para, si "Mikrofoni i Artë" dhe "Top Fest". Do t‘i quaja si vite të arta për mua, që do t‘i mbaj mënd gjithë jetën.
Ku e sheh veten Greta në të ardhmen?
Dua të këndoj shumë dhe të mos mbetem me kaq. Kam dëshirë të dal jashtë dhe të konkurroj me divat e botës, pasi mendoj, se përse një këngëtare shqiptare të mos i ketë mundësitë të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në botë.
Kështu që synoj të jem një emër i njohur në muzikën botërore, por çdo gjë me hapat e duhur.
Ju jeni ende në shkollë. Çfarë do ndodhi me ju pas dy vitesh kur ta kesh mbaruar gjimnazin?
Më pëlqen të studioj gjuhët e huaja, apo shkencat politike. Në fakt janë disa degë që më pëlqejnë, por që nuk e di se ku do të vendos.
Nga të gjitha këngët që ke kënduar, cila është ajo që ka qenë më pranë teje?
Të gjitha këngët më kanë pëlqyer. Por do doja të veçoja këngën me të cilën u vlerësova në edicionin e katërt të "Top Fest".
Kë kënduar këngë me subjekte që ndoshta nuk i kanë takuar moshës tënde. Ke pasur vështirësi?
Në fillim ndoshta. Tashmë e kam më të lehtë, duke qenë se po rritem. Por fundja fundit, unë kisha një zë më të zhvilluar, më të pjekur nga moshatarët e mi dhe një trup të zhvilluar. Në momentin kur unë kam dalë në një duet me Erion Korinin, isha në moshë për një festival fëmijësh.
Kujt do doje t‘i ngjaje nga këngëtarët e huaj?
Më pëlqejnë disa këngëtarë, si Christina Aguilera, që unë e veçoj si një këngëtare me vokal të rrallë, Maria Carey, Celine Dion.
Po nga jetët e tyre kujt do të doje t‘i ngjaje?
Ata bëjnë një jetë të bukur dhe kanë karrierë të madhe, por që se di. Uroj që edhe unë të arrij majat si ata.
Cila është Greta pas muzikës?
Një vajzë e urtë, shumë e komunikueshme, një tip i qetë. Ndoshta në skenë transformohem, por në jetën e përditshme jam e qetë.
Marre nga : Gazeta Shqip











