Jehona e mesazhit që dhanë drejtuesit e shteteve me rastin e rrëzimit të murit të Berlinit në vitin 1989, me të cilin u shënua shkatërrimi i perdes së hekurt dhe fundi i ndarjes shumëvjeçare të Evropës e Gjermanisë, sot nuk dëgjohet më. Përparësitë që mori Evropa me rrëzimin e këtij muri (një treg i përbashkët dhe hapja e rrugës drejt një fuqie botërore) fatkeqësisht nuk u bë model universal i botës së sotshme, e cila nuk mund të qëndrojë pa ndarje të reja. Globalizimi nën moton e afrimit të njerëzve, e ndjekur me zhvillimin e shpejtë të teknologjisë së komunikacionit, ka sjellë edhe një tendencë të kundërt: ndërtimin e rrethimeve e pengesave të reja, të pajisura me teknologjinë më bashkëkohore, me censorë të vrojtimit natën, helikopterë, kamera të ndjeshme ndaj temperaturës etj., për ndjekjen e lëvizjes së njerëzve e mallrave. Muri i Berlinit ka rënë, por sot mure dhe gjerdhe të reja ndajnë shtetet fqinje dhe zona të tjera, që nga Meksika, Maroku, Jerusalemi, Arabia Saudite, Iraku, India e Malajzia në lindje, duke mos llogaritur murin kinez, i cili për fat shërben për qëllime turistike. Qëllimi i ngritjes së tyre është pengimi i dyndjes së të shpërngulurve që duan një jetë më të mirë, i terroristëve, trafikantëve ose pengimi i pushtimeve.
Fjala është për një epidemi globale me përmasa gjithnjë e më të mëdha në kërkim të zgjidhjeve të problemeve ndërshtetërore.
Muri i Bagdadit
Më i fundit është muri i përbërë prej blloqeve të betonit 4 metra të larta dhe rreth 3,5 km i gjatë, që po ngre ushtria amerikane, për të bërë ndarjen e zonave shiite e suite, në atë pjesë të Bagdadit, për të penguar sulmet e rrezikshme me bomba, të cilët në shumicën e rasteve kanë viktima civilët e pafajshëm. Ky mur ka shkaktuar protesta nga të dyja bashkësitë, ndërsa udhëheqësi shiit, Moqtad al Sadër, e ka quajtur atë racist.
Muri i Amerikës
Epidemia e ndërtimit të mureve ndarëse, ka përfshirë edhe SHBA-të, mbështetëset më të mëdha të globalizimit, e lirisë së mallrave e njerëzve dhe vendi që ka kontribuar për prishjen e murit të Berlinit, para 17 vitesh. Shtetet e Bashkuara po ndërtojnë një mur të gjatë në kufirin me Meksikën, duke iu bindur motos së mbështetësve se "rrethimet e mira krijojnë fqinj të mirë". Në përputhje me ligjin e ri për rrethim të sigurt, të miratuar në vitin 2006, SHBA planifikuan të ndërtojnë 1100 km pengesa dyfishe përgjatë kufirit prej 3000 km me Meksikën, për të penguar kalimin masiv të meksikanëve në kërkim të jetës më të mirë në Amerikë. Muri në Tijuana duhet të pengojë nxitimin e grupeve të ilegalëve drejt SHBA-së, që arrijnë deri në 50 persona. Kur numri i të ardhurve arriti deri në 1 milionë e 300 mijë emigrantë në vit, Uashingtoni nuk mundi t‘u rezistonte më kërkesave të grupeve kundër emigrantëve, të cilët deklaronin, se të ardhurit kërcënojnë sigurinë e vendit. Vendimi për ndërtimin e rrethimeve ka shkaktuar protesta në Meksikë, si dhe në gjithë Amerikën Latine, e cila e mendon këtë vendim amerikan, si të kundërt me filozofinë që ishte para dyerve të Brandenburgut, dy vite para rënies së murit të Berlinit, të cilën e promovoi Presidenti amerikan Ronald Regan, duke thënë: "Hapni këtë derë - shkatërroni këtë mur".
Muri i Marokut
Aktualisht në botë ekzistojnë ose janë planifikuar të ndërtohen 12 mure për synime të ndryshme. Njëri ndër më pak të njohurit, por që është pengesa më e gjatë kufitare e botës moderne, është ndërtuar në Marok në vitet ‘80 të shekullit XX, me qëllim pengimin e kryengritësve të lëvizjes Polisario, që luftonte për pavarësinë e Saharasë Perëndimore. Rrethimi përbëhet nga disa mure të lartë deri në 3 m, me një gjatësi 2700 km. Muri është i rrethuar nga fusha me mina dhe tela me gjemba. Sot ruhet nga rreth 200 mijë ushtarë marokenë.
Muri i Izraelit
Muri, që ka shkaktuar reagime shpërthyese, është ndërtuar nga Izraeli, për të kufizuar pjesën arabe të Jerusalemit nga brigjet perëndimore, duke e arsyetuar këtë, si masë kundër sulmeve vetëvrasëse të palestinezëve. Muri është dy herë me i gjatë se kufijtë e njohur ndërkombëtarë të Izraelit dhe shtrihet në atë mënyrë, që pjesën më të madhe të vendbanimeve të rrethuara, e bën pjesë të Izraelit. Për palestinezët, muri tregon aspiratat izraelite. Por, ai kritikohet edhe nga kritikët brenda Izraelit, që e kundërshtojnë pushtimin e brigjeve perëndimore.
Atë e ka dënuar dhe ish-presidenti amerikan Jimmy Carter, duke e quajtur "Muri i Aparteidit". Vendet arabe e kanë dënuar gati njëzëri veprimin e Izraelit.
Muri Saudit
Arabia Saudite ka filluar projektin e ndërtimit të 885 km rrethimi me teknologji të sofistikuar, përfshirë edhe censorët për shikim natën, program për njohjen e personave dhe tela me gjemba për të "çimentuar" kufirin me Irakun. Projekti do të kushtojë një miliardë dollarë. Qëllimi është pengimi i ardhjes së destabilitetit nga vendi fqinj Iraku, në Arabinë Saudite.
Muri i Kuvajtit
Fqinji tjetër i Irakut, Kuvajti, po ashtu ka fortifikuar kufirin me gardh të elektrifikuar, me rreth 217 km.
Në prag janë edhe punimet për kontrollin e lëvizjeve mes Indisë e Pakistanit, Indisë e Bangladeshit, Pakistanit e Afganistanit.
Marre nga : Gazeta Shqip











