Duke u nisur nga ky këndvështrim, ekspertë të këtij parku, në krye të cilit është Engjëll Serjani, përfaqësues të Drejtorive Rajonale, të Institutit të Monumenteve të Kulturës, të MTKRS-së dhe administrues të Parqeve të tjera Arkeologjike, janë mbledhur në mjediset e Antigonesë për të diskutuar rreth impaktit të monumenteve të kulturës në turizmin kulturor. Konferenca është ideuar nga MTKRS-ja dhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit te Parkut Arkeologjik të Antigonesë. Referenca të ekspertëve të monumenteve kanë synuar të sjellin shembuj të mirëmenaxhimit të pasurive kulturore, ruajtjes, promovimit me objekt rijetëzimin e zhvillimin e turizmit kulturor, për të tërhequr gjithnjë e më tepër turistë vendas e të huaj. Në këtë zonë të mbartur jo vetëm me histori, por edhe me tradita. Kjo është konferenca e parë e këtij lloji me karakter debatues, tregues e trajnues, me interes në diskutimin dhe shkëmbimin e eksperiencave për rritjen e aftësitë drejtuese dhe menaxhuese të strukturave dhe institucioneve në varësi të MTKRS-së, në drejtim të parqeve arkeologjike e natyrore, zonave muze, qendrave historike, monumenteve të trashëgimisë kulturore. Gjithashtu, po synohet gjithnjë e më tepër në bashkëpunimin e këtyre institucioneve me agjenci turistike të vendit për propagandimin e këtyre vlerave brenda dhe jashtë vendit.
Veprimtaritë
Konferenca “Impakti i monumenteve të kulturës në zhvillimin e turizmit kulturor”, nuk ka mbetur vetëm në nivel diskutues. Mundësia që ofrojnë mjediset e qytetit antik të Antigonesë kanë shërbyer për ta treguar këtë me disa veprimtari konkrete. Pjesëmarrësit kanë bërë një vizitë në parkun Arkeologjik, ku ndoqën një praktikë mbi organizimin e pastrimit dhe vlerësimit estetik të monumenteve arkeologjike, pa cenuar vlerat e tyre historike. Kjo është realizuar në bashkëpunim me grupe vullnetarësh të nxënësve të gjimnazit të Gjirokastrës dhe shkollës 9-vjeçare të komunës Antigone. Ndërsa për të bërë prezente trashëgiminë etnohistorike dhe pagane si produkt për turizmin kulturor, është realizuar shfaqja e ritualit pagan të shtegtimit të bagëtive, organizuar në bashkëpunim me komunitetin e Komunës Antigone. Ndërkohë, nxënësit e shkollës kanë organizuar lojëra të ndryshme popullore pagane dhe tradicionale.
Kumtesat
Janë fillimet e administrimit të këtij Parku Arkeologjik dhe specialistët e kësaj zyre kanë prezantuar hapat e para drejt rrugës së kthimit të Antigonesë në një pikë të rëndësishme të turizmit kulturor në Jug të Shqipërisë. Në referatin e tij, specialisti menaxher i Zyrës së Administrimit, Ilir Lluri u ndal në probleme të menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Antigonesë dhe bashkëpunimi me zyrat e shoqëritë turistike të rajonit për përgatitjen e paketave turistike. Ndërsa arkeologu Dhimitër Çondi ka referuar për gjetjet dhe rezultatet e ekspeditave të përbashkëta arkeologjike shqiptaro-greke në Antigone gjatë dy viteve të fundit. Në interesin që paraqesin këto zbulime për turistët, është ndalur edhe arkeologu Vladimir Qirjaqi. Kurse ekspertja e Parkut Kombëtar të Butrintit, Dorina Gaçi solli në këtë konferencë eksperiencën në hartimin e planeve të menaxhimit dhe guidave turistike në Butrint. Të shumta kanë qenë edhe diskutimet e tjera të ekspertëve të ndalura në vlerësimin e pasurisë së kësaj zone dhe menaxhimit të saj.
Marre nga : Gazeta Shqiptare











