Sadina Alla, 18-vjeçarja nga Tirana, sot ndodhet në Meksikë ku më 28 maj zhvillohet konkursi më i madh i bukurisë në botë, “Miss Universe”. E përzgjedhur në një konkurs bukurie të organizuar nga Fadil Berisha dhe Valbona Çoba, i mbajtur në muajin prill në Tiranë nën emrin “Miss Universe Albania”, Alla përfaqëson bukurinë shqiptare në edicionin e 51-të të “Miss Universe”-it. Në këtë garë konkurrojnë për kurorën e bukurisë 77 vajza nga e gjithë bota. Në paradën e veshjeve kombëtare, vajza shqiptare sfilon me një fustan të gjatë kuq e zi, ku shquhet mjaft qartë shqiponja e flamurit. Edhe një vit më parë, Eralda Hitaj, mbante një veshje të ngjashme me shqiponjë.
Duket se bëhet fjalë për një preferencë të fotografit Fadil Berisha, i cili tenton me çdo kusht të ngjisë në skenën e Universit, flamurin shqiptar. Bjondja simpatike nuk është e panjohur për fotografët e stilistët. Një vit më parë konkuroi për “Top Model of the World” të zhvilluar në Tiranë, ndërsa ka marrë pjesë në shumë sfilata mode. Vazhdon Liceun Artistik “Jordan Misja” për pikturë dhe duket se për momentin universi i saj lëkundet mes kanavacës dhe ngjyrave dhe pasarelave.
Shikoni foto te tjera si dhe prezantimin me kostrum mbremjeje ne video.
Alla është vajza e pestë që përfaqëson Shqipërinë në “Miss Universe” prej vitit 2002. Në katër edicionet e mëparshme përfaqësimi më i mirë ka qenë ai i Anisa Kospirit, në vitin 2002, e cila arriti të hyjë në dhjetëshen e më të bukurave të globit. Denisa Kola fitoi çmimin “Miss Inteligjenca” në Kinë, ndërsa Agnesa Vuthaj dhe Eralda Hitaj një vit më parë, nuk mundën të zinin ndonjë pozicion të favorshëm. Në faqen zyrtare të “Miss Universe 2007”, Sadina Alla i është përgjigjur disa pyetjeve standarde të formuluara nga organizatorët e konkursit.
Cilat janë interesat tuaja dhe çfarë dëshironi të bëni më shumë?
Më pëlqen të lexoj libra mbi artin dhe të pikturoj. Jam e interesuar të punoj në ndihmë të fëmijëve jetimë në vendin tim dhe në vende të tjera gjithashtu. E dua muzikën dhe do të doja të udhëtoja rreth botës për të studiuar historinë e artit.
Cila është ambicja jote profesionale më e madhe?
Të bëhem piktore e famshme.
Përshkruani ku jeni rritur dhe si ka qenë fëminia juaj.
Kam lindur në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë. Kam një motër më të vogël. Kam një familje të lumtur dhe shumë miq.
Çfarë do të donit që juria të dinte për ju?
Vij nga vendi i Nënë Terezës dhe jam shumë krenare që jam shqiptare. Është pjesë e asaj që unë jam. Në të ardhmen do të doja të shfrytëzoja aftësitë e mia për të ndihmuar familjen dhe popullin tim.
A. M, - Gazeta Shekulli











