Shtatorja e Apollonit dhe ajo e Artemisit do të rikthehen shumë shpejt në Shqipëri. Këtë gjë ka premtuar ministri grek i Kulturës, George Vulgaraqis pas takimit me ministrin tonë të Kulturës, Ylli Pango.
Ministri Pango e takoi homologun e tij grek në kuadër të Forumit Ndërkombëtar “Sporti për paqen dhe armëpushimin Olimpik”. Ky aktivitet i organizuar nga ministria greke e Kulturës u mbajt në 19 maj në Olimpia të Greqisë, djep i historisë së zhvillimit të Lojërave Olimpike. Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte mbledhja e ministrave dhe personaliteteve të ndryshme të kulturës botërore në funksion të angazhimit për paqe nëpërmjet sportit dhe dialogut kulturor. Gjatë pjesëmarrjes në këtë forum ministri i Kulturës Pango zhvilloi një sërë takimesh me disa homologë të rajonit dhe zyrtarë të lartë të kulturës.
Gjatë takimit me ministrin e Kulturës Vulgaraqis, Pango tha se "ruajtja e vlerave të trashëgimisë dhe të arkeologjisë kombëtare është prioritet i punës së tij dhe ministrisë që drejton". Vulgaraqis premtoi për një kthim shumë të shpejtë të dy objekteve të zhdukura nga Shqipëria gjatë trazirave të '97-ës, ndërkohë që lidhur me këtë foli edhe për një vizitë të tijën në Shqipëri. Shtatorja e Apollonit grabitur në Butrint,(shek i II e. re.) dhe shtatorja e Artemisit të Nikeas,(shek të III p.e.s) grabitur në Finiq, gjenden në Muzeun e Pireut.
Restaurime në Finiq
Më tej Pango foli për vënien në punë të 6 parqeve arkeologjike, ku këtë sezon turistik pritet një fluks i konsiderueshëm vizitorësh brenda dhe jashtë vendit.
Dy ministrat e kulturës folën edhe për shkëmbimin e eksperiencave dhe organizimit të trajnimeve në sektorin e restaurimit. Në këtë pikë ministria greke e Kulturës premton mbështetje për restaurimin e objekteve të parkut arkeologjik të Finiqit.
Objektet arkeologjike të humbura që gjenden në Greqi
a) Shtatorja e Artemisit të Nikeas e grabitur në Finiq. Objekt i shek III p. k. Kartela nr. 913
b) Shtatore djali (Apolloni), grabitur në Butrint, shek. II e. re. Kartela nr. 914
Janë në kërkim me vendndodhje të pa identifikuara:
a) Statujë vajze, kartela nr. 915
b) Statujë pa kokë (Afërdita), kartela me nr. 916
OBJEKTI ME NR. 913
Dimensioni: 125 cm lartësi
Material: Mermer
Tip: Shtatore
Periudha: Helenike
Kultura: Para qytetare Ilire
Është gjetur në Finiq, Sarandë. Është grabitur në Mars 1997 në Butrint. Statujës i mungojnë dy krahë, koka dhe ka shumë dëmtime në sipërfaqe. Busti është i zotes femërore (Artemis, ose është busti i Nikesë?). Ajo ka veshur një mantel të gjatë të palosur, ku nën gjoks krijon një Apoptygma. Zota paraqitet në lëvizje, e cila ka bërë një hap përpara me këmbën e saj të djathtë. Periudha helenike.
OBJEKTI ME NR. 914
Dimensioni: 138 cm lartësi
Material: Mermer
Tip: Shtatore
Periudha: Romake shek 2 p. k. – 4 e. j.
Kultura: Paraqytetare Ilire
Busti i zotes pothuajse i zhveshur, trupi mbështetet mbi këmbën e tij të djathtë; e majta është e avancuar përpara. Veshja e tij, pasi kalon mbi gjoksin e tij, bie prapa shpatullës sipër një baze të fortë. Aktualisht statuja është acefale, por koka është punuar me vete dhe tani ruhet në Muzeun Arkeologjik të Tiranës. I përket shekujve të parë pas Krishtit.
OBJEKTI ME NR. 915
Dimensioni: 66.5 cm
Material: Mermer
Tip: Shtatore
Periudha: Klasike shek. 4 - 6 p. k.
Kultura: Qytetare Ilire
Statuja e vajzës është e punuar në mermer. Koka është e ngjitur. Bazamenti i ulët është punuar njësh me trupin. Veshja është një mantel i lidhur lart, me pala, të cilin e ngre me dorën e majtë. Dora e djathtë para gjoksit mban bririn e bollëkut. Në sup dallohen lidhëse.
OBJEKTI ME NR. 916
Dimensioni: 125 cm
Material: Mermer
Tip: Shtatore
Periudha: Klasike shek. 4 – 6 p. k.
Kultura: Qytetare Ilire
Statujës i mungon koka. Mendohet se duhet të ketë pasur kokën e Afërditës. Bazamenti është punuar bashkë me statujën. Në krahun e majtë bazamenti është i grabitur dhe në të dallohet një gjurmë këmbe. Dora e djathtë, nga mesi e poshtë, mungon; kurse e majta mungon nga mesi i parakrahut. Pjesa e poshtme e trupit është pothuaj ballore, ajo e sipërmja paraqet një kthim intensiv ndaj formës shoqëruese.
Blerina Goce - Gazeta Metropol











