Ne ditelindjen e Kernit

Në ditëlindjen e Kernit

I ka pëlqyer gjithnjë atmosfera e familjes, ndoshta se kujtimet e çojnë gjithnjë atje në atë shtëpinë klasike në Romë, ku ajo kaloi fëmijërinë nën dashurinë e prindërve dhe motrës Klaudia. Familja në kohët kur nisi të angazhohej në kinema, ishte si ai stacioni ku kërkonte me vrap të kthehej pas çdo sfilitje. Tashmë është Stefano, burri që mbush jetën e saj dhe tre fëmijët Nike Rivelli, Andrea dhe Karolina. Për këta të katërt, ajo nuk është Ornela, por Françeska e tyre e dashur...

Ka vetëm disa ditë që është kthyer nga Los Anxhelos ku ka udhëtuar për punë dhe na kërkon ndjesë që s‘mundi t‘u përgjigjej menjëherë pyetjeve tona. Për Ornelën, rrëfimet janë gjithnjë të vështira, ndoshta se ajo i percepton si diçka tepër private të cilat mund t‘ia besojë më mirë të motrës Klaudia, në ato kafetë ku takohen gjithnjë, sesa një gazetari. Është interesante nëse sheh intervistat e dhëna nga ajo jo vetëm në mediat italiane, por kudo në mënyrën e shkurtër me të cilën ajo të përgjigjet, por që teksa e rilexon kupton se aq mjafton për të shpjeguar pyetjen që i kanë bërë. Në fund të fundit, më mirë të flasësh pak...Misteret gjithnjë kanë qenë tërheqëse në këtë botë dhe Ornelës i pëlqejnë ato. Ndoshta kjo është Ornela, gruaja që fshihet pas fjalëve të thëna thjesht dhe bukur...

E quajtur si një nga ikonat e kinemasë italiane, e krahasuar dhe me Sofia Loren, ajo rrëfen më poshtë se hyrja e saj në botën e filmit ka qenë një rastësi. Damiano Damiani, regjisori i njohur italian, kishte zgjedhur motrën e saj, Klaudia, në vitet ‘70-të për të interpretuar në filmin "Gruaja më e bukur", por që një koincidencë apo rastësi do të bënte që Klaudia të zëvendësohej nga motra e saj Françeska, për të cilën Damiani do të thoshte menjëherë "ok" sapo ta shihte. Vetëm një adoleshente Ornela do të kthehej në femrën më të adhuruar të kohës, me një bukuri ashtu siç e përshkruajnë gazetat e kohës "të parezistueshme". Vetë ajo e quan një fat atë film, një fat që zbuloi atë aftësinë e saj të brendshme për t‘u shndërruar në personazhe të ndryshme. Po kush është Ornela Muti, një nga aktoret më të njohura italiane, gruaja nëpërmjet së cilës u ngjizën mijëra përfytyrime teksa e shihnim të interpretonte në filma të ndryshëm në ekranet tona?

Emri i saj real është Franceska Romana Rivelli, ndërsa në art ka preferuar të quhet Ornela Muti. Ajo ka lindur në Romë në 19 mars 1955. Në moshën 14-vjeçare lançohet nga Damiano Damianin në filmin "Gruaja më e bukur". Në vitet ‘70 interpreton "Palolo i nxehtë" i Marko Vikarios, "Roman Popullor" i Mario Monicellit" "Si një trëndafil në hundë" i Franko Rosit. Në vitin 1998, revista "Class" e ka shpallur gruan më të bukur të planetit.

Për sa i përket kinemasë jashtë Italisë, Muti ka marrë pjesë në filmin "Flash Gordon" në filmin "Oskar" dhe "Një herë e një kohë". Është martuar dy herë. Herën e parë me Alesio Orano dhe më pas me Fedricho Façheti. Që nga viti 1988 është divorcuar nga ky i fundit dhe bashkëjeton me Stefano Picolon për të cilin thotë se vazhdon ta dashurojë...

Për Ornelën nuk funksionon teoria se bukuria zbehet pas të 50-ave. Teksa e sheh kupton se në këtë moshë ajo mund të shndërrohet në një tjetër formë, por që në fund të fundit mbetet e tillë, thjesht e bukur…


Le ta nisim këtë intervistë me një pyetje që ma bëri im atë. E pyeta se nëse do të kishte përballë Ornela Mutin, çfarë pyetje do t‘i bëje dhe ai më tha se "Ajo është një grua e bukur. Do doja të dija se çfarë bën për të mbetur ende e tillë?"


Varet se nga cili këndvështrim i sheh gjërat. Sigurisht, jam e mendimit se bukuria fizike, padyshim që ka vlerën e saj. Fillimisht, prezantimin e parë me të tjerët e bëjmë përmes saj. Është një siguri më shumë në marrëdhëniet me të tjerët. Jam e mendimit se ajo të hap shumë dyer, por nga ana tjetër të sjell edhe një barrë me paragjykime…


Karriera juaj në kinema nisi në vitet ‘70-të kur ju interpretuat në filmin "Gruaja më e bukur", një film shumë i ndjekur edhe në Shqipëri. Mund të na tregoni se si u gjendët në rolin e protagonistes kryesore dhe diçka më tepër për këtë film?


Titulli i filmit ishte "Gruaja më e bukur" me regji të të famshmit Damiano Damiani, njërit prej regjisorëve të serialit "Oktapodi" dhe sigurisht, një regjisor dhe mik i mirë për mua. Për mua ishte një film që përmbante e përcillte mesazhe të forta, por ishte edhe një film i vështirë. Në atë kohë sapo kisha hyrë në adoleshencë, isha vetëm 14 vjeç. Në fakt, ndodhja ime në sheshin e xhirimeve është një rastësi, pasi në fakt ndodhesha aty për të zëvendësuar motrën time dhe nga një zëvendësuese u ktheva në protagoniste të filmit. Kjo ishte përvoja ime e parë kinematografike, një përvojë që e ruaj si një nga kujtimet më të bukura jo vetëm të karrierës, por edhe të jetës. Por ishte vetëm një fillim që u pasua me shumë filma të tjerë.


Çfarë ndodhi me ty, pas këtij filmi, cila qe rruga që ndoqët më pas në kinema? A ka pasur persona të cilëve sot ua dedikon suksesin?


Pas "Gruaja më e bukur" mora pjesë në shumë filma të tjerë. Disa syresh ishin vërtet të rëndësishëm dhe janë bërë të famshëm, por ka të tjerë që kanë kaluar pa lënë ndonjë gjurmë të veçantë. E veçanta është se që në filmat e parë arrita të tërheq vëmendjen e të gjithëve dhe fitova një famë të menjëhershme. Për karrierën time nuk i detyrohem ndokujt në mënyrë të veçantë dhe njëherazi u detyrohem të gjithëve. Tani që i sjell në mend të gjitha vitet e punës mund të përmend emra regjisorësh të tillë si Monicelli, Ferreri …


Ka qenë në ëndrrat tuaja të fëmijërisë të bëheshit një aktore? Kur e kuptuat se aktrimi ishte profesioni i jetës suaj?


Kinemaja më ka pëlqyer gjithnjë. Gjithnjë më pëlqente ta krahasoja veten me personazhet e filmave që shihja, por sot e kam pak të vështirë të tregoj në të qenurit një aktore ka qenë pjesë e ëndrrave të mia të fëmijërisë. Por ajo çka provova, çka ndjeva menjëherë pas realizimit të filmit të parë ishte dëshira për të mos e lënë aty atë eksperiencë, por për ta çuar më tej. Në vitet e para më bënë nderin e madh të më krahasonin me një ikonë të kinemasë si Sofia Loren. Çfarë krahasimi! Sa për Sofinë unë për vete e adhuroj, e kam shumë për zemër.


Cili nga personazhet që ke interpretuar në film ka qenë më afër teje, e ke ndier më shumë?


Kam shumë personazhe me të cilat kam një lidhje të fortë që zgjat në kohë. Kjo ndodh pasi shpesh ka personazhe që të kumtojnë mesazhe të forta nga drama e tyre, e që rastësisht kjo mund të përputhet edhe me pjesë të karakterit, apo realiteti tënd personal. Nga galeria e shumtë e atyre që kam interpretuar më bën ende përshtypje personazhi i prostitutës në filmin "Histori të një çmendurie të zakonshme". Ajo është paksa e marrosur dhe plot dritëhije.


Ju jeni shumë e njohur në Shqipëri dhe me interpretimet përkrah Adriano Çelentanos. Cilat janë raportet tuaja me Çelentanon?


Janë shumë kujtime mes meje dhe Çelentanos, në xhirime…Mund të them se është një nga partnerët në film me të cilin jam ndier më komod dhe sigurisht jam kënaqur më tepër. Janë shumë gjëra mes nesh….


Jeta juaj duket aq e bukur. Ka pasur momente të trishta në jetën e Ornelës?


Jeta është një larmi ndjenjash e përjetimesh, sigurisht edhe ngjarjesh. Ka momente të bukura, por edhe të trishta e dramatike, apo jo?


Po momentet e lumtura (nëse mund t‘i quajmë kështu)?


Në këtë aspekt e konsideroj veten me shumë fat. Jeta ka qenë shumë bujare me mua në të gjitha aspektet, në atë afektiv, material, kam pasur sukses dhe shumë fëmijë. Po, po, jam vërtet një grua me fat dhe me fat të mirë të kuptohemi.


Një grua si ju nuk mund t‘u shpëtojë asnjëherë pyetjeve mbi meshkujt. Cilat janë raportet tuaja me ta?


Raportet me meshkujt i kam pasur të mira. Dy ish-bashkëshortët e mi i kam dashur shumë dhe aktualisht, vazhdoj të kem raporte të mira. Në jetë jo gjithmonë takojmë burrat e duhur. Mua më duket se fati më ka ndihmuar edhe në këtë drejtim.


Çfarë është dashuria për ju?


Sigurisht, është gjëja për të cilën ia vlen të luftohet dhe jetohet. Unë jam një grua që jam e dashuruar, kam qenë shpesh dhe dua të jem e dashuruar deri në fund të jetës sime. E dua dashurinë. E dua edhe Stefanon, partnerin tim aktual.


Ka qarë ndonjëherë Ornela?


Jam një tip melankolik dhe të them të drejtën lotët janë pjesë e ekzistencës sime. Mbaj mend një mori rastesh që i kam përdorur. Nuk më vjen turp kur vërtet e ndiej se duhet të qaj dhe nuk më vjen turp të qaj para të tjerëve, sikurse nuk u druhem edhe të qesh apo të flas. Lotët janë mjet shprehës, mjet komunikimi, si edhe të qeshurat e çdo gjë tjetër. Qaj shpesh dhe ajo që provoj pas lotëve është një lehtësim e çlirim që nuk ma jep gjë tjetër.

 

Vajza juaj, Nike Riveli, po provon të jetë artiste. Cili është suporti që ju i jepni asaj?


Po ime bijë aspiron sikurse edhe unë të bëhet aktore, madje ka marrë pjesë jo pa sukses në disa filma. Unë e ndjek nga afër dhe mundohem që t‘i jap këshillat e duhura në momentin e duhur, por pastaj, ajo sigurisht si për çdo gjë tjetër duhet të vendosë vetë, duhet të pyesë zërin e saj të brendshëm dhe të bëjë zgjedhjet e saj. Aktualisht, ajo sapo ka mbaruar së xhiruari filmin amerikan "Varre të hapur".

 

Cila është jeta juaj tani?

Aktualisht, po kaloj një fazë të qetë të jetës sime. I kam gjërat në proporcionin e duhur në një ekuilibër e baraspeshë interesante. Kohën e ndaj mes kinemasë, televizionit dhe …familjes.


Teksa shihja intervistat që keni dhënë edhe për media të tjera, shoh që gjithnjë shpreheni shumë pak. Mos do t‘ia besoni sekretet tuaja ndonjë libri autobiografik?


Ah, është mënyra ime e të rrëfyerit. Për sa i përket idesë suaj për të shkruar…Të shkruaj për jetën? Ndoshta. Ndoshta një ditë mund të vendosë që t‘ia besojë të fshehtat e karrierës dhe historitë personale një autobiografie. Por për momentin nuk kam asgjë konkrete.


Na rrëfeni pak për kohët e arta të kinemasë italiane, kur ju ishit një ikonë e saj. Çfarë ndodhte pas gjithë atij shkëlqimi?


Ah, ato janë kohë të shkuara. Me gjithë distancën e madhe në vite që na ndan prapë i ruaj ndjesitë magjike, atmosferën fantastike dhe antike që sot është zhdukur, por duhet të pranojmë faktin se kohët ndryshojnë.


Cili është opinioni juaj për kinemanë sot?


Unë personalisht, kam raporte shumë të mira dashurie dhe vlerësimi me kinemanë franceze, por për të punuar do të doja të punoja me regjisorë italianë si Salvatores, Muçino dhe Tornatore.


Keni parë ndonjë film shqiptar dhe nëse keni parë çfarë ndjesie ke provuar?


Të them të drejtën nuk kam ndonjë njohje të veçantë me kinematografinë tuaj, por mendoj se do të lidhem me emrat e saj. Ndoshta do të xhiroj një film me ndonjë regjisor tuajin. E dua Shqipërinë… shumë… është një vend ndjellës.


Në Itali ka shumë shqiptarë, të cilët janë bërë të njohur në muzikë, kinema… Ju njihni ndonjë prej tyre?


Jo. Nuk njoh askënd personalisht.

Të gjithë burrat i kam dashur


"Jo gjithnjë në jetë takon burrat e duhur". Çdo grua e di mirë se sa shumë kushton të mos takosh një të tillë, se si jeta e saj mund të shndërrohet në një film të cilin ajo as nuk e kishte parashikuar se mund të ishte i tillë… Por për Ornelën, divën e kinemasë italiane, duket se jeta e ka takuar me "burrat" e duhur… Jo vetëm në punë, por dhe në jetën private ajo ka takuar ata për të cilët edhe tashmë kur nuk është më në krahët e tyre, ajo ndihet mirë që i ka takuar. Aktorja, e cila është divorcuar dy herë, rrëfen se ruan raporte të mira me dy ish-bashkëshortët. Alessio Orano, ka qenë bashkëshorti i saj i parë. Lidhja me të ka qenë në të njëjtën kohë si me kinemanë, pasi bashkë janë njohur gjatë kohës kur interpretonte në filmin "Gruaja më e bukur". 14-vjeçarja Riveli nuk kishte si të mos vihej re nga aktori, i cili në intervistat e dhëna kohë më parë e quan "dashuri me shikim të parë". Lidhja e tyre do të zgjaste vetëm 6 vjet duke u divorcuar në vitin 1981. "Kur një lidhje merr fund, është e kotë të gjesh arsyet që e çuan drejt fundit". Ndaj dhe Ornela dhe Alessio asnjëherë nuk u munduan të gjenin shkaqet e ndarjes, megjithëse mosha në të cilën ajo vuri kurorë ishte një arsye e fortë për të pritur më pas lëkundje në jetën sentimentale.

Një grua e prirur ndaj së bukurës, e ndjeshme dhe ashtu siç pohon dhe vetë, gjithnjë e dashuruar, në vitin 1988 ajo do të vinte kurorë me Fedricho Façheti, një tjetër lidhje që do të kishte të njëjtin fund.

Pas kësaj ndarjeje, Ornela nuk ka preferuar më të vejë kurorë, e bindur se ndihet më mirë kështu me dashurinë në mënyrën e tyre me Stefanon, burrin që thotë se e dashuron tepër…

 

Në një film me Kledi Kadiun


Ornela Muti ka mbërritur për herë të parë në Shqipëri në vitin 2003, kur kurorëzoi "Miss Albanian". Ai udhëtim i shkurtër e ka bërë atë ta kujtojë vendin tonë si një "vend ndjellës. Ndërsa për shqiptarët, ajo kujtohet dhe për rolin që ka pasur në një film bashkë me balerinin Kledi Kadiu "Nesër është një ditë e re", nën regjinë e Guliana Gamba-s. Në këtë film, Ornela kishte rolin e një zonjë të bukur (Ema), të martuar me një burrë dhjetë vjet më të madh dhe me tre fëmijë të rritur: Nicole (Andrea Bosca), Betta (Valentina D‘Agostino) dhe Lulu (Ana Dalton). Gjithçka shkon mirë në jetën e saj, ajo është e martuar prej njëzet vjetësh me Paolo-n (Paolo Malco), një sipërmarrës i cili i ka siguruar gjithmonë një jetë të rehatshme dhe pa probleme. Në këto rrethana, ajo ia ka dedikuar gjithë kohën dhe jetën e saj bashkëshortit dhe fëmijëve duke e kthyer familjen e saj në boshtin rreth të cilit rrotullohet gjithë bota e saj prej gruaje. E ka kultivuar dashamirësinë e saj me të njëjtin kujdes që ka kultivuar kopshtin e saj, gjithmonë delikate dhe e duruar, e disponueshme dhe optimiste. Aq optimiste sa për të mos vënë re jetën e dyfishtë të bashkëshortit të saj, i cili e tradhton prej disa vitesh me sekretaren, me të cilën madje ka dhe dy fëmijë. Dhe mikja e saj më e mirë, Camilla (Katia Richiarelli), është në dijeni të një fakti të tillë, por nuk ka kurajën t‘ia thotë. Një gjë të tillë e zbulon vajza, Beta dhe kështu bota e Emës thyhet në mijëra copa. Krenare dhe kokëfortë, Ema krijon një "mundësi të dytë", një punë që lind nga një pasion i vjetër, një stil i ri jete dhe një dashuri me emigrantin e ri, Yassin (Kledi Kadiu). Nga pasioni i saj për kopshtarinë merr jetë dhe "Trëndafila dhe lule", sipërmarrje e tërë femërore të cilën e ndan me Camilla-n, mikja e hekurt e ideve vullkanike. Kthimi në shtëpi te fëmijët, të cilët vazhdojnë ta shohin në rolin e Emës së vjetër, e vështirëson udhëtimin e saj drejt rritjes dhe autonomisë, por pa e bllokuar atë.

Marre nga : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama