Për pesë net me radhë, në qytetin e Fierit është zhvilluar festivali i aktrimit “Apollon ‘07”, për t’u mbyllur mbrëmjen e së premtes me ndarjen e çmimeve për aktorët më të mirë. Ky ka qenë dhe edicioni i gjashtë i këtij festivali mbarëkombëtar i organizuar me mbështetjen financiare të bashkisë së qytetit. Sivjet kemi parë të ngjiten në skenën e teatrit “Bylis” trupa teatrore të ndryshme nga Vlora, Elbasani, Saranda, Teatri Kombëtar, teatri “Oda” i Tetovës apo kompania private teatrore “Kronus”. Drejtori i festivalit “Apollon ’07”, Klajdi Marku, e ka përshëndetur mbylljen e edicionit të gjashtë të këtij aktiviteti si një tjetër vit të suksesshëm për festivalin mbarëkombëtar të aktrimit. Të ftuar të posaçëm, përveç konkurruesve në këtë festival, kanë qenë edhe emra të njohur të skenës sonë si Tinka Kurti e Drita Pelingu, Albert Verria e Margarita Xhepa, Lazër Filipi, etj. Po kështu, kanë qenë të pranishëm edhe kritikë të dramës, të cilët e kanë quajtur festivalin jo vetëm si një paradë shfaqjesh, por edhe si mundësi promovimi të talenteve të reja.
Gjatë diskutimeve dhe debateve të zhvilluara, prof. Adriatik Kallulli ka veçuar shfaqjen e teatrit “Oda” të Tetovës, të titulluar “Emigrantët”, duke u shprehur se “ndihet nevoja e niveleve të aktrimit që ta kalojnë mesataren”. Ndërkaq, mendimi i artistes së mirënjohur Drita Pelingu ka qenë se nevojitet një përsosje regjisoriale për teatrot shqiptare dhe kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet specializimeve të ndryshme, brenda e jashtë vendit. Ky festival filloi me teatrin e Fierit, me regjisor Mehmet Xhelilin, i cili vuri në skenë dramën “I burgosuri i katit të 15-të”. Kjo pjesë zbërthente marrëdhëniet sociale në jetën e përditshme, ku mes shumë ndodhive futet paraja dhe individi “sëmuret” me lakminë për t’u pasuruar me çdo kusht. Por në anën tjetër është pikërisht individi ai që vendoset nën trysninë e veseve dhe shoqërisë, duke u ndier i burgosur në një realitet paradoksal. Një shfaqje tjetër interesante ka qenë ajo e Teatrit të Sarandës me të cilën studiuesi dhe kritiku Josif Papagjoni kësaj here ka ardhur në rolin e regjisorit.
Teatri “Skampa” i Elbasanit ka sjellë në “Apollon ‘07” shfaqjen “Surpriza”, me tekst të Fadil Krajës dhe regji të Donard Hasanit, me aktorët Ilmi Belshaku, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi, Desantila Kristo, Lisa Kujovska, Rezart Veleshnja, etj. “Rëndësia e të quajturit i ndershëm”, kështu titullohet komedia e Oscar Wild, e sjellë në skenën e “Bylis”-it nga teatri “Petro Marko” i Vlorës. Regjisor i kësaj shfaqjeje ishte Roland Minga, ndërsa në trupën e aktorëve kanë qenë Vladimir Habilaj, Astrit Mamaj, Eliona Thomaraj, Eli Veizi, Vasillaq Godo, Ilirian Aliaj dhe Artan Islami. Teatri Kombëtar i ardhur nga Tirana është përfaqësuar në “Apollon ‘07” me shfaqjen “Preja” të Xho Ortonit, me regji të Robert Budinës. Aktorët që korrën duartrokitjet e publikut falë interpretimit të tyre në këtë komedi ishin Luiza Xhuvani, Fatos Sela, Helidon Fino, Bujar Asqeriu, Neritan Liçaj e Sokol Angjeli. “Zyshë e dashur” dhe “Guxim për vrasje” ishin dhe dy shfaqjet e fundit të festivalit që u mbyll mbrëmë në Fier. Shfaqja “Guxim për vrasje”, me regji të Arta Kallabës dhe interpretimin brilant të aktorit të njohur nga Kosova Enver Petrovci, përfaqësonte Teatrin e Prishtinës. Ajo është vënë para pak kohësh edhe në Akademinë e Arteve të Bukura në kryeqytet ku është pritur shumë mirë nga publiku.
Petrika Grosi - Gazeta Albania











