Menuja e merimanges

Menuja e merimangës

"Dreka e merimangës", të shtunën dhe të dielën në Akademinë e Arteve

Në kuadër të projektit "Teatri nomad", iniciuar nga Rajoni i Pulias dhe CEI – dhe Nisma Qendrore Evropiane, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të qytetit të Smederevos (Serbi), nesër më 19 maj dhe të dielën, në orën 18.00- 21.00, në sallënBlack Box të Akademisë së Arteve të Tiranës, kompania teatrale "Koreja" vjen me "Il pasto della tarantola" që do të thotë, shija teatrale e produkteve tipike salentine.

Dy aktoret kamariere Maria Rosaria Ponzetta e Yvonne Mazzotta, shoqërojnë spektatorin – klient në zbulimin e shijeve që ndoshta patë drejtë quhen "tipike", kur në vërtetë zbulohet një traditë e lashtë, një kulturë (jo vetëm materiale) e vendit ku ka lindur kjo menu. Dy aktoret që gjatë shfaqjes 20 minutëshe dublohen nga imazhet në video, shfaqen në një tryezë altar ku janë radhitur produktet ushqimore. Një skenë që nuk do shumë mund për të të kujtuar se kemi të bëjmë me një teatër me origjinë në ritualet dionisiake të mitit. Sensualiteti i Rozarias, vajza merimangë, një ikonë që është gruaja simbol e Salentos, përzihet me aromat e tokës dhe ushqimeve e ftojnë spektatorin të shijojë peshkun e marinuar me shafran, verën, domatet e thara.

Madje mund të shijojë edhe muzikën që dy vajzët dëgjojnë përmes kufjeve, muzikën tradicionale nga vendi më jugor i Italisë, prej nga vjen kjo menu "tipike", e cila mund të demonstrohet pesë herë në harkun kohor të një dite.

Dreka me merimanga propozon një sintezë poetike dhe artistike të kuzhinës në teatër, duke krijuar një raport shumë të drejtpërdrejtë mes skenës dhe spektatorit, mes aktorëve dhe publikut një ritëm që duhet të prekë fijet e emocioneve dhe pasioneve njerëzore. Është një homazh për kulturën dhe shijet nga Salento. Me këtë vepër të shkruar dhe realizuar nga Silvio Panini dhe Paolo Pagliani, nën drejtimin e Franco Ungaro, drejtor organizativ i Korejas, dhe me protagonizmin e dy aktoreve Mara Rosaria Ponzetta dhe Yvonne Mazzotta, trupa e Leçes ka tre vjet që po bën me sukses turne përtej Italisë.

Po të shtunën, më 19 maj në orën 09.00, gjithnjë në Akademinë e Arteve në Tiranë, në sallën e Pedagogëve do ta mbahet një takim me temë "Bashkëpunimi artistik dhe kulturor mes Pulias dhe Shqipërisë" me pjesëmarrjen e agjentëve kulturorë puliezë dhe shqiptarë, artistë dhe përfaqësues të institucioneve. Do të jetë një rast për të këmbyer informacion për projekte të përbashkëta në vazhdimësi. Në takim do të marrin pjesë drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Flavia Tibaldi, Avni Halimi, shef kabineti i ministrisë maqedone të Kulturës; Kastriot Caushi, rektor i Akademisë së Arteve, regjisorë dhe drejtorë teatrosh shqiptarë.


E. D. - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama