Bylis ne gjurmet e nje kantine te lashte vere

Bylis, në gjurmët e një  kantine  të lashtë vere

Zbulimi i fundit është një punishte vere me të gjithë aksesorët e saj, të cilët nuk ndryshojnë nga punishtet artizanale të ditëve të sotme. Gërmimi i arkeologëve, që janë në shumicë francezë, i shtrirë në tri pika, ka pasur si qëllim zbardhjen e mëtejshme të vlerave arkeologjike që mbart ky park, që për nga madhësia e shtrirjes dhe e objekteve të gjetura, cilësohet si më i madhi në Ballkan. Arkeologu Skënder Muçaj tha dje për gazetën "Shqip" se, "Puna tre vjeçare e kësaj ekspedite është drejt kristalizimit të një qytetërimi modern e madhështor të pazbuluar më parë. Të bindur për vlerat e padiskutueshme, kemi mundur që të zbardhim e të pastrojmë krejt një punishte, që nga studimet e deritanishme del se prodhonte verë dhe pak nga pjesët e zbërthyera tregojnë, se ajo mund të ketë qenë edhe punishte vaji. Qeramika dhe guri me të cilat është ndërtuar, jo vetëm punishtja, por edhe "makineria" përpunuese, të çon shumë pranë një punishteje vere".

Enver Goxhaj, një tjetër pjesëtar i kësaj ekspedite, shpjegon se "në sipërfaqen prej 45 metrash katrorë, të titulluar sektori Nr 2, janë zbuluar dy qypa që akoma nuk janë boshatisur në pjesën e brendshme, por nga materialet e deritanishme në pjesën e jashtme, krejtësisht të zbuluar e të pastruar, del se janë përdorur për të konservuar verën. Një govatë, si dhe një ulluk shumë pranë qypave të sigurojnë se kanë funksionuar për të shtrydhur dhe kulluar bërsinë e rrushit, gjatë përpunimit për t‘u kthyer në verë. Po ashtu, shumë pranë kësaj punishteje vere, është zbuluar edhe një pus. Deri tani, ne kemi arritur të gërmojmë në brendësi të tij për afro katër metra dhe materiali i ndërtimit të tij është vetëm me gur". Por puna dhe në dy sektorët e tjerë të gërmimit ka nxjerrë në sipërfaqe edhe objekte të tjera të reja, që mbajnë datën e zbulimit 17 maj 2007. Në sektorët nr. 1 dhe 3 ka vijuar paraqitja e mëtejshme të bazilikave të tjera. Grupi i ekspeditës është përbërë nga 5 francezë, që vijnë nga shkollat më të mira arkeologjike të Parisit, si dhe nga ajo e "Paskal Shëvalje", ndërkohë, në përbërje të tij janë edhe një kanadeze, dy grekë, si dhe dy shqiptarë. Ata e kanë të tretin vit radhas që gërmojnë në Bylis". Kjo ekspeditë ka nxjerrë plotësisht në sipërfaqe edhe pesë bazilika, të cilat tregojnë se popullsia e Mallakastrës, përpara rrënimit të qyteteve antikë, ka qenë e krishterë. Skënder Muçaj, arkeolog që ka studiuar mjaft mirë të gjitha zbulimet e viteve të fundit në Bylis, thotë se "5 bazilikat, që ne i përmbledhim nën titullin ‘Kompleksi Peshkopal‘, tregon se feja e popullit që jetonte në këtë zonë ka qenë e krishterë".


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama