Fiona Sampson Poezia pertej thjeshtezimit

Fiona Sampson: Poezia  përtej  thjeshtëzimit

"Largësia mes nesh" të sjellë nga shtëpia botuese "Ideart". Pjesëmarrëse në edicionin e tretë të Festivalit të Poezisë "Poeteka", që po zhvillohet këto ditë në Durrës, poetja e njohur angleze Fiona Sampson ishte e para që bëri të martën edhe leximin e tekstit poetik të librit të saj. Vargje të autores, kumte të përcjella prej saj natyrshëm erdhën në një bashkëbisedim të Sampson me Gentian Çoçolin, në Muzeun Etnografik të qytetit, ndërsa aktori Arben Derhemi interpretoi poezi të sajat nën tinguj muzikorë.

Në të parin takim fizik me Shqipërinë, në një intervistë për "Metropol", ajo pranon të flasë thjeshtësisht për një pjesë të vetvetes krijuese të vendosur në raport me vende, kohë, ngjyra, apo tinguj.

Çfarë është poezia për ty? Pse shkruan?

Shkruaj poezi sepse më pëlqen shumë të luaj me gjuhën dhe më pëlqen poezia. Dhe është e natyrshme: nëse pëlqen diçka vetiu të vjen kurioziteti për të eksploruar, për të zhbiruar në misteret dhe bukuritë e saj. Po të më jepej një zgjidhje mes poezisë dhe fiction-it në Britani do të zgjidhja "fiction"-in, sepse më jep më shumë para dhe më shumë popullaritet.

Cila është poezia e parë që keni shkruar?

Kam shkruar poezi që kur kam qenë fëmijë, si shumë poetë të tjerë. Kam pasur një mësues që në shkollën fillore që më nxiste shumë të shkruaja. Pas shkollës fillore poezia gati m'u fshi nga mendja për shumë vite. U desh të shkoja në universitet të rigjeja poezinë dikur të humbur, me lexime dhe më pas të më vinte dëshira për të shkruar.

A mendoni se poezia sot është "në rrezik" dhe paksa "e braktisur"?

Në fakt më shumë se sa rrezik bëhet fjalë për një situatë nën presion. Poezia është gjithmonë në një lloj trysnie. Rreziku i globalizmit që po përjetojmë ka të bëjë me rrezikun e thjeshtëzimit të gjërave, të situatave. Vetë poezia nuk mund të futet në këto lloj kallëpesh, pasi s'mund ta thjeshtëzosh poezinë ose t'ia përshtatësh atë situatës apo globalizimit, sepse e dëmton atë. Por nuk jam dakord as me mendimin e kundërt që poezia i takon vetëm një grupimi të caktuar, një lloj elite njerëzish. Edhe njerëzit më të thjeshtë deri edhe te kamikazët kanë aparatin e tyre të përjetimit të poezisë. Pra, bëhet fjalë për një poetikë që e kanë dhe njerëz jo profesionistë.

Sipas jush cili është raporti apo marrëdhënia mes poezisë, ngjyrës dhe muzikës?

Është një pyetje shumë interesante, sidomos për mua që kam studiuar muzikë. Ka qenë një betejë e vërtetë që poezia t'i ngjajë poezisë dhe jo poezia muzikës.

Çfarë është moderne për ju te poezia dhe mendoni se poezia mund të futet në përkufizime të tilla?

Moderniteti në gjuhë të ndryshme merr edhe kuptime të ndryshme. Në Britani modernitet do të thotë postmodernizëm.

Në një farë mënyre është një kundërveprim ndaj traditës.

Sa i njihni poetët dhe poezinë shqiptare?

Nuk e njoh mirë. Njoh vetëm Ismail Kadarenë, por vetëm kaq. Kjo është dhe arsyeja përse menjëherë e pranova ftesën për këtë festival, që është një mënyrë direkt për t'u njohur me letërsinë shqipe.


Blerina Goce - Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama