Parku Kombetar i Apolonise grabitet nekropoli

Parku Kombëtar i Apolonisë, grabitet nekropoli

Alarmin për shkatërrimin e vlerave historike kombëtare e kanë dhënë drejtuesit e Parkut Kombëtar të Apolonisë si dhe grupi arkeologjik i shpëtimit që vepron në këtë zonë. Dëmi i shkaktuar është i madh. Nisur nga përcaktimi arkeologjik, përveç vlerës materiale, dëmi ka një vlerë të madhe të trashëgimisë historike e kulturore. Kërkimet dhe grabitjet në zonën në fjalë, që përfshin grykën midis kodrave të Apolonisë si qytet dhe Kryegjatës si zonë, bëhen dhe në ditën me diell. Kjo ndodh nisur edhe nga fakti se parku kombëtar ka një shtrirje të madhe rreth 250 ha e nuk ruhet nga shërbimi policor në të gjithë sipërfaqen, sidomos në pjesën e dhunuar. E gjithë lugina ka gjurmë të freskëta të gërmimeve. Madje, në anë të një rruge këmbësore duken qartë shkatërrimet e elementëve historikë të një varri, ndërsa në qendër të kodrës, që mban brenda vetes më shumë se një mijë varre antike, gërmimeve të viteve të shkuara ua kanë zënë vendin gërmimet e reja, të cilat kanë nxjerrë në sipërfaqe gjurmë të qeramikave të ndryshme si dhe të mbulesave të varreve.

Banorët e zonës pohojnë se “në ditë të ndryshme të javës, në këtë varrezë gjigante vijnë edhe turistë të ndryshëm të shoqëruar nga shqiptarë”. Një banor u shpreh se kishte parë, duke kërkuar me një aparat të posaçëm, një të huaj dhe një shqiptar. “Ndërsa në zonën tonë ekziston mendimi se në varre ka florinj. Kjo është dhe arsyeja që bëhen të tilla gërmime”, - tha një banor, një bari me një tufë me dele që kulloste mbi sipërfaqen e varreve të lashta. Nga ana tjetër, drejtori i Grupit Arkeologjik të Shpëtimit, Lorenc Bejko, u shpreh: “Në këtë rast kemi të bëjmë me një grup njerëzish që merren me tregtinë e vlerave antike dhe shteti në këtë rast nuk mund të bëjë rolin e shurdhit apo të memecit”. Sipas tij, Nekropoli tumolar i Apolonisë është një nga burimet dhe pasuritë më të rëndësishme të botës mesdhetare arkeologjike. “Padyshim që vendosja e parkut arkeologjik këtu, pavarësisht nga masat që janë marrë, ka një specifikë të veçantë, ka në administrim një territor të madh, nga më të mëdhenjtë e parqeve të Mesdheut”, - thotë ai. Ndërkohë, pyetjes së bërë nga gazeta “Albania” lidhur me shkatërrimet e dëmtimet që janë bërë dhe nëse mund të kemi një trafik të vlerave tona historike e kulturore në këtë park kombëtar, specialisti Bejko iu përgjigj : “Padyshim kjo nxitet edhe nga ekzistenca e një rrjeti të trafikimit të këtyre vlerave dhe veprave.

Gjatë ditëve të fundit, këtu janë vërejtur ndërhyrje të shtetasve shqiptarë dhe joshqiptarë, për identifikimin e pasurisë arkeologjike. Por kjo ndikohet edhe nga vështirësitë ekonomike të banorëve të zonës. Ka ardhur koha që banorët të jenë pjesë e zhvillimit dhe jo dëmtimit të vlerave tona kulturore”. Edhe drejtori i parkut, Marin Haxhimihali, jep sinjalin SOS duke kërkuar ndihmë nga strukturat përkatëse. “Parku Arkeologjik Apolonia ka një sipërfaqe prej 250 ha si territor dhe kjo do të thotë se ai është një nga parqet më të mëdha në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe një nga më të mëdhenjtë në Ballkan”, - thotë ai.


Në territorin e parkut përfshihen edhe rrethinat e këtij qyteti. Haxhimihali sqaron: “Zyra që unë drejtoj ka nisur punën për evidentimin e monumenteve dhe shenjave të trashëgimisë kulturore të dëmtuara në këtë territor, por, për fat të keq, ndihemi të pafuqishëm për shkak të madhësisë së territorit dhe mjeteve tona të kufizuara. Ndaj kërkojmë një bashkëpunim me organet e rendit në zonë dhe që puna të jetë e koordinuar, sepse nuk ia dalim të ruajmë një hapësirë kaq të madhe, ashtu siç do ta meritonte një territor i rëndësisë dhe përmasave të Apolonisë”.


Mendohet se në këtë pjesë të Parkut Kombëtar të Apolonisë janë më shumë se një mijë varre antike, që e bëjnë këtë tumë më të madhen në historinë e botës antike jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej. Ato shtrihen në Luginën e Kryegjatës, përballë Manastirit të Apolonisë, në vendin ku dikur ka kaluar Via Egnatia. Shkatërrimi që ka nisur prej kohësh po vazhdon me ritëm edhe në këtë periudhë, me një intensitet që s’po e ndal askush.


Reagimi i specialistëve

Lorenc Bejko

Drejtor i Grupit Arkeologjik të Shpëtimit

Ata që kanë shkatërruar këtë tumë kanë qëllim të drejtpërdrejtë shkatërrimin e vlerave tona të trashëgimisë. Institucionet tona arkeologjike kanë ndërmarrë një numër fushata gërmimesh në këtë zonë si dhe studime të pasurisë arkeologjike të këtij territori. Por, fatkeqësisht, në mënyrë shumë sistematike, gjatë viteve të mëparshme dhe duke vazhduar dhe në këto ditë që flasim, bëhen ndërhyrje në mënyrë klandestine nga banorë të zonës dhe të ardhur të përfshirë në rrjetin e lëvizjes së veprave të trashëgimisë kulturore. Këto janë në fakt rezultat i një pune sistematike të dëmtuesve të veprave arkeologjike në zonën e Apolonisë. E bëjmë me dije këtë problem për këtë park që përfaqëson një nga pasuritë më të mëdha të antikitetit tonë, por edhe të botës mesdhetare.


Marin Haxhimihali

Drejtor i Parkut Arkeologjik


Në këto ditë kemi marrë sinjalizime për disa ndërhyrje të paligjshme në pjesë të territorit të parkut. Menjëherë ne kemi bërë dokumentacionin përkatës, të cilin ia kemi përcjellë organeve kompetente. Por është urgjente vendosja e rojave në këtë territor, pasi rojat ekzistuese nuk mund ta mbulojnë të gjithë sipërfaqen e parkut. Ka ardhur koha që të konceptohet menaxhimi i Apolonisë si një qendër e përmasave mesdhetare, gjë që do të thotë një status i ngjashëm si ai i Butrintit, sepse është për të ardhur keq që ky qytet i lashtë të vuajë për mungesën e infrastrukturës, si pastrimi dhe siguria. Ne nuk mund ta quajmë të kryer detyrën tonë. Unë i bëj thirrje të gjitha instancave të Ministrisë së Kulturës si dhe organeve të rendit.

Marre nga : Gazeta Albania


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama