Greqia e Voula Papaioannou-t

Greqia e Voula Papaioannou-t

Greqia prezanton Javën Evropiane në Tiranë me emrin më të rëndësishëm të fotografisë të shekullit të njëzetë. Është Voula Papaioannou (1898-1989) dhe koleksioni i saj që ruhet në Muzeun Benakis i cili na paraqitet nga sot deri më 9 maj në Galerinë Kombëtare të Arteve si "Greqia: Një udhëtim fotografik në shekullin e 20-të". Ambasada e Greqisë në Tiranë është bërë ndërmjetëse për këtë emër sepse Papaioannou përfaqëson artisten që bëri epokë sidomos me artin e saj në kohën e Luftës së Dytë Botërore duke shfaqur prirjen si një "fotografe humaniste".

Voula Papaioannou nisi të punojë si fotografe gjatë viteve '30, duke u përqendruar më shumë në studimin e natyrës, monumenteve dhe arkeologjisë. Fillimi i Luftës së Dytë shënoi një kthesë në karrierën e saj, kohë kur nisi t'i përkushtohej pjesës civile dhe më të vuajtur të popullsisë së Athinës. Duke qenë e vetëdijshme që kamera e saj kishte forcën për të zgjuar ndërgjegje, ajo dokumentoi nisjen e trupave në front, përgatitjet për luftë, dhe kujdesin e dhënë viktimave të para të kofliktit. Kur kryeqyteti u mbërthye nga uria, ajo tregon në fotot e saj emocionuese tmerrin e luftës tek fëmijët e pangrënë e të dobësuar. Pas çlirimit, si anëtare e UNRRA-s, ajo vizitoi gërmadhat efshatrave greke duke fiksuar vështirësitë e kushteve të jetesës së banorëve. Papaioannou shpesh i kapërcente kufijtë e përgjegjësive të saj, duke bërë të paharrueshme portretet dhe historitë personale të njerëzve në fotografitë që më shumë flasin për dinjitet se sa për vuajtje. Këtë pasuri shpirtërore të artistes ka për të treguar dhe ekspozita që hapet sot në orën 17.00 në GKA në Tiranë.

Në vitet '50, vepra e Papaioannou-it fiton optimizmin që po ngrinte kokë pas luftës, njëherësh fiton dhe atë respektin për të ardhmen e njerëzimit dhe ruajtjen e vlerave tradicionale. Prapseprapë, fotografitë e saj dhe peizazhi historik grek nuk janë më shumë romantikë kur dëshmojnë ashpërsinë, thatësirën, dritën e banorëve si njërëz krenarë dhe të pavarur megjithëse të varfër.

Atë dimension humanist që ka vepra e Voula Papaioannou-t kritika beson se e ka thithur pikërisht në kohën kur abuzohej me të drejtat e njeriut gjatë luftës. Aparati i saj ka kapur luftën e patriotëve, pastërtinë dhe cilësitë që i kapërcen kufijtë kombëtarë dhe përforcon besimin në forcën e njeriut të zakonshëm dhe në vlerat e brendshme të jetës njerëzore.

Arti i Voula Papaioannou është njëherësh një udhëtim historik në kohë. Udhëtim që nis me atë fazë të parë të saj si fotografe në vitet 1935-1940; vazhdon me skenat nga jeta e Athinës në kohë lufte dhe deri në çlirim, 1940-1944; me temën e fshatrave greke të shkatërruar dhe të përpjekjeve për rindërtim (1944-1950); dhe mbyllet me kontributin e Papaioannou-t në pikturimin e Greqisë së pasluftës (1950-1955). Fotografia e saj gjithnjë lë më shumë të kuptojë se sa të informojë, të krijojë imazhe fotografike që përshkruajnë ngjarje të veçanta dhe që njëherësh e kapërcejnë kohën.

Kush është Voula Papaioannou

U lind në Lamia dhe u rrit në Athinë ku ndoqi kurse pikture në Universitetin Teknik. Në interesin për artet në përgjithësi, do ta ndihmonin shumë udhëtimet jashtë Greqisë, vizitat në muzetë duke qenë plotësisht e informuar për lëvizjet dhe rrymat në arte. Fotografia për të dikur ishte zbavitje, derisa e pjekur plotësisht ky art do ta thithte të tërën. Nisi të fotografojë për interes të Muzeut Kombëtar të Arkeologjisë. Në vitin 1940 e zgjeroi fokusin në temat sociale dhe punoi gjatë okupacionit italian dhe gjerman më pas. Duke pasur edhe sigurinë e përfaqësuesve humanitarë ajo fotografon viktimat e luftës, fatkeqësinë dhe fëmijët e uritur. Fotografitë e saj të realizuara gjatë pesë viteve të kësaj kohe dhe për pesë të tjerë të pasluftës janë një dokumentar social shokues. Që nga fundi i kësaj epoke dhe deri në sëmundjen e syve kur ajo detyrohet ta lërë fotografimin, forca e shprehëse e fotografisë së saj dobësohet dhe është diçka më shumë së një variant i bukur turistik i Greqisë, një Greqi e varfër, por e ndershme.

I gjithë arkivi i saj u transferua në Muzeun Benaki në vitin 1976.

Fotografitë e saj të realizuara gjatë pesë viteve të kësaj kohe dhe për pesë të tjerë të pasluftës janë një dokumentar social shokues. Që nga fundi i kësaj epoke dhe deri në sëmundjen e syve kur ajo detyrohet ta lërë fotografimin, forca e shprehëse e fotografisë së saj dobësohet dhe është diçka më shumë se një variant i bukur turistik i Greqisë, një Greqi e varfër, por e ndershme.


E.Demo - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama