Nje tunel i nendheshem nga Rusia ne Amerike

Një tunel i nëndheshëm nga Rusia në Amerikë

"Projekti, të cilin rusët po e koordinojnë në mënyrë të afërt me amerikanët, mendohet se do të ketë nevojë për 10 deri 15 vjet punime për të përfunduar", tha për gazetarët Viktor Razbegin, nëndrejtori i Institutit të Kërkimeve Industriale, strukturë e Ministrisë së Ekonomisë ruse. Sipas tij, ndërtimi dhe kontrolli i tunelit do t‘u lihet në dorë kompanive private, të cilat do të bashkërendojnë punën e tyre me organizmat shtetërore. Tuneli, që do të jetë rreth 100 kilometra i gjatë, do të jetë alternativë e një korridori transporti prej thuajse 6 mijë kilometrash, nga Siberia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tuneli do të jetë pothuajse dy herë më i gjatë se ai që lidh aktualisht Anglinë me Francën dhe është projektuar të ndërtohet në tri seksione, në mënyrë që të lidhë dy ishujt në ngushticën e Beringut, mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

"Bëhet fjalë për një projekt biznesi, jo për politikë", tha Maksim Bostrov, nënkryetari i agjencisë ruse për zonat me rëndësi të madhe ekonomike në një konferencë për shtyp. Autoritetet ruse do t‘ia paraqesin zyrtarisht projektin qeverisë amerikane dhe kanadeze ditët në vazhdim, saktësoi Viktor Razbegin. Sipas vlerësimeve paraprake, tuneli i ngushticës së Beringut do të kushtojë nga 10 deri në 12 miliardë dollarë, ndërkohë që pjesa tjetër e shumës do të shpenzohet për kompletimin e korridorit të transportit me strukturat e nevojshme. "Ky projekt është një përbindësh", tha Jevgeni Nadorshin në një intervistë, një ndër ekonomistët më në zë të Trustit të Bankës së Investimeve në Moskë. "Kinezët po bëjnë të pamundurën për të përfituar nga burimet tona dhe janë të gatshëm të financojnë ngritjen e disa rrugëve transporti, ndërkohë që ne po e çojmë naftën në Alaska. A mos nuk ka naftë në Alaskë"?

Car Nikolla II, perandori i fundit i Rusisë, ishte i pari që e aprovoi planin për ndërtimin e një tuneli të nëndheshëm nën ngushticën e Beringut. Kjo ndodhi në vitin 1905, 35 vite pasi gjyshi i tij pranoi t‘ua shiste Alaskën amerikanëve për 7,2 milionë dollarë. Do të ishte shpërthimi i Luftës së Parë Botërore ajo që do ta detyronte të hiqte dorë.

Tuneli i nëndheshëm do të përbëhet nga një hekurudhë me shpejtësi të lartë, nga një autostradë, nga gazsjellës e naftësjellës, si edhe nga kabllo për transportin e energjisë elektrike e fibra optike. Sipas një konference tjetër për shtyp, në atë që quhet partneriteti privato-publik do të bëjnë pjesë kompania e "Hekurudhave Ruse", "Sisteme të Unifikuara Energjetike" dhe operatori i ndërtimit e shfrytëzimit të naftësjellësve "Transneft". "Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka të ngjarë të marrin secila nga një buqetë prej 25% të aksioneve të tunelit, përmes investuesve privatë e agjencive ndërkombëtare të investimeve", u shpreh Razbegin, duke shtuar se "qeveritë do të jenë në rolin e garantuesve për paratë e privatëve". Tuneli do t‘i kursejë Amerikës së Veriut dhe perëndimit të largët rus rreth 20 miliardë dollarë në vit vetëm falë kostove energjetike, tha Vasili Zubakin, zëvendësadministratori i "Hydro OGK", kompani e unifikuar për energjinë hidrike, njëherësh edhe një prej investitorëve. "Transportimi i energjisë nga Lindja kushton më pak dhe falë burimeve tona potenciali është real", tha Zubakin. "Hydro OGK" ka në plan që deri në vitin 2020 të ketë përfunduar punimet për ndërtimin e hidrocentraleve të Tugurskajës dhe Pendzhinskajës, që të dy me kapacitete prej 10 gigavatësh në detin Okhotsk. Projekti parashikon krijimin e linjave të voltazhit të lartë me kapacitet më shumë se 15 gigavat, për të furnizuar linjat e reja hekurudhore, si edhe Amerikën e Veriut. Kompania "Hekurudhat Ruse" po punojnë për ndërtimin e hekurudhës që do të shkojë nga Pravaja Lena, në Jug të Jakutskit, në Republikën e Sakës, në Uelen e më pas në ngushticën e Beringut. Përmes kësaj rruge do të jetë shumë e lehtë transportimi i mallrave nga Siberia Lindore drejt tregjeve të Amerikës së Veriut, tha Artur Aleksejev, zëvendëspresidenti i Sakës. Dy krahinat zotërojnë pjesën më të madhe të rezervave minerare të Rusisë, "ndërkohë që vetëm 1,5% e këtij potenciali shfrytëzohet aktualisht për shkak të mungesës së infrastrukturave dhe kushteve shumë të rënda atmosferike", tha Artur Aleksejev.

"Me një trafik mallrash që llogaritet të prekë vlerën prej 100 milionë tonësh në vit, vlera e investimeve për ndërtimin e tunelit do të mund të rikuperohet brenda 20 vjetësh", tha Zubakin: "Kjo linjë do të mund t‘u përgjigjet të gjitha projekteve tona aktuale dhe atyre që kemi për të ardhmen".

Japonia, Kina dhe Koreja shprehin menjëherë interesin e madh për projektin. Madje, kompanitë japoneze janë ofruar të paguajnë 60 milionë dollarë për çdo kilometër të tunelit, gjysma e çmimit të parashikuar sipas projektit, tha Razbegin

"Një gjë e tillë, padyshim do të ndihmojë për zhvillimin e Siberisë dhe zonave përreth, por një rezultat i tillë do të arrihej thjesht përmes përmirësimit të infrastrukturës dhe strukturave portale, ndërkohë që masa të tilla sigurisht nuk do të kërkonin investime prej 65 miliardë dollarësh", tha Nadorshin. "Me aq sa dimë, amerikanëve nuk u pëlqen aspak ta kthejnë Alaskën në një kanal transporti".


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama