10 ditë para turit të dytë dhe përfundimtar të votimeve për presidencën franceze, ajo që të bën përshtypje është heshtja e madhe rreth një çifti dikur të përfolur si për mirë, ashtu edhe për keq, çiftit Nikolas dhe Cecilia Sarkozi. Zonja Sarkozi u nda nga i shoqi për një kohë të shkurtër dy vjet më parë, për t‘u rikthyer më pas në vatrën familjare. E gjithë kjo histori u shoqërua nga një mbulim i jashtëzakonshëm mediatik. Zonja Sarkozi u shfaq përkrah Nikolasit, së bashku me bijat e saj bionde nga martesa e parë, në momentin e hedhjes së votës të së dielës së kaluar. Pikërisht kjo ishte hera e parë që të dy burrë e grua u shfaqën në publik së bashku, pasi gjatë fushatës elektorale Sarkozi u paraqit krejtësisht vetëm. Por edhe gjatë kësaj paraqitjeje, dukej një tendosje e madhe në marrëdhëniet e të dyve. Po t‘u referohemi disa thashethemeve të shtypit britanik këtë herë, që guxon shumë në këtë drejtim, thuhet se zonja Sarkozi e paska braktisur sërish të shoqin për dikë tjetër, pikërisht në mesin e fushatës më të rëndësishme të jetës së kandidatit të djathtë.
Madje, në disa sajte interneti qarkullojnë edhe këngë në frëngjisht për martesën e Nikolas Sarkozit. Një burim brenda partisë së këtij të fundit, Bashkimit për Lëvizje Popullore, i ka bërë të ditur gazetës britanike, "The Independent", se brenda partisë është një fakt thuajse i njohur ai i grindjes së fundit të Sarkozisë me të shoqen, çiftit që dikur konsiderohej si modeli i perfeksionit bashkëshortor dhe si shembulli i martesës së fuqishme. Megjithatë, duke iu referuar sërish burimit, ndoshta edhe këtë herë mund të bëhet falë për një grindje të përkohshme e kalimtare. Ajo çka përbën me të vërtetë lajm në gjithë këtë histori, nuk është grindja mes Sarkozive, por fakti që një gjë e tillë në mesin e fushatës elektorale presidenciale, në çdo vend të botës do të përbënte një ngjarje shpërthyese, të paktën për mediat, ndërkohë që në Francë kjo kalohet me qetësinë më të madhe. Sipas ligjit francez, konsiderohet i paligjshëm publikimi i jetës private të njerëzve, qofshin këta edhe persona publikë. Ky ligj aplikohet edhe për të gjitha gazetat e huaja që publikohen në Francë.
Ligji është shumë i qartë, por sigurisht lë vend në këtë rast për diskutime në lidhje me jetën e trazuar e aspak të qëndrueshme emocionale të çiftit Sarkozi, për më tepër kur kemi të bëjmë me një "braktisje" nga ana e së shoqes në një moment shumë kyç të fushatës elektorale. Pyetja që bëhet është: Nëse kandidati ndodhet në një situatë të tensionuar familjare, a ka të drejtë që ta dijë opinioni një gjë të tillë? Për 14 vjet rresht media franceze as që e zuri në gojë faktin që Presidenti i atëhershëm i vendit, Fransua Miteran, bënte një jetë të dyfishtë me një familje të dytë, me të dashurën e tij, e cila i kishte dhënë edhe një vajzë.
Në një nga artikujt e fundit të rrallë që kanë dalë në shtypin francez nga e përditshmja "Liberation" në lidhje me "misterin Cecilia", një editorialist e quan të panevojshëm publikimin e jetës private të personave publikë, qofshin këta edhe politikanë. Megjithatë, këtu nuk bëhet fjalë për grindje brenda martesës, por për një largim të bashkëshortes, për më tepër kur dihet ndikimi që kjo e fundit ka pasur gjithmonë te Nikolas Sarkozi dhe për faktin se zonja Sarkozi ka edhe një zyrë të vetën në selinë qendrore elektorale. E ndërsa shtypi francez hesht sipas zakonit e ligjit për pjesë të rëndësishme të jetës private të personave që kanë fatin e popullit në dorë, një nga publicistët dhe komentatorët e shquar të vendit, një person që ka shkruar shpesh në lidhje me marrëdhëniet e politikës me median franceze, është shprehur se "martesa e Sarkozisë është dhe duhet të jetë një çështje të cilën media nuk duhet ta injorojë, apo ta lërë në errësirë. Ajo injorohet jo sepse një gjë të tillë e ndalon ligji, por sepse mbështetësit e kandidatit kanë frikë, pasi një gjë e tillë do ta trondiste jo pak pushtetin e të djathtit.
Marre nga : Gazeta Shqip











