Kontakti me fotot e ‘900-ës të realizuara nga Marubi, do ta frymëzonin për një Bomarshe të stilit shqiptar. Nën këtë ide, komedinë “Berberi i seviljes ose të marrësh masa të kota” të Bomarshe, (Beaumarchais) Vinje e sjell krejtësisht bardhë e zi. I ka braktisur kostumet gjithë ngjyra apo veshjet fisnike spanjolle, që vet autori i sugjeron në veprën e tij. Premiera e kësaj vepre që për herë të parë vihet në Teatrin Kombëtar, do të shfaqet nesër në mbrëmje, ora 19.00. Vinje ka ndërtuar një skemë krejtësisht të ndryshme nga vëniet e tjera të tij. “Pikënisja për këtë komedi ishin fotot e Marubit. Gjatë vizitës së parë në Shqipëri unë u njoha me kulturën dhe më la një përshtypje të veçantë kontrasti i këtyre fotove bardhë e zi. Kjo më shërbeu si frymëzim për të zgjedhur “Berberin e Seviljes”, - shprehet regjisori.
Pjesa është realizuar sipas shqipërimit të Klio Evangjelit. Idesë së tij bardhë i zi i kanë qëndruar për shtat veshjet e realizuara nga Anila Zajmi. Një ndërthurje mes fustanellave shqiptare të burrave me një shije fisnikërie. Për këtë vepër, që në kontaktet e para të këtij bashkëpunimi, Vinje mbërrin në Tiranë për të zgjedhur kastin e aktorëve. Te Roland Trebicka, Luiza Xhuvani, Helidon Fino, Neritan Liçaj, Marko Bitraku, Fadil Kujovska, do të gjente mishërimin e personazheve të shekullit të XVIII-të. “Jam i kënaqur për bashkëpunimin me aktorët. Sigurisht që ka qenë e vështirë, pasi unë nuk di shqip dhe kemi pasur probleme të komunikimit”, - shprehet Vinje, i cili për realizimin e kësaj komedie ka pasur pranë edhe asistent regjisorin Vasjan Lami.
Berberi në shqip
Pak skena nga provat tregojnë se “Berberi i seviljes” ose “Masa të kota” mund të flasë shumë mirë edhe shqip. E ardhur si një bashkëpunim i Teatrit Kombëtar, i iniciuar nga ish-drejtori Armand Bora dhe i vazhduar nga Kristaq Skrami me Ambasadën Franceze, kjo shfaqje do të jetë një eksperiencë e re. Jo vetëm për aktorët që luajnë në të, por edhe publiku që do ta shijojë. Regjisori i është larguar skemës klasike të kësaj vepre të shkruar para Revolucionit Francez në vitin 1773. Erik Vinje e ka konceptuar si një ndeshje mes së bardhës dhe së zezës, e dukshme në kostumet, në personazhet, dritëhijet si dhe në skenografinë e realizuar prej tij. “Kjo komedi vjen si një teatër muzikal. Kjo vënie shkon përtej teatrit klasik duke përfshirë lëvizjet, muzikën, dritën dhe hijet dhe e gjitha kjo ka qenë një frymëzim për mua”, - thekson regjisori.
Ndërsa edhe vet aktorët e pranojnë se kjo është një punë e bërë për herë të parë në këtë formë. “Është një eksperiencë e bukur dhe që në fillim kemi punuar me kërkesa të qarta regjisoriale”, - shprehet Luiza Xhuvani, e cila në këtë pjesë është Rozina, gruaja që burgoset nga xhelozia e doktor Bartolos, interpretuar nga Neritan Liçaj. Por dashurinë e saj pretendon ta fitojë edhe konti spanjoll, Almaviva (Roland Trebicka). Fati atij do t’i prijë kur takohet me ish-shërbëtorin e tij Figaro (Helidon Fino), i cili punon si berber në Sevilje. Ai mund të hyjë në pallatin ku qëndron e burgosur Rozina dhe kështu mundëson takimet mes saj dhe kontit Almaviva. Personazhet e tjerë interpretohen nga Marko Bitraku si Don Bazili dhe Fadil Kujovska si noteri.
Efektet
“Berberi i seviljes” mund të konsiderohet si një prodhim shqiptar në tërësinë e tij. Idesë së regjisorit Erik Vinje i bashkohen kostumet të ngritura mbi veshjen qytetare të Veriut me fustanellat e Jugut, por edhe muzika e kompozuar posaçërisht për këtë pjesë nga Fatos Qerimi dhe që do të interpretohet live. Skenografia e konceptuar nga vet regjisori është ndërtuar sërish në funksion të idesë bardhë e zi. Një faqe e lartë, si një rrjetë e rrallë me të bardha e të zeza, është ndërtesa ku qëndron e burgosur Rozina. Ndërsa efektet janë menduar edhe nëpërmjet ndriçimit që ka ardhur nga Franca. Për të është kujdesur inxhinieri francez, Pascal Noel. Realizimi teknik i kësaj vepre e cila është mbështetur në një ndriçim special, që do të evidentojë në mënyrë simbolike një dantellë gjigande sa e gjithë hapësira e skenës.
Oliverta Lila - Gazeta Shqiptare











