Meditimi si nisje

Meditimi si nisje

Të lexosh dhe të studiosh (si rrjedhojë e një joshjeje të madhe) librin "Mbi shpirtëroren në art" të Vasili Kandinskit është vërtet një kënaqësi, të cilën në pak libra mund ta gjejmë. Të konspektosh një libër të tillë aq sa është pulsim risish, gjithpoaq është dhe përgjegjësi që shkakton jo pak pikëpyetje. I kam shikuar dhe vazhdoj t‘i shikoj me vëmendje pikturat e Kandinskit; gjithashtu kam lexuar disa herë mendimet e tij të thella mbi artin dhe kam provuar të njëjtën ndjesi/thellësi, si te pikturat po ashtu dhe te shkrimet e tij. Këtu më kujtohet ajo thënia e gjetur (sipas një poeti, i cili është akoma në këtë jetë, ne vetëm gjejmë) e shkrimtarit të njohur italian Dino Buxati, i cili thotë: "Të shkruarit dhe të pikturuarit për mua janë një gjë".

Kandinski njihet si mjeshtër i kompozimit në pikturë, sidomos te punimet e periudhës së fundit të krijimtarisë. E njëjta dukuri haset edhe në shkrimet e tij, veçanërisht në librin "Mbi shpirtëroren në art". Çdo kapitull i këtij libri mbart të kompozuar, kësaj radhe me shkronja, botën e brendshme të këtij artisti, i cili padyshim është një nga mendimtarët më të shquar të shekullit XX në fushën e artit.

Liria krijuese për artistin është aq e domosdoshme për jetën e tij artistike, sa vetë ajri për jetën e tij materiale. Për shembull, po të krahasojmë një "vepër arti", e cila i porositet artistit (dhe normalisht ai duhet ta bëjë ashtu siç i kërkohet nëse e pranon porosinë), me një vepër tjetër të të njëjtit autor, fare lehtë do të vërejmë kontrastin e madh që ekziston ndërmjet tyre, madje që në shikimin e parë. Kjo ndodh për faktin se kur artisti bie në udhëzimet e dikujt, në një farë mënyre e ndërpret historinë e tij, pra i shkëput lidhjet me dimensionin/realitetin e dhuratës, e cila vjen nga lart (një nga rastet ku sublimohet marrëdhënia vertikale e njeriut), emri i të cilës është: frymëzim. Në këtë rast ai e "refuzon" atë. (Sigurisht, nga nevoja për mbijetesë).

"Ka ardhur sot dita e një lirie", thotë Kandinski diku në librin e tij. Kjo thënie, ose ndryshe ky optimizëm i Kandinskit, nuk ka si të kuptohet ndryshe, përveçse, dita e një lirie (e një shpërnguljeje) prej kthetrave të materializmit, i cili po feks më shumë se sa nevojitet, duke cenuar kështu anën/pjesën tjetër të ekzistencës.

Pra, nuk bëhet fjalë për asketizëm, e gjitha kjo përpjekje konsiston në kapjen e kuptimit të duhur dhe, për një pranim në masën e duhur. Ndryshe nuk mund të kuptohet ky optimizëm, sepse -falë Zotit - liria në art nuk ka qenë prezente vetëm në kohën e Kandinskit (duke mënjanuar hë për hë rastet ku është ushtruar censura), sigurisht, ajo ka ekzistuar dhe do të ekzistojë mbase sa vetë bota. Nuk mund të imagjinohet dot bota pa art. Përmes largimit nga tërësia e gjërave që duken, Kandinski, jo rastësisht gjeti artin abstrakt, art ky i cili synon krijimin e imazheve të reja nga brendësia e vetë artistit, si përpjekje për të shmangur çdo ngjashmëri me rruzullin e fakteve. Në një farë mënyre thelbi përcillet në një mëvetësim nga tradita e kaluar, siç e quan edhe vetë Kandinski: "Domosdoshmëria e së brendshmes". Gjithashtu, ai thotë: "Syri i artistit duhet të drejtohet kah jeta e tij e brendshme dhe veshi i tij duhet te ngrihet pipëz për të dëgjuar zërin e domosdoshmërisë së brendshme". Në një vend tjetër, ai shprehet: "Të gjitha mjetet janë të shenjta nëse janë të nevojshme përbrenda. Nëse nuk rrjedhin nga burimi i domosdoshmërisë së brendshme të gjitha mjetet janë mëkate".

Punimet e para të Kandinskit ishin impresive, ekspresive, madje në disa raste dhe disi romantike.

"Një artist që për veten e tij nuk ka synime të imitojë, as artistikisht fenomenet e natyrës dhe që është krijues e që do dhe duhet të shprehë botën e tij të brendshme, e sheh me zili se sa natyrshëm dhe me çfarë thjeshtësie arrihen synimet e tij prej artit më imaterial të kohës: muzikës. Është e kuptueshme që ai të kthehet drejt saj dhe të kërkojë të gjejë të njëjtat mjete me artin e tij".

Besoj se është mirëpritur një këshillë e tillë nga Kandinski, jo vetëm për faktin se ai është "shkaku" i artit abstrakt, por edhe për një arsye tjetër; përveç pikturës ai eksperimentonte edhe muzikën.

Në pikturat e Kandinskit të bie në sy pa ndonjë siklet (ndoshta nga shpërfillja e mjetit fiks; në fakt çdo mjet është fiks) ndikimi i muzikës, te ngjyrat dhe te linjat, sidomos te këto të fundit. Në këtë kontekst ai thekson: "Shprehja aromë e ngjyrave përdoret shpesh. E, më në fund dëgjimi i ngjyrave është kaq i saktë, saqë me siguri nuk do të gjenim dot njeri që të përpiqej të jepte përshtypjen e një të verdhe bërtitëse me baset e një pianoje apo të krahasonte karminin e thellë me zërin e një sopranoje".

Vasili Kandinski njihet si një eksperimentues sui generis i ngjyrës dhe i formës. Diku aty rreth viteve 1910, nisi të shfaqej metamorfoza e pikturës së tij. Elementet figurative nisën të shumëfishohen gradualisht, derisa u zhdukën thuajse përfundimisht.

Arti abstrakt, që ndryshe është quajtur edhe "art jofigurativ", nuk është një risi që i atribuohet vetëm shekullit XX. Dihet që në fenë islame dhe atë hebreje, vizatimi i qenieve njerëzore dhe qenieve të tjera që kanë shpirt nuk lejohet (kjo ndalesë ka të bëjë me sytë). Për rrjedhojë, arti islam preku arritje të larta në artin dekorativ, duke mos harruar këtu edhe kaligrafinë e famshme. Në vitin 1910, Kandinski pati fatin të shikonte një ekspozitë të hapur nga një grup myslimanësh në Munih, një stil tërheqës dekorativ, që ia kishte dalë të shmangte qeniet me shpirt. Pra, te çdonjëri krijim subjekti shkrihej nëpër "lojën" e thellë të ngjyrave dhe të formave që buronin aq lirshëm. Nga kjo ekspozitë Kandinski u ndikua shumë dhe po në të njëjtin vit ai realizoi veprën e parë abstrakte.

Unë mendoj se kjo është ajo liri e paçmuar për të cilën me të drejtë bën thirrje, i cili tanimë, nuk ishte vetëm, por pranë tij u afruan edhe shumë artistë të tjerë të mirënjohur si, Kasimir Malewich, Paul Klee, Franz Marc, Alexei von Jawlensky etj. Këta artistë ishin disa nga më të spikaturit në bordin e avangardës së atyre viteve, të cilët së bashku sollën ndryshime të mëdha në konceptimin e arteve pamore.

Udhëtimi i Kandinskit drejt jetësimit dhe përhapjes së kësaj lirie është i gjatë e me shumë sprova. Vështirë të gjendet ndonjë artist që nuk vuan. Kjo vuajtje/brengë nuk duhet kuptuar përmes optikës së zhargonit të rëndomtë, sepse siç duket dallimi është që në rrënjë. Në një vend të traktatit Kandinski thotë: "...nuk ka "duhet"... në art. Arti është përjetësisht i lirë. Ai ikën sa herë që përballet me një "duhet"…, ashtu siç ikën dita kur përballet me natën".

Por, përkundër mundimeve dhe refuzimeve që ka hasur në jetësimin e këtij qëllimi, ai arriti të shprehë qartë mesazhin e tij, qoftë si piktor, qoftë si teoricien, këtë të fundit ai e bëri pikërisht me librin: "Mbi shpirtëroren në art", nëpërmjet të cilit shfaqi mendimet e veta që shërbyen si një ilaç vërtet efikas për mënjanimin e adhurimit të stërzgjatur blatuar materies në artet pamore. Rreth së njëjtës problematikë, poeti i shquar Lasgush Poradeci, shprehet: "Përballoja çdo situatë me durim, sepse Zoti nuk vonon kurrë të na shpërblejë për durimin tonë".

Në hyrjen e librit, Kandinski shkruan: "Vetë ekzistenca e artistit është bërë e ndërlikuar, relativisht e rafinuar dhe vepra që do të gulfojë prej tij do të provokojë te spektatori i aftë për to emocione më delikate se ato që mund të përshkruhen me fjalët tona. Sot, spektatori është rrallëherë i aftë që t‘i ndiejë drithërima të tilla. Ai kërkon në veprën e artit ose një imitim të thjeshtë të natyrës, i cili mund të shërbejë për synime praktike (portrete në sensin banal të fjalës etj.) ose një imitim të natyrës, që përmban një farë interpretimi, një pikturë "impresioniste", ose tek e fundit gjendje shpirtërore të maskuara nën forma natyrore (ajo që quhet atmosferë)".

Çdo lëvizje e re në art ka hasur kundërshtime, paragjykime dhe, në të shumtën e rasteve, mospranimin e publikut. Vetëm një rreth i kufizuar - i kufizuar në kuptimet më të rëndësishme të këtij termi - ka shfaqur interes dhe dëshirë për komunikim. Deri këtu s‘ka asgjë për t‘u habitur. Një nga shkaqet kryesore që kontestohen lëvizjet e reja, është fakti se ato "kundërshtojnë" frymëmarrjen ekzistuese artistike, e cila bart shenjtërinë e vet te përkrahësit e saj. Ky fenomen ka të bëjë thuajse me çdo lëvizje të re artistike.

Të marrim një shembull në lidhje me këtë fenomen: Një nga arsyet më me ndikim, që mundësuan lindjen e impresionizmit është dhe shpikja e aparatit fotografik. Tashmë impresionistët e rinj, natyrshëm dhe me të drejtë formojnë pyetjen e tyre: Meqë aparati fotografik, pa u lodhur fare për pak çaste "riprodhon" natyrën ose diçka tjetër ashtu siç është, pse ne duhet të vijojmë të njëjtën logjikë?

Kësisoj, kjo lëvizje kishte konsoliduar filozofinë e saj dhe argumentimi i tyre qëndronte pa luhatje brenda një kornize të strukturuar. Kështu pra, një shpikje e teknologjisë së asaj kohe, siç ishte aparati fotografik, u kthye në sfidë që kërkonte përgjigje dhe reagimi u shfaq aty për aty menjëherë.

Diku në pjesën e parë të librit, Kandinski shkruan: "Pas periudhës së gjatë të materializmit, shpirti ynë, që sapo ka nisur të zgjohet, mbart frymën e dëshpërimit, të mosbesimit, të absurdit dhe të kotësisë. Makthi i doktrinave materialiste, i cili e ka bërë jetën e universit një lojë të kotë e budallaqe, nuk është shpërbërë ende. Shpirti në zgjim e sipër ndodhet ende nën trysninë e makthit, veç një dritë e zbehtë drithëron si një pikë shumë e vogël në një rreth të madh të zi. Kjo dritë e zbehtë nuk është veçse një parandjenjë dhe nga frika se mos ajo është ëndrra dhe rrethi i zi realiteti, shpirti nuk ka kurajon ta shohë".

Faqet e këtij libri kanë arritur të na ndërgjegjësojnë, ose më saktë të na rikujtojë rëndësinë e madhe e të patjetërsueshme që bart shpirti për artistin si art përçues. Ky libër nuk është "disi i ngatërruar", madje unë çuditem si ka mundësi t‘i duket ndokujt i tillë, përkundrazi mesazhi i autorit është më se i shkoqitur dhe thirrja e tij është vërtetë sublime, pavarësisht se disave nuk u përkon me besimin dhe bindjet që kanë. E pranojnë apo nuk e pranojnë të tjerët këtë arsyetim, sigurisht kjo është çështje e tyre, por ama parimeve që përvijohen nga ky stad mendimi, nuk u zbehet gjallëria, madje sa më shumë mospranime të ketë, gjithpoaq shpalosen vlerat që ndërthuren ëmbël në brendësi të tij.

"Sikur mos të sëmureshim fare, s‘do ta dinim ç‘domethënie ka shëndeti. Sikur mos ta shijonim urinë, s‘do ta dinim ç‘kënaqësi është të jesh i nginjur. Sikur mos të kish luftëra, s‘do ta konceptonim vlerën e paqes…" Jostein Gaarder.


Kandinski mëton të ndezë në shpirt kumbime nëpërmjet ritmit "formal" dhe vibracioneve të pastra kromatike. Sipas tij, sa më shumë që artisti largohet nga vorbulla e mekanikes, gjithnjë e më tepër ka liri, papërsëritshmëri dhe krijimtari të vërtetë. Kështu, artisti arrin të zbulojë zërin e tij autentik. "Njih vetveten": Sokrati.

Gjetja me aq devotshmëri e detajit befasues, ndërthurjet "shokuese" të linjave plot jetë, liria e gurgullimit të ritmeve në pikturën e Kandinskit, të mbajnë afër duke i përjetuar gjatë. Loja misterioze e linjës dhe e ngjyrës në pikturat e tij nuk mund të quhet dhe nuk mund të jetë "lojë eksperimentale e sipërfaqësore" mbi telajo; assesi, mendoj se kemi të bëjmë me një paragjykim dhe me një vështrim të tipit kalimthi.

Po qe se mjaftohemi thjesht me këtë lloj vështrimi/qasjeje, sigurisht që është e pamundur të gjejmë apo të kuptojmë thelbin e çështjes. Duhet patjetër të ndalemi e të meditojmë qoftë edhe për pak çaste, nëse duam të ndërtojmë një marrëdhënie ndryshe me veprën artistike - larg trysnisë së komercializmit. Natyrisht kjo formë është e nevojshme të ushtrohet për të gjitha veprat e artit.

Meditimi e ka atë fuqi që të na mundësojë përjetimin e shenjave të ndryshme, sado abstrakte qofshin ato. Mona Liza (Xhokonda) nuk mund të përmbyllet vetëm si një arritje e Leonardos në ngjyrë dhe në formë, apo në teknikën që ai solli, sfumaton e tij të çuditshme; nuk mund të jetë vetëm kaq dhe për këtë mjafton si dëshmi fama e madhe/ndikimi e/i kësaj pikture. E pra, ky kthim, ose kjo afri në dhe ndaj vetvete(s), për të huajtur nga përjetimi dhe përvoja personale, për Kandinskin është "sine qua non" për nismën artistike.

Aroma e artit thuajse të gjithëve na përkujton ekzistencën e një të vërtete mbi njeriun dhe mbi botën, pra, thënë më hapur; arti është një urë drejt kësaj të vërtete.

 

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama