Dirigjenti dhe muzikologu i njohur Eno Koço ka ndërmarrë ditët e fundit një ekspeditë studimore në disa zona të rajonit jugor të vendit, kryesisht në Gjirokastër dhe Sarandë, për të grumbulluar informacion të drejtpërdrejtë për muzikën popullore polifonike që vjen nga thellësitë e shekujve dhe që vazhdon të interpretohet pothuajse origjinale në këto zona.
Iso-polifonia pa instrumente muzikore, sipas tij është një produkt muzikor që vjen me origjinalitetin e saj të papërsëritshëm nga periudha e lashtësisë epirote, por që fatkeqësisht këto "fosile" muzikore epirote asnjëherë nuk janë studiuar seriozisht nga muzikologjia shqiptare. "Në vëmendjen time si muzikolog janë të dyja aspektet e muzikës polifonike: muzika polifonike me iso liturgjike që këndohet në kishë dhe polifonia me iso që këndohet në popull, por gjatë këtij kalimi nëpër zonat e jugut të Shqipërisë jam më i vëmendshëm në vrojtimin dhe studimin e disa ndryshimeve në polifoninë labe, brenda dhe në periferi të së cilës shpesh herë gjen forma dhe mënyra të të kënduarit që ndryshojnë prej saj dhe që fatkeqësisht nuk janë studiuar si duhet deri tani".
Ekspeditës më të fundit që muzikologu Eno Koço ka ndërmarrë së fundmi në Dropull, në Antigone, në Gjirokastër, në Finiq, në Vurg dhe në Sarandë, i janë paraprirë disa udhëtime të tij të kryera në këto 3-4 vitet e fundit në zonën e Përmetit, në Fier, në Vlorë, në zonën e bregdetit të Himarës dhe në disa zona kufitare me Greqinë, që vendasit e quajnë "Pogoni i Poshtëm", në Konicë e Janinë. Gjatë kontakteve të shumta me folkloristë, studiues, interpretues dhe bartës të polifonisë me vokal e iso pa instrumente muzikore, Koço thotë se ka konstatuar ekzistencën e një shtrese të përbashkët harmonie muzikore. Mirëpo, paragjykimet, dasitë dhe mendësitë e vjetra pengojnë studimet kur depërtojnë edhe në muzikë. "Për shkaqe që nuk lidhen me muzikën, përdorimi në studime i termit "epirot" i tremb ndonjëherë studiuesit. Pikërisht për këtë gjë druaj edhe unë të them me plot gojën që e përbashkëta në të gjitha këto "fosile" të muzikës së lashtë shumëzëshe në jug të Shqipërisë dhe në veri të Greqisë qëndron te fakti se muzika epirote dallon shumë nga ajo e popujve dhe viseve që e rrethonin Epirin në lashtësi".
Madje unë personalisht, vazhdon pasardhësi i vetëm i këngëtares së madhe shqiptare Tefta Tashko Koço, nuk parapëlqej përkufizimin "polifoni", por përdor më së shumti termin "shumëzësh". Ky parapëlqim, sipas tij, nuk vjen për shkaqe paragjykimesh të kuptimit grek të fjalës "polifoni", por sepse shpesh në muzikologji, sidomos në Perëndim, fjala polifoni përdoret edhe për mënyra të tjera të shprehjes muzikore që përfshijnë përdorimin e instrumenteve. "Më duket sikur te termi ‘polifoni‘ përfshihen instrumentet dhe përjashtohet isoja, e cila nga ana e saj nuk është gjë tjetër veçse të kënduarit pa vegla e pa instrumente muzikore. Isoja është një zë i pandryshueshëm dhe pa shoqërim instrumental dhe si e tillë përbën një nga fenomenet muzikore më të vjetra, më origjinale dhe më primitive", nënvizon ai.
Eno Koço thotë se i pëlqen e lashta, sepse aty gjenden elementë të fortë dhe primitivë të të gjitha periudhave historike të jetës shoqërore, që nga periudha pagane e deri në ditët tona. Në këtë kuptim, Shqipëria është një "muze" i rrallë në pikëpamjen muzikore, thotë ai.
Nga hulumtimet dhe vëzhgimet e bëra prej tij, ai këmbëngul se muzika klasike kristiane e epokës bizantine sot ekziston vetëm tek arbëreshët në Italinë e Jugut, ndërsa muzika e sotme bizantine që këndohet në kishat ortodokse është muzikë me ndikime të muzikës orientale, pasi vetë perandoria bizantine, në përafërsisht ¾ e territorit të saj, shtrihej në territore dhe popuj të orientit.
Të gjitha ato motive muzikore që këndohen edhe sot e kësaj dite në këtë trevë, sipas tij, janë padyshim dukuri muzikore epirote. Muzika popullore shqiptare natyrisht që u ndikua nga muzika bizantine, por ajo e ruajti origjinalitetin e saj duke e forcuar vazhdimisht ison dhe karakterin e saj epik. Kur roli i Bizantit ra, rreth vitit 1453, vjen e rriten elementët kramatikë të isos. Terreni gjeografik në të cilën jam ndalur për të kryer këtë vëzhgim, sqaron më tej ai, përfshin brenda saj zona me identitet të fortë, të spikatur dhe tepër të larmishëm.
Të kënduarit shumëzësh të Çamërisë ndryshon nga të kënduarit në Labëri dhe në Himarë, sepse sipas informacioneve të marra drejtpërdrejt nëpërmjet njohësve dhe bartësve me të cilët ka komunikuar studiuesi, polifonia çame rezulton të jetë më e butë, më e shtruar, më lirike dhe për rrjedhojë edhe më orientale. Është e natyrshme për studiuesin që krahas tipareve të ngjashme dhe të spikatura, larmia dhe ndryshueshmëria është e pranishme edhe brenda zonave të ngushta, që në dukjen e tyre të ngjajnë si të njehsuara. "Për mua ishte mjaft interesante që disa njohës të polifonisë nga minoriteti grek ngulin këmbë në faktin që polifonia në gjuhën greke që këndohet në Dropull, ndryshon shumë nga ajo që këndohet në Vurg, ndërsa në zonën e Pogonit, edhe kjo e banuar nga minoritarë grekë, këndohet më burrërisht dhe kënga e tyre është më afër labërishtes", thotë Eno. Ndërsa fakt tjetër që e çuditi atë ishte informacioni që sollën njohësit e shkëlqyer të këtyre "ornamenteve" të veçanta të polifonisë pogonite, sipas të cilave Sopiku, një nga fshatrat e kësaj "krahinëze", këndon një polifoni që ndryshon shumë nga fshatrat e tjerë të saj si: Poliçani, Hllomoja, Çatista, apo dy-tri fshatrat e tjera të "Pogonit të Sipërm".
Në vijim të hulumtimeve të tij, Eno thotë se ka konstatuar që ndonëse kënga himarjote deri tani klasifikohet si "bërthamë" e labërishtes, gjatë këtyre vëzhgimeve studiuesit i ka rezultuar se ajo ka mjaft ndryshime nga "labja", apo sikurse e thërrasin vetë labët, "vënçja". Kënga polifonike toske në periudhën postbizantine, apo osmane, thekson Eno, ndryshoi pasi nisi të shoqërohej me instrumente muzikore. Instrumentet apo sazet, për Enon, e sfidojnë apo sfumojnë polifoninë. Kënga himarjote, ndryshe nga ajo toske, ruajti të paprekur karakterin e saj origjinal të të kënduarit me iso, mandej deri para periudhës komuniste ka qenë edhe më e spikatur në karakterin e saj origjinal, por gjatë periudhës komuniste erdhi duke u forcuar në karakterin epik.
Për të krijuar një lidhje më të fuqishme me territorin ku është kënduar në lashtësi kënga shumëzëshe me iso dhe pa instrumente muzikore, muzikologu Eno Koço vizitoi edhe disa nga qytetet antike të Epirit, si Apoloninë, Antigonenë dhe Foiniken. "Nuk mund të kuptohet dhe nuk mund të studiohet si duhet muzika e lashtë shumëzëshe me iso dhe pa instrumente muzikore, nëse nuk e vendos atë në hapësirat e teatrove dhe hapësirave të qyteteve antike ku ajo lindi dhe mori shkëlqimin e brilantit që nuk është zbehur aspak edhe sot e kësaj dite në të njëjtat treva", përfundon shpjegimet e tij ekskluzive për gazetën "Shqip" dirigjenti dhe muzikologu i njohur Eno Koço, pas përfundimit të ekspeditës studimore për polifoninë në jug të vendit.
Marre nga : Gazeta Shqip











