Terapia online Tendenca e pelqyer nga te rinjte

Terapia online: Tendenca e pëlqyer nga të rinjtë

Karrigia e pacientit përballë psikologes në Shtetet e Bashkuara ka dalë jashtë përdorimit dhe ashtu siç mendohej, vendin ia ka zënë ekrani i kompjuterit, tastiera dhe webcamera. Nëse në Shtetet e Bashkuara ka një bum terapish online, në Evropë janë duke u bërë eksperimentet e para. Studimet private ofrojnë këshillim me e-mail ose chat, projekte për pacientë që nuk mund të çohen nga krevati i spitalit, një forum eksperimental për adoleshentët e organizuar nga "Asl Roma E". Ky është një projekt me dhjetë persona, të cilët bisedojnë online në faqen e Universitetit të Barit. "E ardhmja e mjekësisë nuk është në rrjet", thotë Carlo Altamura, psikiatër në Universitetin e Milanos. "Ndërhyrja në internet ka shumë kufizime dhe është më tepër për ata pacientë të cilët nuk duan të paraqiten në studio". Para përdorimit të internetit, gjithçka bëhej duke pasur pacientin përballë. "Psikoanalizën deri vonë e kemi njohur si përballjen e psikologes dhe pacientit në një studio. Përballë problemeve normale, vuajtjeve që nuk arrijnë nivelin patologjik, ndërhyrja me anë të kompjuterit është e dobishme", shpjegon Altamura.

Janë të njëjtët profesionistë të psikologjisë që punojnë në rrjet dhe arrijnë ta përcaktojnë limitin. Vito Pisa, një psikoterapeut dhe përgjegjës i konsulencës online i faqes së internetit "psicologionrete.it", tregon : "Kemi një vit që eksperimentojmë një faqe në shumë vende të ndryshme dhe me disa kemi rreth tre takime në javë. Na ka qëlluar rasti të kemi pacientë, të cilët kanë tentuar të vrasin veten dhe i kemi këshilluar menjëherë që të shkojnë në shërbimet kompetente". Rrjeti ofron një të mirë shumë të madhe për ata që dëshirojnë të mbeten anonimë.

"Na kanë kontaktuar, shpjegon Pisa, gra të ndryshme, të cilat dyshonin për sjellje pedofilie nga ana e burrave ose partnerëve të tyre".

Të komunikosh nëpërmjet ekranit, tregojnë analistët, bën që të humbasë aftësia e komunikimit. "Sy për sy me pacientin mund të dallojmë të gjitha emocionet e tij, atë që fsheh pacienti në brendësi. Ndërsa në tekst të shkruar nuk kuptohet mirë ana emotive vizuale", tregon Domenico Messi. Është një problem, i cili duhet të studiohet se si të komunikosh diagnozën nëpërmjet kompjuterit. "Këshillimi online mund të ndihmojë për një terapi të konsoliduar, por nuk mendoj se mund ta zëvendësojë kontaktin direkt". "Kryesorja e komunikimit në psikoterapi është mimika faciale e pacientit dhe spontaniteti i tij", tregon Andrea Fossati, profesor i psikologjisë në klinikën "San Raffaele" të Milanos.

Eksperimenti i universitetit të Barit(www.psichiat.unibar.it), ideja e së cilës lindi nga një psikatër, nuk ka një përfundim terapeutik, por shërben si një ndihmë për të njohur më mirë veten. "Kohët e fundit është zbuluar që një tekst i shkruar përmban më shumë informacione se biseda orale. Të shkruash do të thotë të kesh aftësinë për të koordinuar mendimet personale. Kjo mënyrë na jep më shumë informacion mbi gjendjen mendore të individëve, që prezantohen me mijëra në rrjetin tonë".


Ekrani dhe webcamera

Terapitë online mund të përdoren nëpërmjet e-mail-it, chat-it ose kamerës së internetit. Por kjo e fundit ka humbur shumë elemente të analizës: një pjesë të mimikës faciale dhe gjesteve të pacientit, lapsuset dhe tonin e zërit, gjë që e bën më të vështirë komunikimin e diagnozës.


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama