Te vizatosh Ameriken nga xhamat e avionit

Të vizatosh Amerikën nga xhamat e avionit

Nëse dikush mund të përjetojë një ndjenjë frike për të parë qiellin e pafund dhe shtëllungat e mëdha të reve, apo shtëpitë e qytetet që duken si copëza të vogla kutish nga larg, artisti Alban Muja i ka ripërsëritur këto momente në letër duke i vizatuar. Ekspozita e quajtur "Stacion" është hapur disa ditë më parë në Qendrën për Artet Bashkëkohore në Prishtinë, me kurator Albert Hetan dhe sjell pikërisht këtë rrëfim jo të zakonshëm në art të një artisti. 20 vizatime dhe një video e quajtur "Mali" rrëfejnë pikërisht atë çfarë ka ndodhur brenda artistit, ndërsa ishte vetëm një pasagjer në një avion.

Muja e quan më se normale që një artist të mundohet të shfrytëzojë edhe ato pamje që mund të duken të zakonshme. Arti është eksplorim në gjërat e padukshme, ndaj atij i pëlqen të ecë në këtë teori. Fotografitë e riprodhuara sipas asaj çfarë i diktonte kujtesa kanë ngjallur interes te publiku. Të bëra gati një vit më parë, kur udhëtimet e tij drejt SHBA-së ishin më të shpeshta, ato ruajnë të njëjtën ndjesi edhe sot. "Përshtypja ime e parë për Amerikën nga lartësia mbi 10 mijë metra, kur po i afroheshim këtij kontinenti, ishte se po shihja një punë artistike", thotë ai. I ulur pranë dritares, Alban Muja po shihte ravijëzimin e linjave të çuditshme, herë të drejta dhe herë të thyera, si të vizatuara me dorën e ndonjë fëmije lozonjar. Një vijë e trashë në horizontin që po kufizonte detin nga toka dhe njëkohësisht dritën nga errësira. Ishte si një garë mes ujit dhe tokës për të zënë sa më shumë hapësirë.

Herë toka futej thellë në det, ose krijonte vargje ishujsh, e herë deti depërtonte larg në brendi të tokës, ku shpesh puqej me vijat gjarpërore të lumenjve që vinin nga fundi i horizontit krejt të errur. Albani kishte pranë një marker të zi dhe ca fletë dhe filloi t‘i bënte shënime kroki të këtyre kompozicioneve. Më vonë, kur avioni lëvizte mbi zonat e banuara, atij i dolën përpara edhe trajtat e shumta gjeometrike të botës së urbanizuar që veç e veç synonin të ishin të rregulluara, por që si shumësi edhe ato krijonin kompozicione abstrakte. "Po shihja herë forma të abstraksionit ekspresiv, herë të abstraksionit gjeometrik". Në të dyja rastet përplaseshin stuhitë krijuese, o të Natyrës (ose, nëse doni, Zotit), o të Njeriut. "Më pas, për çdo udhëtim tjetër nga Lindja në Perëndim të Amerikës, ose mbrapsht, kërkoja gjithnjë që ta kisha ulësen pranë dritares, ‘Windows Seat‘. Dhe mbusha bllokun tim me vizatime të Amerikës, si duket nga lart". Imazhet që dikush mund t‘i quajë të frikshme, mund të shkrihen në letër për të na sjellë emocione të pazakonta, apo për të na treguar fuqitë që janë brenda artit.

 

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama