Globish sfidon latinishten

Globish sfidon latinishten

A mundet që gjuha e quajtur globale të bëhet "e përjetshme", apo ndoshta një ditë do të jetë e destinuar të vdesë ashtu siç ndodhi me latinishten? Subjekti i pyetjes mbi të cilën debatojnë me pasion historianë dhe linguistë, padyshim që është anglishtja, përhapja e të cilës në botë sot duket pa probleme, e ndihmuar në mënyrë thelbësore edhe nga fakti se është edhe gjuha e internetit dhe se rreth 80 për qind e informacioneve elektronike zgjedhin gjuhën e Shekspirit. Demografia mund të tregojë një rrugë ndryshe, duke qenë se kinezët, indianët dhe hispanikët rriten me ritme të panjohura në Perëndim, por gjithmonë e më shumë bijtë e Afrikës dhe Azisë që studiojnë anglisht për të luajtur si protagonistë të vërtetë në ndeshjen e globalizimit. Kështu, sot, një e katërta e popullsisë botërore është në gjendje ta flasë të paktën në një nivel elementar.

Në të vërtetë, "International Herald Tribune", në një shkrim investigativ të korrespodentit të saj aziatik, Seth Mydans, që është pjesë e një seri shkrimesh mbi globalizimin, ka shkuar të pyesë ekspertë të të gjitha fushave, duke gjetur pak skeptikë dhe shumë të bindur për teorinë e përjetësisë. David Crystal, autori i librit "English as a global language", nënvizon se për herë të parë në histori ekziston një gjuhë që flitet në çdo vend të botës dhe është dominuese në një mënyrë që nuk është menduar kurrë më parë. Ajo është jo vetëm gjuha e web-it, por edhe e shkencës, e trafikut ajror, maje edhe e xhihadit global, megjithëse është një gjuhë në evoluim të vazhdueshëm, elastike, e bastarduar. Ndoshta është ky çelësi i vetëm që mund t‘i sigurojë vërtet të ardhmen: aftësia për t‘u përshtatur dhe ndryshuar. Kështu, popujt e kolonizuar gjithmonë kanë besuar te gjuha e mbretëreshës, duke shkaktuar evolucione të mëdha.

Mjafton të mendosh për peshën e shkrimtarëve indianë, duke nisur nga Salman Ruzhdie. Megjithatë, për të ftohur optimizmin e tepërt, ka menduar Nicholas Ostler, autori i një libri mbi historinë e gjuhës: "Edhe në mesin e shekullit të 15, në Evropë e ardhmja e latinishtes dukej më se e vendosur", paralajmëron. Por nga ana tjetër ekziston edhe "rënia" e medaljes për triumfuesit anglosankson, që e ka treguar më mirë se të gjithë analisti i "New York Times", Thomas Friedman, në "Bota është e rrafshët". Sot, një i sapodiplomuar indian është në gjendje të bëjë të njëjtën punë si një moshatar amerikan me gjysmën e çmimit dhe në të njëjtën gjuhë. Pastaj, nëse universiteti ka të njëjtat programe dhe për më tepër në anglisht, atëherë kuptohet se përse gjysma e taksave të Manhatanit tashmë bëhen në Bombei.

Javën e kaluar, Alan Blinder, ekonomist i "Princeton" dhe asistent i Klintonit, ka lëshuar alarmin e tij rreth delokalizimit të vendeve të punës intelektuale, "pjellë" e shpërndarjes së internetit dhe anglishtes. "Në dhjetë vjet, shprehet ai, do të jenë në rrezik 40 milionë vende pune amerikane, që do të shkojnë në Lindje jo vetëm kontabilistë dhe analistë financiarë, por edhe disenjatorë grafistë, matematicienë dhe biologë". Studimi i tij është mbresëlënës dhe siç thotë Friedman: "Mendohuni mirë para se të zgjidhni universitetin për fëmijët tuaj, pasi pas pak vitesh shumë punë në Perëndim nuk do të ekzistojnë më". Sigurisht, vendi ku flitet më shumë spanjisht në botë është pikërisht SHBA, ku 18 për qind e popullsisë, 47 milionë persona, flasin në shtëpi një gjuhë që nuk është anglishtja. Madje në Santa Ana, në jug të Los Angelos-it, sipërmarrësit kanë prezantuar një fushatë prej 4,5 milionë dollarësh për t‘u mësuar anglishten punëtorëve.

Në këtë qytezë kaliforniane, me më shumë se 350 mijë rezidentë, më pak se 15 për qind e popullsisë flet anglisht dhe një zyrtar i aftë të shkruajë dhe të lexojë saktë gjuhën zyrtare të SHBA-së është tashmë diçka e rrallë. Por latinishtja, duke na treguar dhe fuqinë mijëvjeçare që ka pasur, shfaqet edhe atje ku nuk e pret, madje edhe pas kafesë së vogël "Nosh cafe" në Madison Avenue. "Non scholae sed vitae discimus", pëshpërit me zë të ulët kryetari Andrew Spitz: "Mësojmë për jetën, jo për shkollën". Ai ka ikur nga Hungaria në vitin 1956 dhe kujton: "Në Bukuresht, nëse duhet të bëheshe avokat, profesor apo mjek, duhet të studioje latinishten për pesë vjet. Për mua ngelet gjuhë universale, nuk kam harruar asgjë".


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama