Ishte po e njëjta skenë si pesë vjet më parë ku po në këtë skenë Inva Mula me zërin dhe sharmin e saj në "La Traviatën" e Verdit në fund të shfaqjes do të rikthej disa herë duke u përkulur përpara publikut. Me një zë perfekt, interpretim skenik të zjarrtë, 25-vjeçari Pirgu është kthyer protagonisti kryesor i mbrëmjes në sallën qendrore të "Royal Opara House" në Covent Garden Londër duke i habitur të gjithë. Ai për 90 minuta ka luajtur në rolin e Rinuçios. Publiku britanik ka vlerësuar zërin e Pirgut dhe është habitur për moshën e tij të re duke marrë përsipër interpretimin e një opere të vështirë. Ishte hera e parë që britanikët patën mundësi të ndjekin nga afër talentin shqiptar të Pirgut i cilësuar nga kritika austriake si "Pavaroti i Ri".
Në Londër, Saimir Pirgu është vlerësuar si një zbulim i vërtetë në rolin e Rinnuncio-s, duke dhënë një interpretim absolutisht të bukur të aries " Firenze è come un albero fiorito" dhe me një tonalitet të shkëlqyer gjatë gjithë veprës. Dominic McHugh, kritik opere është shprehur se "Saimir Pirgu premton të bëhet një nga tenorët lirikë më të mirë në të ardhmen, pas Rinuçios së habitshëm". Media britanike ka anashkaluar përmendjen e faktit se ky talent që po ngjit me shpejtësi shkallët e suksesit nga njëra skenë në tjetrën në të gjithë botën është me origjinë nga Shqipëria. Fatmirësisht, origjina e tij është shkruar në një revistë të "Royal Opera House" rreth kësaj opere.
"Për mua mbase do të jetë shfaqja më interesante, pasi kam interpretuar përkrah kolegëve me nivel si Antonio Papano apo Richard Jones, të cilët janë kolona të artit operistik botëror" u shpreh Pirgu. Sipas tij, vepra e Puçinit ka qenë relativisht e vështirë për t‘u interpretuar, pasi siç ai sqaron më tej, në të shkuarën është mësuar të interpretojë opera të gjata. Ndërsa në këtë operë janë vetëm tre personazhe që interpretojnë arie, ai në rolin e Rinuçios, Laureta dhe personazhi kryesor, Gianni Schiçki, gjë e cila, sipas Pirgut, bën që të jesh shumë konciz, pasi ke vetëm 90 minuta kohë ndryshe nga "Traviata" apo "Rigoleto" ku ke dy orë e gjysëm. Suksesi i Pirgut ka bërë që ai të sigurojë interpretime të tjera në skenën londineze në Covent Garden.
"Do të rikthehem në Londër në 2009 dhe në 2011 me produsksione të këtij niveli. Pas Londrës, Pirgu do të udhëtojë drejt Nju-Jorkut me një koncert recital e më pas për në Portugali me rolin e Rigoletos. Megjithëse axhenda e tij është e mbushur edhe për disa vite në vazhdim ai nuk e fsheh dëshirën që së bashku me Inva Mulën dhe Josif Gjepalin të organizojnë një koncert të përbashkët në Tiranë.
Marre nga Gazeta Shqip











