Tej famës dhe madhështisë si vepër, opera "Karmen" e të madhit Zhorzh Bize, tregoi të shtunën në mbrëmje perfeksionin e bashkëpunimit të artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj, të cilët ishin protagonistët e vënies në skenë të kësaj vepre. Një lojë e shkëlqyer, një sukses i padiskutueshëm.
Me regji të francezes Patrizia Panton, Orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit, nën dirigjimin e spanjolles Gloria Isabel Ramos Triano, përçuan një ansambël harmonik dhe origjinal, në atë që konsiderohet si opera më e dashur dhe më popullore për publikun. Publiku në sallë shoqëroi me ovacione të gjata muzikën e Bizet, e cila magjeps gjithkënd me delikatesën dhe kolorin e orkestrimit dhe me thjeshtësinë gjeniale që është përcjellë mjeshtërisht nga një kast këngëtarësh të talentuar si mexosopranoja Vikena Kamenica, tenori francez, Franck Asparte, baritoni Gëzim Myshketa, tenori i ri dhe i talentuar Erlind Zeraliu, Manjola Konjari, Ylber Gjini, Sidrit Bejleri, Marjana Leka, Eriona Gjyzeli, Shpresa Beka etj.
Gërshetimi origjinal i muzikës me fjalët, realizuar nga francezja Patrizia Panton, ishin shkrirë harmonikisht me një mendjemprehtësi të thellë, duke depërtuar dhe në shpirtrat e personazheve, të cilët jepeshin plot jetë dhe në pajtim të plotë me verën e kompozitorit. Kostumografia e realizuar nga italiania Sartoria Arrigo, koreografia nga Manjola Hasani dhe skenografia nga Alfredo Troisit, jepnin njëherazi atmosferën e kohës kur u shkrua kjo opera, ku shfaqet pa drojë shpirti i lirë i protagonistes së saj kryesore, Karmen, që shpërthen prangat e dashurisë dhe dashuron me një pasion e intensitet të egër.
Por po aq mjeshtërisht jepej në vepër edhe dashuria pasionante e Don Hozes, e cila kthehet në urrejtje kur ai ndjen se Karmen është duke u tallur me të. Dhe thika merr pothuajse një domethënie seksuale, duke konfirmuar lidhjen e ngushtë midis Erosit dhe Thanatos, një tragjedi e lashtë greke, e nënvizuar edhe në këtë operë. Dirigjentja spanjolle, Gloria Isabel Ramos Triano, tha e impresionuar se artistët shqiptarë ishin befasues për të. "Më pëlqente ta dirigjoja operën ‘Karmen‘, por edhe kisha kuriozitet të njihja këtë vend të mesdhetar", u shpreh Triano.
Dirigjentja spanjolle ka shprehur njëherazi edhe habinë e saj se si një vend kaq i vogël si Shqipëria të ketë një numër kaq të madh njerëzish që merren me muzikë dhe po aq të pasionuar pas saj.
Historia e "Karmen"
Opera "Karmen" e Bizet, shkruar nga Henri Meilhac dhe Ludovic Halévy, i zhvillon ngjarjet e saj në Sevilla (Spanjë). Ajo bazohet në romanin e Prosper Merimée dhe mishëron jetën andaluzë të Sevillas në fillim të shekullit XIX. Për publikun në përgjithësi, në çdo cep të botës sapo përmendet "Karmen" gjithkush e identifikon atë me Sevillan dhe famën e saj të zjarrtë. Vetëm tre muaj më vonë pasi shfaqi operën e tij të pavdekshme, Bizet vdiq. Vdekja e tij e parakohshme e bëri botën të mendonte se çfarë veprash të tjera të mëdha mund të kishte kompozuar ai në qoftë se vdekja nuk do ta bënte të heshte. Shumë është shkruar për fiaskon që pati kjo opera në premierën e saj, kur publiku borgjez u skandalizua nga historia imorale dhe vulgare; apo edhe kur gjatë periudhës naziste, Hitleri donte ta ndalonte shfaqjen e operës në skenat gjermane, për shkak të lidhjes familjare të Bizet me çifutët (gruaja e tij ishte vajza e kompozitorit çifut, Halevy).
Gazeta Shqip











