Nga flokët e saj të zinj tashmë s’ka ngelur asgjë. Janë zëvendësuar nga një e verdhë ari. As edhe nga ajo vajza e re, që dikur shumëkush mund ta ketë parë me syrin e një artisteje, jo vetëm sepse ajo nisi një rrugë me filmin, por sepse dukej se profesioni i të qenit aktore ishte i prerë për të. Por ja që për Elida Cangonjin gjërat ishin ndryshe. Ajo s’mund të ishte kurrë vajza e bukur që duhej të rendte pas rrobave të bukura, pas tualeteve dhe krehjeve që kërkonin rolet. Jo sepse asaj nuk i ka pëlqyer ndonjëherë të jetë e veshur bukur, por thjesht sepse në lidhje me këtë, ajo ka koncepte të tjera.
Por gjithsesi nuk ka qenë kjo arsyeja pse Elida Cangonji braktisi kinemanë e viteve ‘60, edhe pse ata pak role ishin vërtet të realizuar, aq sa mund të mjaftonin për t’i bërë vend të kastin e aktorëve me të ardhme. E tërhiqnin më shumë gjërat më ekzakte, siç ishte psikologjia. Dhe kjo do t’i linte më shumë hapësira për të qenë vetvetja, sidomos përsa i përket pamjes së jashtme, që ajo e ka vlerësuar gjithmonë si diçka që ka lidhje të ngushtë me karakterin e njeriut. Madje që e vogël filloi të brumosej me ide të tilla. Sepse, edhe kur rrobat e Elidës duhet të sajoheshin nga fustanet e vjetër të katër tezeve të saj, edhe kur nëna e saj do të kujdesej që ajo të ishte gjithmonë e veshur bukur, edhe kur për të shkuar në mbrëmjen e maturës dukej të merrte borxh fustanin e shoqes, për Elidën gjithmonë do të kishte rëndësi që rrobat e saj t’i përshtateshin me tipin. Edhe pse do të kishte dashur shumë që t’i kishte ashtu siç ajo i preferonte, pa u lodhur shumë për të sajuar nga copat që gjendeshin me aq vështirësi.
E gjendur gjithmonë rehat brenda veshjeve sportive, Elida ka mbetur përherë e dhënë pas stilit jo shumë modern. Madje edhe në atë kohë kur moda iu lejonte vajzave që të mbanin fundin mbi gju, ajo nuk e mbajti kurrë në atë gjatësi. “Nuk më shkonin sepse e kam pak të madhe pjesën e gjurit, por nëse moda do të kishte qenë me fund shumë më të shkurtër mbi kofshë, sigurisht që do ta kisha veshur”. Por nuk e pati fatin që të provonte ndonjëherë minifunde. U mjaftua me stilin e saj më shumë të rehatshëm sesa modern. Por që sigurisht e ka ndjerë shumë vështirësinë për t’u veshur bukur. Ka përjetuar radhët deri në të gdhirë para shkallëve të dyqanit të metrazheve dhe ka sajuar rroba më ç’të mundte. “Më kujtohet një vit kur shoqet e mia, të cilat kishin kishin më shumë rroba ngaqë kishin njerëz jashtë, vishnin funde skoceze, me kuadrate të kuqe, që mua më pëlqenin aq shumë. Por copë të tillë nuk gjeje dhe unë nuk kisha fatin e shumë të tjerave që të kisha të afërm jashtë shtetit. Por e doja një fund të tillë dhe e sajova më astarin e pardesysë të babait tim, e cila ishte një copë e ngjashme me kuadrate. Astarin më pas e zëvendësuam me një copë fanellate dhe unë më në fund u bëra një fund si të shoqeve të mia”.
Të njëjtën eksperiencë ka ndarë edhe në dasmën e motrës së saj, kur nga dy funde të vjetër u sajua një fustan që doli vërtet i bukur dhe që Elida e mbajti si një fustan shansi edhe për gjashtë vjet të tjerë. Kanë gjithmonë rroba të qepura tek rrobaqepësja, e cila ia kishte marrë dorën mirë shijeve dhe kërkesave të Elidës. “Vetë nuk më është dhënë kurrë të qep dhe të sajoj modele. Vetëm njëherë mbaj mend që kam sajuar një fund xhins me copën e një thesi të ardhur nga Kina. Ky ka qenë i vetmi rast. Gjithmonë i kam qepur rrobat te rrobaqepësja, kurse trikot m’i punonte mami. Dhe ishin vërtet nga më të bukurat dhe më të veçantat. Gjithmonë shoqet e mia i merrnin për model. Por unë vetë preferoja më mirë të lexoja një libër sesa të harxhoja kohën duke punuar triko”.
Një gjë që Elida nuk e ka bërë kurrë ka qenë kompromisi me rastin e veçantë. Edhe nëse rasti ia kërkonte që veshja e saj të ishte më e veçantë, Elida nuk harronte kurrë që gjithçka të ishte përshtatur me karakterin e saj. Një fustan i lirshëm apo një palë këpucë shumë të ulëta, të përshtatshme me ecjen e saj, që në fakt më mirë do të quhej vrapim. Por gjithmonë një veshje e kombinuar sipas vendit dhe kohës. Kurse sa për ngjyrat, e preferuara e saj ka qenë gjithmonë e kuqja, madje shumë vonë zbuloi edhe se ajo është ngjyra që i përket shenjës së saj të horoskopit, Akrepi.
Ndërsa tualeti ishte diçka që në asnjë pikë nuk përputhej me natyrën e Elida Cangonjit. Vetullat e saj mund të jenë hequr gjithsej vetëm tri herë dhe në ato pak herë ajo vinte re se ndryshonte aq shumë, sa i dukej se nuk kishte më asgjë të përbashkët me veten e saj. Madje i është dashur që t’i mbushë mendjen edhe stafit të “Rugë të bardha” që të mos e xhironin të ngarkuar me makijazh, por ashtu natyrale. Dhe pasi u bënë kinoprovat edhe me makijazh edhe pa të, grupi i xhirimit ishte në një mendje: Elida dukej shumë më bukur pa tualet. Ashtu siç është dukur e bukur gjatë gjithë jetës së saj, e veshur thjesht dhe pa e rënduar veten kurrë. “Kam lyer buzët me buzëkuq pasi kam mbushur 40 vjeç dhe po në të njëjtën moshë kam filluar edhe të përdor kremin e fytyrës. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem e thjeshtë dhe kam bërë këtë zgjedhje, por kjo nuk do të thotë aspak që i paragjykoj ato femra që bëjnë tualet apo vishen ndryshe nga unë”.
Disi më ndryshe janë marrëdhëniet me aksesorët. Ka preferuar që të mos e privojë veten nga kënaqësia e të mbajturit çfarëdolloj bizhuterish argjendi, përveç vathëve. “Më duket sikur më tërheq njeri nga veshi dhe vathët nuk i kam preferuar asnjëherë, madje as veshët nuk i kam të shpuar”. Dhe kur diçka i pëlqen, Elida nuk e njeh kompleksin e të pasurit drojë se çfarë do të thonë të tjerët. Një byzylyk që vendoset në pjesën e parakrahut dhe që Elidës i pëlqen shumë bën pjesë në ato gjërat e saj të veçanta dhe që ajo i vendos me shumë dëshirë, duke e kombinuar me veshjen e saj, e cila ai në Shqipëri ashtu edhe në Francë ku jeton momentalisht, është gjithmonë e thjeshtë dhe e përshtatur me tipin e Elida Cangonjit.
Klaudeta SKENDERASI - Revista Jeta botëror. Kush është Era Itaj, vajza me sytë e qelqta, që po bëhet gati të sfilojë në garën botërore të bukurisë. Planet dhe dëshirat e një studenteje ndryshe nga të tjerat.
Imazhi i revistës Jeta u shndërrua krejt papritur në imazhin e Shqipërisë në "Miss Univers". Vajza e brishtë, me vështrim të kaltër, e parë në kopertinat dhe makinat e revistës, tërhoqi vëmendjen e Fadil Berishës, i cili në një festë të organizuar enkas, e zgjodhi atë si përfaqësuesen e Shqipërisë në konkursin ndërkombëtar të bukurisë. Kumbara e saj atë mbrëmje u bë Eliza Dushku, që përveçse kurorën e së përzgjedhurës, të gjithë do uronin t'i kish dhënë ca nga ato recetat magjike të suksesit ndërkombëtar. Dhe Era, një fllad i lehtë, i rritur në faqet e revistës, tashmë fryn dhe përtej oqeanit, në Los Angeles, ku mes më të bukurave të globit, do te ketë edhe një të ardhur nga Shqipëria.
Një udhë e ndryshme kjo e Erës drejt konkursit ndërkombëtar të bukurisë. Ndërsa shumë vajza të tjera kanë tentuar ta çajnë rrugën nëpërmjet spektakleve të bukurisë, ajo aty ka mbërritur nëpërmjet revistës "Jeta", ku nisi karrierën si fotomodele dhe ku pasioni i saj për modën dhe fiziku plotësisht i përshtatshëm për këtë përmbushën dëshirat e vajzës, e cila nga fotot e para në revistë arriti të shndërrohej në imazh të saj. Bëhet e njohur dhe mbetet në të njëjtën kohë misterioze. Njerëzit që mahniten me sytë e saj bojëqielli, elegancën dhe fytyrën e ëmbël, bëhen gjithmonë e më të shumtë, sepse nuk janë vetëm ata që e shohin kur ajo kalon në rrugë.
Vajza që na përfaqëson në "Miss Univers", është ajo, imazhi i së cilës udhëton në Tiranë me makinën e revistës "Jeta" dhe nëse pyesni veten ku tjetër i keni parë ata sy, rasti do ketë qenë në kopertinat e revistës. Po, Era nga foto në foto gati-gati nuk kuptohet që është ajo. Veç bukurisë, është e bekuar me një karakteristikë tjetër, si të qëndisur enkas për një sukses të garantuar si fotomodele, sepse përherë sjell imazhe ndryshe. Por, që prej datës 27 korrik jeta e saj do të marrë një tjetër kthesë të madhe. Në ballon më të madhe e bukurisë në botë, Era nuk do të jetë me ëndrrat e saj, por me të dy këmbët që do të hedhin hapat më të rëndësishëm të karrierës së saj. Përherë të parë, gjithë emocionet, sekretet, planet ajo I tregon si e ftuar në shtëpinë e saj, në revistën "Jeta"
Si po e përjeton pjesëmarrjen në "Miss Univers"?
Jam shumë e lumtur. Më parë nuk e imagjinoja. Edhe pasi e fitova këtë të drejtë, më dukej si e parealizueshme, por tani është fakt dhe është gjëja më e bukur që më ka ndodhur. Është padyshim maja më e lartë ku unë kam arritur. Më duket se po prekja yjet ku unë lija ato dëshira që nuk guxoja as t'i thosha dhe që unë do ta mbaj gjithmonë me vete si një kujtim të mrekullueshëm. Kjo në aspektin personal. Për sa i përket atij profesional, mendoj se për mua që dëshiroj një karrierë në fushën e modës, kjo më ka shërbyer shumë. Jo vetëm është një dritare ndërkombëtare, por për vetë rëndësinë që ka ky konkurs, kam bërë për disa orë një hap që kërkonte një kohë shumë më të gjatë. Dhe e fundit dhe jo më pak e rëndësishmja, është përfaqësimi i Shqipërisë. Unë aty nuk do jem vetëm Era, por dhe vajza nga Shqipëria e ky besoj se do të jetë një emocion i veçantë, që shpesh shndërrohet edhe në një kërkesë dhe dëshirë më tepër për një përfaqësim sa më të denjë.
Si mbërrite në Miss Univers?
Në një party të zhvilluar nga revista "Jeta" në "Red Dragon", fotografi Fadil Berisha, në atë periudhë në Tiranë, do zgjidhte një vajzë shqiptare që do të shkonte në "Miss Univers". Në fund të mbrëmjes e përzgjedhura u shpalla unë dhe u kurorëzova nga Eliza Dushku. Pas kësaj duhej të përgatisnim një video prezantuese për në konkurs. Më pas s'më mbetet gjë tjetër veçse të merrem me veshjen me të cilën do prezantohem dhe në datën e duhur të nisem për në Los Angeles.
Si e priti familja dhe miqtë e tu?
Nga të gjithë kam pasur një mbështetje shumë të ngrohtë, siç ka qenë përherë edhe për bashkëpunimin tim me revistën. Në shtëpi ndiheshin krenarë për mua, kurse miqtë gjëja e parë që kanë bërë që kur mësuan se do shkoja në Los Angeles, ishte të porosisnin dhurata.Çfarë përvojash ke pasur në fushën e modës dhe të konkurseve të bukurisë? Para tre vitesh kam marrë pjesë në "Miss Albania". Në atë kohë isha 16 vjeç. Nuk mora asnjë çmim, por ai ishte hapi i parë në këtë fushë. Pastaj kam ardhur në revistën "Jeta", ku jam pranuar si modele dhe pastaj bashkëpunimi ka vazhduar. Kjo është një përvojë, pa të cilën nuk do kisha arritur deri këtu.
Dhe çfarë veçon deri tani në karrierën tënde?
Verën e kaluar unë u bëra imazh i revistës dhe kjo ishte diçka tepër e bukur dhe rëndësishme. Kurse tani "Miss Universi", që është e para eksperiencë ndërkombëtare e një niveli të tillë.
Si e sheh veten pas dhjetë vjetësh?
Një 29-vjeçare plotësisht e përkushtuar pas karrierës. Shpresoj që të jem bërë e njohur në fushën e modës. Unë do të mirëprisja ofertat që mund të vinin nga jashtë, por mendoj që karrierën time ta ndërtoj këtu. Dhe jo vetëm kaq, por unë shpresoj që të më përmbushet dëshira që në të ardhmen të jem një regjisore. Tani jam në vit të parë për turqisht, por nuk është ajo që dua. Studimet e larta dua t'i vazhdoj për regji dhe kur të mos mundem të bëj më modelen, sepse ky është një profesion që nuk mund të zgjasë shumë në kohë, atëherë të ndërtoj karrierën time si regjisore.
Krijimi i familjes nuk është në planet e tua?
Po, por pas dhjetë vjetësh më duket ende shpejt. Do doja që këtë periudhë t'ia kushtoja kësaj veprimtarie, që gjithmonë e kam ëndërruar. Çfarë do ishe e gatshme të sakrifikoje tjetër për karrierën? Unë do sakrifikoja shumë për atë që është shndërruar që tani në përparësinë e qëllimeve të mia. Unë këtë verë do konkurroja për regji dhe kam frikë se angazhimi me "Miss Universin" nuk do më lejojë që të jem e përgatitur mjaftueshëm. Por meqë mundësia për të qenë në të, erdhi tani dhe nuk përsëritet, unë mund ta shtyj për vitin tjetër shkollën.Çfarë të bën ty të veçantë në sytë e fotografëve? Dhe çfarë të pëlqen te vetja? Këtë e dinë ata. Kam dëgjuar më shpesh komplimente për sytë, por dhe për elegancën. Nuk mund të them diçka për veten.
A ke diçka që e sheh si një defekt tëndin?
Do doja të isha edhe më e gjatë. Ndërkohë diçka tjetër më shqetëson për sa i përket karakterit, jam shumë e ndrojtur dhe këtë ma vënë re të gjithë. Për një profesion si ky, lirshmëria e marrëdhëniet e hapura janë gati të domosdoshme dhe unë gjendem përballë këtij problemi me veten gjithmonë. Në aktivitete siç është dhe "Miss Univers" një nga gjërat nga të cilat trembesha më shumë është zgjidhja e këtij problemi që kam me veten.
Si e mban formën tënde trupore?
Kam pasur përherë këtë fizik. Nuk jam shumë e dhënë pas ushqimit dhe nuk bëj sport.
Disa modele abuzojnë për të mbajtur të njëjtën formë trupore. Ti çfarë do ishe e gatshme të bëje? Një përgjigje e dhënë tani do ishte thjesht hipotetike, sepse unë deri tani nuk kam pasur asnjë problem. Por mendoj se nëse një ditë trupi im nuk do t'u përgjigjet kritereve për të qenë në botën e modës, unë do largohe- sha nga ajo. As nuk e kaloj nëpër mendje të rrezikoj shëndetin, sepse ai mbetet shumë më i rëndësishëm se karriera.Çfarë duhet të ketë një vajzë për t'u bërë modele dhe për të qenë e suksesshme?
Duhet të ketë sigurisht fizikun. Në rast se ajo do një karrierë si fotomodele, është shumë e rëndësishme fytyra dhe në rast se është modele, ka më tepër rëndësi trupi. Përveç këtyre, duhet të ketë shumë fat dhe sigurisht të jetë e vendosur për këtë angazhim, sepse ai kërkon punë.Si është një ditë e zakonshme nga jeta jote? Unë kaloj një ditë të zakonshme të të rinjve të Tiranës. Paraditen në përgjithësi e kaloj në shkollë. Disa ditë jam e angazhuar dhe me revistën, ku bëj foto. Kurse pasditeve lexoj ose shoh TV. Jam e pasionuar pas filmave komikë dhe atyre të animuar. Herë të tjera dal me miqtë dhe mbrëmjeve të fundjavave organizojmë ndonjë festë. Cili është stili yt i të veshurit në jetën e përditshme? Po me grimin ç'marrëdhënie ke? Unë nuk jam tip sportive, atlete xhins e t-shirt, por as tip klasik. Xhinset i vesh shpesh, shoqëruar me një bluzë elegante dhe këpucë me taka jo të larta. Sigurisht që raste të veçanta duan veshje të veçanta. Trukun, në kuptimin e vërtetë të fjalës, e përdor vetëm mbrëmjeve, paradite bëj shumë pak tualet, sa për mos të dalë nga shtëpia si jam ngritur nga gjumi.
Si është dhoma e Erës?
Është një dhomë shumë e thjeshtë. Ajo që mund ta dallojë nga të tjerat është tavolina e mbushur me revistat "Jeta", ku janë fotot e mia. Fotografitë unë i kam pëlqyer që e vogël.Sa herë ndodhesha përballë një aparati fotografik, unë nisja të merrja poza plot dëshirë dhe rezultati janë një tufë albumesh.
Cilët janë njerëzit që të qëndrojnë më pranë?
Mami më ka mbështetur përherë, madje jam e përkëdhelura e saj. Kurse motra është mikja ime më e mirë. Ajo është krejt ndryshe nga unë, por gjithsesi më kupton shumë mirë dhe di të më kthejë në humor.
Po mendon të jetosh e pavarur nga familja?
Jam shumë e lidhur me familjen time, por gjithsesi herët a vonë do shkëputem prej saj, për të ndërtuar jetën time. Për të pasur përgjegjësitë dhe pavarësinë time.
Cili është mashkulli yt ideal? A e ke takuar
Mashkulli im ideal duhet të jetë i gjatë, i sigurt në vetvete dhe i sinqertë. Sigurisht karakteri i tij është gjëja më e rëndësishme. Më shumë s'mund të them.
Plane për të ardhmen?
Do vazhdoj të jem te revista "Jeta". Nuk e di se ç'rrugë mund të hapet. Ndërkohë do t'i kushtohem dhe shkollës.
A i je dikujt mirënjohës për çfarë ke arritur deri tani?
Jam plot mirënjohje për mbështetjen që kam gjetur nga të gjithë dhe për mundësitë e krijuara. I jam mirënjohëse familjes sime dhe revistës “Jeta”. Falënderoj Fadil Berishën, që bënri të mundur pjesëmarrjen time në "Miss Univers".
Arta Naço - Revista Jeta











