Nga flokët e saj të zinj tashmë s’ka ngelur asgjë. Janë zëvendësuar nga një e verdhë ari. As edhe nga ajo vajza e re, që dikur shumëkush mund ta ketë parë me syrin e një artisteje, jo vetëm sepse ajo nisi një rrugë me filmin, por sepse dukej se profesioni i të qenit aktore ishte i prerë për të. Por ja që për Elida Cangonjin gjërat ishin ndryshe. Ajo s’mund të ishte kurrë vajza e bukur që duhej të rendte pas rrobave të bukura, pas tualeteve dhe krehjeve që kërkonin rolet. Jo sepse asaj nuk i ka pëlqyer ndonjëherë të jetë e veshur bukur, por thjesht sepse në lidhje me këtë, ajo ka koncepte të tjera.
Por gjithsesi nuk ka qenë kjo arsyeja pse Elida Cangonji braktisi kinemanë e viteve ‘60, edhe pse ata pak role ishin vërtet të realizuar, aq sa mund të mjaftonin për t’i bërë vend të kastin e aktorëve me të ardhme. E tërhiqnin më shumë gjërat më ekzakte, siç ishte psikologjia. Dhe kjo do t’i linte më shumë hapësira për të qenë vetvetja, sidomos përsa i përket pamjes së jashtme, që ajo e ka vlerësuar gjithmonë si diçka që ka lidhje të ngushtë me karakterin e njeriut. Madje që e vogël filloi të brumosej me ide të tilla. Sepse, edhe kur rrobat e Elidës duhet të sajoheshin nga fustanet e vjetër të katër tezeve të saj, edhe kur nëna e saj do të kujdesej që ajo të ishte gjithmonë e veshur bukur, edhe kur për të shkuar në mbrëmjen e maturës dukej të merrte borxh fustanin e shoqes, për Elidën gjithmonë do të kishte rëndësi që rrobat e saj t’i përshtateshin me tipin. Edhe pse do të kishte dashur shumë që t’i kishte ashtu siç ajo i preferonte, pa u lodhur shumë për të sajuar nga copat që gjendeshin me aq vështirësi. E gjendur gjithmonë rehat brenda veshjeve sportive, Elida ka mbetur përherë e dhënë pas stilit jo shumë modern.
Madje edhe në atë kohë kur moda iu lejonte vajzave që të mbanin fundin mbi gju, ajo nuk e mbajti kurrë në atë gjatësi. “Nuk më shkonin sepse e kam pak të madhe pjesën e gjurit, por nëse moda do të kishte qenë me fund shumë më të shkurtër mbi kofshë, sigurisht që do ta kisha veshur”. Por nuk e pati fatin që të provonte ndonjëherë minifunde. U mjaftua me stilin e saj më shumë të rehatshëm sesa modern. Por që sigurisht e ka ndjerë shumë vështirësinë për t’u veshur bukur. Ka përjetuar radhët deri në të gdhirë para shkallëve të dyqanit të metrazheve dhe ka sajuar rroba më ç’të mundte. “Më kujtohet një vit kur shoqet e mia, të cilat kishin kishin më shumë rroba ngaqë kishin njerëz jashtë, vishnin funde skoceze, me kuadrate të kuqe, që mua më pëlqenin aq shumë. Por copë të tillë nuk gjeje dhe unë nuk kisha fatin e shumë të tjerave që të kisha të afërm jashtë shtetit. Por e doja një fund të tillë dhe e sajova më astarin e pardesysë të babait tim, e cila ishte një copë e ngjashme me kuadrate. Astarin më pas e zëvendësuam me një copë fanellate dhe unë më në fund u bëra një fund si të shoqeve të mia”.
Të njëjtën eksperiencë ka ndarë edhe në dasmën e motrës së saj, kur nga dy funde të vjetër u sajua një fustan që doli vërtet i bukur dhe që Elida e mbajti si një fustan shansi edhe për gjashtë vjet të tjerë. Kanë gjithmonë rroba të qepura tek rrobaqepësja, e cila ia kishte marrë dorën mirë shijeve dhe kërkesave të Elidës. “Vetë nuk më është dhënë kurrë të qep dhe të sajoj modele. Vetëm njëherë mbaj mend që kam sajuar një fund xhins me copën e një thesi të ardhur nga Kina. Ky ka qenë i vetmi rast. Gjithmonë i kam qepur rrobat te rrobaqepësja, kurse trikot m’i punonte mami. Dhe ishin vërtet nga më të bukurat dhe më të veçantat. Gjithmonë shoqet e mia i merrnin për model. Por unë vetë preferoja më mirë të lexoja një libër sesa të harxhoja kohën duke punuar triko”.
Një gjë që Elida nuk e ka bërë kurrë ka qenë kompromisi me rastin e veçantë. Edhe nëse rasti ia kërkonte që veshja e saj të ishte më e veçantë, Elida nuk harronte kurrë që gjithçka të ishte përshtatur me karakterin e saj. Një fustan i lirshëm apo një palë këpucë shumë të ulëta, të përshtatshme me ecjen e saj, që në fakt më mirë do të quhej vrapim. Por gjithmonë një veshje e kombinuar sipas vendit dhe kohës. Kurse sa për ngjyrat, e preferuara e saj ka qenë gjithmonë e kuqja, madje shumë vonë zbuloi edhe se ajo është ngjyra që i përket shenjës së saj të horoskopit, Akrepi.
Ndërsa tualeti ishte diçka që në asnjë pikë nuk përputhej me natyrën e Elida Cangonjit. Vetullat e saj mund të jenë hequr gjithsej vetëm tri herë dhe në ato pak herë ajo vinte re se ndryshonte aq shumë, sa i dukej se nuk kishte më asgjë të përbashkët me veten e saj. Madje i është dashur që t’i mbushë mendjen edhe stafit të “Rugë të bardha” që të mos e xhironin të ngarkuar me makijazh, por ashtu natyrale. Dhe pasi u bënë kinoprovat edhe me makijazh edhe pa të, grupi i xhirimit ishte në një mendje: Elida dukej shumë më bukur pa tualet. Ashtu siç është dukur e bukur gjatë gjithë jetës së saj, e veshur thjesht dhe pa e rënduar veten kurrë. “Kam lyer buzët me buzëkuq pasi kam mbushur 40 vjeç dhe po në të njëjtën moshë kam filluar edhe të përdor kremin e fytyrës. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem e thjeshtë dhe kam bërë këtë zgjedhje, por kjo nuk do të thotë aspak që i paragjykoj ato femra që bëjnë tualet apo vishen ndryshe nga unë”.
Disi më ndryshe janë marrëdhëniet me aksesorët. Ka preferuar që të mos e privojë veten nga kënaqësia e të mbajturit çfarëdolloj bizhuterish argjendi, përveç vathëve. “Më duket sikur më tërheq njeri nga veshi dhe vathët nuk i kam preferuar asnjëherë, madje as veshët nuk i kam të shpuar”. Dhe kur diçka i pëlqen, Elida nuk e njeh kompleksin e të pasurit drojë se çfarë do të thonë të tjerët. Një byzylyk që vendoset në pjesën e parakrahut dhe që Elidës i pëlqen shumë bën pjesë në ato gjërat e saj të veçanta dhe që ajo i vendos me shumë dëshirë, duke e kombinuar me veshjen e saj, e cila ai në Shqipëri ashtu edhe në Francë ku jeton momentalisht, është gjithmonë e thjeshtë dhe e përshtatur me tipin e Elida Cangonjit.
Klaudeta SKENDERASI - Revista Jeta











