Gjergj Kastrioti Skenderbeu

Gjergj Kastrioti Skenderbeu

Kush ishte Gjergj Kastrioti? Përse është figurë e rëndësishme historike? Çfarë mund të mësojnë sot shqiptarët nga jeta dhe bëmat e tij? Përse ai sot nuk njihet sa duhet në botë? Kastrioti ishte biri i princit shqiptar, Gjon Kastriotit, sundimtarit të tokave shqiptare në gadishullin e Ballkanit, në fund të shekullit të 14-të dhe në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë. Gjoni u kishte vënë turqve otomanë pritë për më shumë se njëzet vjet, për t’u detyruar më në fund në vitin 1422 që ta nënshkruante një traktat dëshpërues paqeje me Sulltan Muratin e Dytë, me qëllim që popullin e tij ta shpëtonte nga zemërimi i Perandorisë Otomane, ndërkohë që sulltanit do t’i shërbente si mburojë e ushtrisë për Evropën Juglindore. Për të garantuar marrëveshjen, Sulltani i mori Gjonit peng djalin e vogël, Gjergjin, të cilin e dërgoi në Stamboll, kryeqytetin evropian të Perandorisë Otomane.

Këtu Gjergji u dërgua në akademinë ushtarake të Perandorisë, ku ai shkëlqeu në të gjitha drejtimet dhe në shenjë respekti për zotësitë iu dha titulli “Iskander Bey” - Lordi Aleksandër, sipas Lekës së Madh. Cilësitë e shkëlqyera akademike dhe ushtarake të Skënderbeut i ranë në sy Sulltanit shumë shpejt, prandaj i dha titullin e gjeneralit ende pa i mbushur njëzet vjet. Sukseset ushtarake të Skënderbeut kundër armiqve të Perandorisë Otomane u bënë legjendare, ashtu siç përmasa të tilla legjendare arritën edhe dekoratat dhe dhuratat që i jepeshin atij pas çdo triumfi të jashtëzakonshëm. Një pikë kthese e rëndësishme në jetë Skënderbeut i erdhi në vitin 1443, kur nga Kruja i erdhi lajmi pikëllues për vdekjen e të atit.

Gjoni i kishte sfiduar dhe ua kishte prishur planet otomanëve për më shumë se 50 vjet me radhë, prandaj Sulltani e shikonte me dyshim dhe shqetësim potencialin e Skënderbeut për trashëgimin e vendit të të atit të ndjerë, sepse e dinte se ai nuk do të reshte së punuari për ta përjetësuar një Shqipëri të Lirë, ani se tashmë Greqia, Bullgaria, Rumania dhe Serbia ishin dorëzuar tërësisht. Skënderbeu e nuhati rrezikun që i kanosej atij dhe popullit të babait të tij dhe prandaj, në nëntor të vitit 1443, kur iu ngarkua detyra ushtarake për t’i mposhtur hungarezët që drejtoheshin paoshtu nga një luftëtar tjetër i madh i lirisë (dhe halë në sy të Sulltanit), Janosh Huniadi. vendosi ta shfrytëzonte rastin. Në vend që ta bënte punën e ndyrë të Sulltanit në Nish (sot qytet në Serbi), ai i mashtroi bashkëkomandantët otomanë dhe së bashku me treqind kalorës të tij shqiptarë besnikë, nga fushëbeteja e Nishit u nis drejt Krujës. Dy javë pas hyrjes triumfale në Dibër të Shqipërisë, Skënderbeu iu vërsul Kështjellës së Bardhë të Krujës dhe më 28 nëntor të vitit 1443 e largoi prej andej guvernatorin otoman që kishte zënë vendin e të atit të tij.

Njëzet e pesë vitet pasuese do të ishin dëshmitare të disa prej luftërave dhe akteve heroike më madhështore ushtarake që janë parë ndonjëherë kundër Perandorisë më të fuqishme të kohës, që atëbotë ishte në rritje të pandalshme, kundër Otomanëve. Otomanët mundën ta pushtonin Shqipërinë vetëm pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468. E mbetur pa liderin e saj të madh, lufta kundër otomanëve ngeci, u dobësua shumë dhe humbi forcën e saj, derisa në vitin 1488 arriti pikën kur shkaktoi rënien përfundimtare të tokave shqiptare nën pushtimin otoman. Ky pushtim zgjati 425 vjet, derisa Ismail Qemali, më 28 nëntor të vitit 1912 ngriti në Vlorë flamurin e Skënderbeut me shkabën dykrenore.

Kush në të vërtetë ishte ky kalorës i shenjtë
Kjo është njëra anë për të cilën shqiptarët sot mund të krenohen dhe mund ta falënderojnë dhe nderojnë Gjergj Kastriotin. Por le të ndalemi për pak çaste e ta shohim se kush në të vërtetë ishte ky kalorës i shenjtë dhe cila ishte gjenia e ushtarake e heroit tonë kombëtar e parë nga ata që e njihnin atë nga afër. Pasi që tashmë kam lexuar shumë për Skënderbeun, më është bërë e qartë se prifti katolik nga Shkodra, Marin Barleti, i ka lënë shënimet më të qarta, më të plota dhe më gjithëpërfshirëse për jetën dhe veprën e Skënderbeut. Vepra e tij përbëhet prej dymbëdhjetë vëllimesh dhe në të përfshihen letërkëmbimi i Kastriotit, fjalimet dhe filozofia e tij për jetën, për fenë dhe për kombin. Me që Barleti ishte bashkëkohës i Skënderbeut, ai kishte informata të dorës së parë për fushëbetejat, për arkivat e Romës dhe për shumë të dhëna të tjera nga dëshmitarët që i njihnin zotësitë dhe mjeshtëritë e jashtëzakonshme të Kastriotit, karakterin dhe karizmin e tij. Vepra prej dijetari e Barletit, e shkruar në origjinal në gjuhën latine, është përkthyer në shumë gjuhë, duke përfshirë gjuhën frënge dhe angleze dhe kjo u ka mundësuar shumë njerëzve të mësojnë për bëmat legjendare të Skënderbeut.

Poeti amerikan i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Henry Wadsworth Longfellow, ishte mrekulluar duke lexuar për jetën dhe veprën e jashtëzakonshme të Gjergj Kastriotit. Poema e tij epike “Scanderbeg - Skënderbeu” i jep një përshkrim të gjallë kthimit triumfues të Kastriotit në Krujë, më 28 nëntor të vitit 1443: …Anon from the castle walls/ The crescent banner falls,/ And the crowd beholds instead,/ Like a portent in the sky,/ Iskander’s banner fly,/ The Black Eagle with double head …/ And shouts ascend on high/ …”Long live Scanderbeg”.

Marre nga : Zemra Shqiptare.net


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama