Tri Letra Personale mes Konices dhe Nolit

Tri Letra Personale mes Konicës dhe Nolit

Për shumë vite kanë qenë miq të afërt. Mes tyre kishte shum ë afri në fushë intelektuale, publicistike dhe atdhetare. Por s’mund ta dimë deri në fund cilat ishin themelet e kësaj miqësie. Një pjesë të vogël nga bota e komunikimit të tyre mund ta zbulojmë përmes tri letrave me shënimin e vijëzuar “Personale” që Faik Konica ia nis Fan Nolit në harkun kohor të 3 viteve (1921, 1922, 1923). Këto tri letra gjenden në fondin personal të Fan Nolit në Arkivin Qëndror të Shtetit dhe përfaqësojnë mbase më qartë mendimet dhe pozicionet e tyre në trazirën e pafund intelektuale të kësaj periudhe.

Në Amerikë “Vatra” kishte probleme, kryesisht financiare. Personazhe të njohur po ushtronin influencën e tyre dhe po fitonin terren, gjë e cila dy personazheve tona nuk u pëlqente. Mbase vetëm pak vite më parë, apo më pas, me këto personazhe bashkëpunonin, lidhnin aleanca, miqësoheshin. E tillë ishte koha. Siç ka ndodhur gjithherë me shqipatrët. Herë miq, herë kundërshtarë. Bashkëkohës e mbështetës të njëri-tjetrit, përqafues të të njëjtës ide, e befas ziliqarë, shpotitës, në luftë penash të vazhdueshme. Herë bisedonin për art e letërsi, për të ardhmen e vendin të tyre, e herë po të njëjtët personazhe me nota të theksuara shprehnin ambicjen për pushtet, njohje, terren intelektual. Pikërisht në këtë periudhë, kur një grup i konsiderueshëm intelektualësh ishin baza e mendimit dhe diplomacisë shqiptare, dy prej figurave më interesante Faik Konica dhe Fan Noli, po shënonin një pjesë të historisë së kësaj periudhe ende të mjergullt.


Janë takuar për herë të parë në Amerikë, kur Konica sapo kishte lënë pas një pjesë të jetës dhe veprimtarisë së tij. Për 12 vjet rresht, nga 1897-1909 kishte drejtuar në Londër revistën “Albania”, revistë politiko-kulturore dhe letrare, që u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes shqiptare.


Por në Amerikë e priste një pjesë tjetër e karrierës së tij intelektuale e atdhetare. I ftuar nga shqiptarët që jetonin e punonin në SHBA ai mbërriti atje dhe drejtoi gazetën “Dielli” dhe më pas “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai u zgjodh sekretar i përgjithshëm i saj. E prej këtij momenti, njohjet dhe afritë me Fan Nolin do të vinin duke u theksuar. Faik Konica dhe Fan Noli, janë shfaqur së bashku publikisht e të bashkuar rreth të njëjtës ide në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve.
Por, kthehemi tek tri letrat personale.


E para mban datën 30 shtator 1921. Letrën e shkruan nga Bostoni. Në këtë periudhë duket, Noli Nuk ishte në Boston. Ngjarjet lidhen më federatën “Vatra” dhe komunitetin e shqiptarëve në Amerikë. Personazhet që sulmon janë Mid’hat Frashëri dhe Anastas Pandelia. Kpmica flet për influencën e Nolit që po shkon drejt zeros falë punës së këtyre personazhëve. Përmend edhe shuma të mëdha në dollarë të keqpërdorura prej tyre, madej ai akuzon Pandelinë se i ka vjedhur, dhe e ka boshatisur kasën e një shoqërie shqiptaro-amerikane.
Letra e dytë mban datën 10 gusht 1922. Sërish në Boston. Personazhet që përmend në këtë letër janë Ahmet Zogu dhe Hysen Vrioni, të cilët Konica i cilëson “një nepërkë si Ahmeti” dhe “një glasë si Hysen Vrioni”. Nga ç’shkruan Konica në këtë letër, Fan Noli çuditërisht në këtë periudhë po mundohej të bënte aleancë me të dy këto personazhe. S’dihen qartë dhe deri ën fund arsyet e tij, por këtë fakt ai ia ka përmendur Konicës në nëj letër tjetër personale.


Më tej në këtë letër Konica flet dhe për një qeverisje, ku Noli mund të kishte portofolin e punëve të jashtme. Në rast se do të ndodhte kjo Konica i propozon ambasadorët e duhur në vende të rëndësishme si Itali, Greqi, Serbi, Rumani, etj.
Më tej një post skriptum, ku përmend një porosi për çeqe në dollarë që Konica ia ka dërguar Nolit.


Letra e tretë është disi më e qetë. Ai shpreh keqardhjen për mjerimin që i ka pushtuar familjen e Nolit tri motrat dhe vëllanë e tij në Thrakë dhe i propozon që ata të vijnë në Shqipëri. Po ashtu në këtë letër ai i shkruan dhe për babain e një shqiptari të Amerikës, At Vangjel Lubonja nga Korça. Konica i kërkon ndihmë Nolit, që At Vangjel Lubonja të mund të shkojë në Amerikë madje edhe t’i sigurojë një pasaportë.
Letërkëmbimet e tyre vijojnë edhe më tej. Ka dhjetra letra që ruhen në fondet personale të AQSH-së. Por me nënshkrimin personale, në fondin e Nolit posedohen vetëm këto tri letra, shkruar nga Konica. Botimi dhe publikimi i plotë i tyre do të ndihmonte shumë në zbardhejen reale të kësaj periudhe ku nga viti në vit historia e Shqipërisë njihte ngjarje e personazhe nga më kontradiktorët.

Letra nr.1
Personale
Boston 18, Mass.
Më 30 të vjeshtës së parë 1921

I dashur mik,
Erdha këtu me 22 të muajit dhe u prita në një mënyrë shumë të bukur nga shqipëtarët. Personalisht jam i kënaqur së gjithash. Për fat të zi punët e “Vatrës” i gjeta fort të ngatërruara. Në kasë, as një pesësh, deficit, borxhe, - kasa e qeverisë e hapur, dhe huaja kombëtare e cënuar!
Po s’mund të bëjin edhe ndryshe; edhe unë u jap të drejtë zyrtarëve të shkuar që muarnë këtë masë, se ndryshe “Dielli” do të pushonte dhe gjithë “çështja” do të vuante nga kjo katastrofë.


Anastas Pandelia me Midhat Frashërin edhe me ca të tjerë kanë punuar këtu me aqë dinakëri sa influenca juaj është pakësuar gjer në zero. Anastasi u nis për në Shqipëri duke marrë edhe kasën e një shoqërie tregtare “albanno-amerikane” që është “themeluar” këtu për “lidhje ekonomike” t’Amerikës me Shqipërinë. Natyrisht gjithë puna është një eskrokëri që nga nisja e gjer në funt. President i shoqërisë është Fred Williamsi, i cili s’ka kuptuar se ç’bëhet, edhe nënë-presidenti Mehmeti me Midhatin, - im vëlla duke qenë natyrisht një viktimë.
Më vjen keq për ca djem të mirë që kanë vënë paratë e tyre në një punë aq sheshit pa themel. Kapitali i shoqërisë qenka 50 000 dollarë, nga të cilat gjer tani u prishnë në “misione” për “studime” 10 000. Thuhet se të 40 000 që mbetën i mori Anastas Pandelia duke ikur. Vallë a ka ndonjë gjykatës në Shqipëri?
Do të rri edhe ca ditë në Boston; pastaj do të dal “fshatrave”.
Juaji me besë, Faik Konitza


Letra nr. 2
Personale
10 gusht, 1922

I dashur mik,
Të tri letrat personale që më dërguat, i këndova me interes. Konfesoj se të funtmen nuk e mora vesh fare, - se me letrat zyrtare që vejin “crescendo” në dënim të regimit të sotëm, na kishit gatitur me një elimax fare të ndryshmë. S’më duket urtësi shumë e madhe që të bëni aliancë me një nepërkë si Ahmeti ose me një glasë si Hysen Vrioni. Po duhet të jetë atje njeriu që të gjykojë mirë. Ndoshta është rezik që të vejë nga keq në më keq në qoftëse nuk intervenoni. Ahere munt të keni të drejtë të trazoheni. Po mejtoni mirë; se po të falirni dhe këtë radhë, mos prisni më asnjë sener nga Amerika. Në dyshoni pyetni Bitinekun ç’ “fight” kam bërë që të mos ju pritet roga.


Kemi të bëjëmë me armiq pa skrupulla që s’mprapsen nga as një fantazi çpifarake, dhe miqtë tanë janë të vakët; të nxehtët janë një pakicë.
Ju porosit Albert Ghikën si ministër në Paris, në qoftë se merrni çantën e punëve të jashtme. Është i vetmi për atë vend se s’përton të dëgjojë e të thotë gjepura, dhe ka shumë miq në botë politike dhe në shoqëri të Parisit. Kol Martinaj është i mirë për Bukuresht. Pandeli Evangheli për Belgrad. Kost Boshnjaku si charge d’affaire n’Athinë, Anton Çakua si ministër në Romë. – (princ Ghikës munt t’jipen kartëra naturalizimi si Mirdatseh-it, Ghilord-it, Tocc-it, etj).
Juaji me besë Faik Konitza
p.s.
E tepër të ju shpjegoj se me që i doni çekët në dollarë, e vetmja udhë ish t’i bëjim të paguarshme në Neë York. Por s’do të gjeni ndonji pengim.

Letra nr. 3
Personale
16 mars 1923
I dashur Mik,
Ju falemnderit për fjalët e bukura me të cilën më mprojtët në “Parlament”: është një fjalë klasike nga forma dhe nga brenda e përmbledhur.
Më vjen keq për mjerimin që i çkuli nga vatrat e tyre motrat tuaja dhe vëllanë. Më duket se më e mira është të vijnë në Shqipëri, se edhe në u kthefshin në Thrakë, s’ka dyshim se pas ca kohe do t’shtrëngohen prapë të çvendosen.
Një shqiptar i mirë nga të Bostonit dëshëron të sjellë në Amerikë t’anë At Vangjel Lubonjën, që ron tani në Korçë. Që të mos gjejë pengime nga Immigration Office-i ju lutem t’i jipni një porosi inglisht nga ana juaj, që të hyjë këtu si misionar. Jam i bindur që jo vetëm nuk do të pendoheni, po mund të dilni edhe i fituar, se padyshim At Vangjel Lubonja do t’përkrahë lëvizjen kishtare t’uaj në Amerikë. Kthehem përsëri në punë të vëllait dhe motrave t’uaja. Rizgjedhja ime si kryetar i “Vatrës” duket e siguruar, dhe do të bëj të pamundurën që të ju votohet përsëri një shumë për vitin 1923-4.
Juaji me besë Faik Konitza
p.s.
Adresa e At Vangjel Lubonjës është në Korçë. Në është e mundur lehtësojini edhe të nxjerrët e një pashaporti.

Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama