Kur Greqia përcolli për në banesën e fundit artisten e famshme arvanitase Melina Mërkuri, homazhi popullor grek sfidoi çdo ceremoni zyrtare të protokollit mortor. Ndërsa kur Shqipëria përcolli për në banesën e fundit një ndër themeluesit e Teatrit shqiptar, Kadri Roshin, mirënjohja njerëzore nuk mundi të shfaqej dot me tërë madhështinë e merituar, përmes protokollit zyrtar, i cili, për fat të keq, ngjante gati si me proçedurat e varrimit të një artisti çfarëdo…

Mirënjohja shqiptare ndaj Kadri Roshit, i lindur në Mallakastër 83 vjet më parë dhe i mbetur jetim qysh në moshën 2 vjeçare, u shfaq më së shumti jo përmes imazhit dhe veprimeve konkrete. U shfaq gati nën zë, nga të gjithë ata shqiptarë që s’mundën të mos kujtoheshin atë ditë për batutat e paharrueshme të tij (më të vegjëlit mbajtën mend padiskutim: “Gërmo Tare, gërmo… se qenin e ngordhur do gjesh”, apo “Hani ju hani, ç’ti bëj drejtorit unë…”!)
Kadri Roshi ndërroi jetë të mërkurën e parë të muajit shkurt, pas një sëmundjeje vdekjeprurëse të cilën kishte tentuar ta kuronte për dy vjet rresht në Greqi, Turqi dhe në Shqipëri. Në moshën 83 vjeçare, aktori i mbi 180 roleve në teatër dhe në kinematografi u largua me titullin “Nderi i Kombit” i akorduar në vitin 1998 nga Presidenti i Republikës, por me pengun e madh që nuk mundi të interpretojë dot rolin e Ali Pashë Tepelenës, të propozuar dhe ideuar nga Ruzhdi Pulaha. 3 vjet më parë, gjatë një ceremonie të organizuar me rastin e 80-të vjetorit të tij të lindjes, Roshi e shprehu publikisht këtë peng, që duket se ishte ndoshta më i madhi në jetën e tij artistike, të cilën e nisi në vitin 1945.
16 vjet pas debutimit (1945), Kadri Roshi u nderua me titullin “Artist i Merituar” , ndërsa pak vjet më pas, meritoi titullin “Artist i Popullit”.
Në vitin 1995 mori Kupën e Karrierës, në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar, ndërsa nderimin e fundit, e mori në 98-tën, kur u nderua me Çmimin “Nderi i Kombit”.
Vetëm një prej editorialeve të botuara në shtypin shqiptar, një ditë pas vdekjes së tij, “propozoi” versionin e nje homazhi kombëtar për artistin e madh. Version, i cili i ftonte shqiptarët dhe shoqërinë shqiptare që të kryenin një homazh njerëzor: të nderonin duke e përcjellë për në banesën e fundit aktorin e madh, jo mbi bazën e rregullave të ndonjë protokolli, por mbi bazën e një homazhi “kombëtar me dimension të munguar”.
Askush nuk mund të thotë se shqiptarët nuk ndjenë keqardhje të ndjerë kur mësuan se aktori i: “Revizori”, “Arturo Ui”, “Epoka para gjyqit”, “Dhelpra dhe rrushtë”, “Hamleti”, “Ezopi”, apo aktori i prodhimeve kinematografike si “Tana”, “I teti në bronz”, “Kur zbardhi një ditë”, “Lulekuqet mbi mure”, “Gjeneral Gramafoni”, “Partizani i vogël Velo”, “Kolonel Bunker”, etj, ndërroi jetë… Ama të gjithë mund të themi se mirënjohja e një brezi për një aktor të tillë, u shpreh më se shumti permes ndjenjave personale dhe pothuajse vetëm përmes tyre.
Dikush mund të jetë i bindur se çdo nderim në këtë rast u bë ashtu siç duhet. Por ama ndjenjat reale të një populli, edhe këtë herë, nuk mundën të shfaqeshin denjësisht në periudhën kohore të një homazhi apo ceremonie funebër të organizuar as më pak e as më shumë se nga: Shteti Shqiptar…
Kadri Roshi është vlerësuar nga kritika mbi të gjitha për faktin se diti të krijojë personazhe të cilat në asnjë rast nuk i ngjanin njëri-tjetrit. “Ai, edhe kur interpretonte një personazh negativ, sillte gjithmonë diçka të re: një “i keq” nuk i ngjate “të keqin” tjetër”, tha Violeta Manushi, një prej partnereve të tij më të spikatura në skenë.
I lindur në një familje tejet të varfër, ku kultura ishte e fundit për të cilën mund të mendohej, Kadri Roshi vërtetoi, të paktën sipas kolegëve të tij, aksiomën e famshme të cilën thjesht mund ta shprehësh: 90 përqind punë, por pa 10 përqind talent…!
83 vjetët e një aktori janë padyshim vjetët intensive me dritëhijet e natyrshme të një artisti-njeri. E vetmja gjë e sigurt në vjetët aktive të një aktori si Kadri Roshi, mund të jetë vetëm fakti se: në çdo rol, apo angazhim artistik të tij, publiku mundi të njohë një personazh real në tërësinë e tij. Aq sa dikush, me të drejtë mund të mendojë se ky aktor jetoi jetën e dyzuar: jetën e Kadri Roshit dhe jetën e personazheve që u prezantuan me emrin e tij…
Kristi Pinderi - Revista Mapo











