Nje Ishull Francez ne Tirane

Një Ishull Francez në Tiranë

Përkthyesi Vedat Kokona, vendosi të braktiste Tuluzën ku studionte për Drejtësi, përpara Luftës së Dytë Botërore, sepse kishte ndërmend të vinte në jetë një plan tjetër! I hipi trenit dhe shkoi në Paris, ku zuri një dhomë në një hotel të vogël në Rue Viktor Kuzen, prapa bulevardit Sen Mishel, në Kartjé Laten. E mbylli derën e asaj dhome dhe shkoi me vrap në Fakultetin e Drejtësisë ku u regjistrua në vitin e dytë për Drejtësi dhe pasi mbaroi këto "burokraci" shëtiti, më në fund, i mahnitur në Parisin që e kishte njohur vetëm përmes librave. Kisha ndërmend këtë moment nga Kujtimet e Kokonës, të përmbledhura në librin "Endur në tisin e kohës", kur vizitova zyrat e Aleancës Franceze në Tiranë, në mbi 600 metra katrorë të një pallati në Rrugën e Barrikadave. A mund të jetë kaq e lehtë "aventura franceze", ashtu siç përshkruhet në aq shumë tituj librash, e ashtu siç e përjetoi edhe Kokona?
Një bast i fituar
Dritan Xhelili, drejtor i Aleancës Franceze në Tiranë, e vlerësuar në 2006-tën, nga Ministria e Punëve të Jashtme Franceze, si "struktura më e rëndësishme dhe më e konsoliduar ndër Aleancat për Europën Juglindore", pohon se vitet e fundit familjet e mesme shqiptare preferojnë më shumë t'i çojnë fëmijët e tyre për shkollim në Francë. Arsyeja është e thjeshtë: Franca ka një sistem arsimor të lehtësuar nga pagesat e papërballueshme. Të jesh student atje përfiton automatikisht edhe një sërë lehtësirash të tjera kryesisht financiare. E përpos kësaj, askush nuk dyshon në cilësinë e universiteteve franceze, të krahasuara me nivelin ndërkombëtar. Por kjo "aventurë franceze" nuk është e lehtë! Ajola Xoxa, e diplomuar në Sorbonë, thotë se "për të mbijetuar në Francë duhet patjetër të jesh i pari, duhet patjetër të lexosh e mësosh në maksimumin e kapacitetit tënd përthithës, të jesh pak i çmendur, pak kokëkrisur, pak i huaj për të qenë i shtëpisë. Eshtë vendi i paradokseve, ku mendje gjenish avantgarde shëtisin bulevardeve të shekullit të XVIII. Eshtë vendi ku nuk është peshku i madh që e ha të voglin, por peshku i mençur që i ha të gjithë".
Familjet e mesme shqiptare, nuk tuten para vështirësive! E nisin këtë aventurë të fëmijevë te tyre, duke i çuar ata në një kurs për gjuhën frënge. Në mes të Tiranës, proçesi të bëhet më i lehtë pasi ke mundësi të zgjedhësh pa frikë: qendra realisht më e organizuar, e njohur në mënyrë institucionale dhe me përvojë, është Aleanca Franceze. E cila këtë javë, që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Frankofonisë, është vendosur në qendër të vëmendjes.


Ishulli…
Aleanca Franceze në Tiranë u themelua në mars të vitit 1992, pra 15 vjet më parë. Ambientet e saj u përzgjodhën nga përfaqësues të shtetit francez të cilët kërkuan një numër të madh dokumentash për të vërtetuar se pallati i ri ku ndodhet Aleanca ishin ndërtuar me leje të rregullt dhe e kishin regjistruar në Hipetekë. Ky institucion është një prej 1300 të tillave, të shpërndarë në 120 vende të botës. Një numër i madh klasash të vogla të del para syve kur hyn atje, ndërkohë që pjesa ndoshta më e këndshme është Mediateka ku frekuentuesit kanë mundësi të zgjedhin jo vetëm mes 3 mijë titujve të botimeve në gjuhën frënge por edhe të shikojnë qindra video filmash apo dokumentarësh francezë si dhe, padiskutim, të dëgjojnë muzikën franceze. Drejtori i Aleancës, Xhelili thotë për MAPO se gjithçka në këtë qendër është bërë me një vizion që i shërben filozofisë që shteti francez ka ndjekur në Shqipëri: investim në kulturë dhe në arsim. Ka qindra fëmijë të vegjël të cilët fillojnë të mësojnë gjuhën frënge qysh në moshën 7 vjeçare dhe mesatarja e rreth 800-1000 studentëve që frekuentojnë kurset çdo vit në këtë qendër, është mosha e gjimnazistëve dhe studentëve, ndërkohë që stafi përbëhet nga profesorë shqiptarë dhe francezë. Mediateka është edhe ambienti ku shumë dashamirës të artit, kulturës dhe gjuhës frënge mblidhen rregullisht për të parë filmat e projektuar francezë e për të disktutuar më pas për orë të tëra, në frëngjisht kuptohet, rreth filmit, temës apo dhe problemeve të ndryshme që dalin prej saj. "Gjuha franceze", thotë për MAPO, z. Ylli Sula botues i revistës Kult, "ka evoluar në një mënyrë të tillë që mendimi dhe mendimtarët kanë influencuar në gjuhë, por dhe ajo ka influencuar shumë në mendimin e tyre". Frëngjishtja, sipas tij, "është ndër të paktat gjuhë, që teksa e mëson të fut në një botë kulturore të vetën, në një shpirt të madh të vetën".
Të paktën 100 të rinj shqiptarë pranohen në shkollat franceze pasi janë përgatitur në aspektin linguistik nga Aleanca Franceze, e cila në total është një investim që kap shifrën e rreth 600 mijë eurove!a.



* * * *
Ka diçka që nuk mund të mundet dot nga vështirësitë! Dhe ajo është bukuria… Kokona, kujton në librin e tij se kur doli në Shans Elize u mahnit përpara bukurisë së Harkut të Triumfit. Shëtiti me orë të tëra duke soditur ç'ti zinte syri, gjithë atë bulevard të madh me kafenetë, baret, kinematë, dyqanet, automobilat, burrat, gratë elegante dhe doli në sheshin e famshëm të Konkordës. Në fund të këtij mrekullimi, falenderoi të atin, i cili i kishte mundësuar financiarisht këtë "aventurë" e cila në fakt, ishte investimi më i madh për jetën e tij, duke thënë: Rrofsh o baba, që më ke falur një lumturi të tillë!

Kristi Pinderi - Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama