ATSH, 15 maj, 1997. Lajme shkurt: 1. Ish-kancelari, Franc Vranicki komenton marrëveshjen politike të 9 majit.
2. Presidenti i Republikës, Sali Berisha takon të dërguarin e posaçëm, Vranicki dhe delegacionin që e shoqëron. 3. Kryetari i PS-së, Fatos Nano kundërshton propozimin e Vranickit që presidenti i Republikës të emërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. 4. Shpërthen një depo armësh, plagosen 10 ushtarë.
...
Gjithë kjo sallatë lajmesh i përket njërës prej ditëve gri të luftës jocivile të ‘97-s. Protagonisti i buletinit informativ, Franc Vranicki, i dërguari i posaçëm i komunitetit ndërkombëtar për ngjarjet e errëta të atij viti, është ylli polar i medias dhe i gjithë Shqipërisë. Plot 83 vjet pasi princi gjerman, Vilhelm Vid zbarkoi në Shqipëri me urdhër të Fuqive të Mëdha, ish-kancelari i Austrisë shkeli në vendin e shqiponjave me të njëjtin qëllim. Zbutjen dhe bashkimin e këtij vendi të ashpër, e këtij populli rebel me shpirt të paqetë.
Historia përsëritet...
Gjatë historisë së pluralizmit 15-vjeçar, krizat politike kanë qenë konstante në Shqipëri. Dhjetëra mediatorë të huaj ndihmuan në zgjidhjen e këtyre krizave, disa të tjerë dështuan. Pas afro dy dekadash, që kur vendi ynë zhvilloi zgjedhjet e para të lira, politika përballet me të njëjtën sfidë: të realizojë një proces elektoral brenda normave ndërkombëtare. Dhe meqë kjo duket e pamundur, duhet një arbitër i huaj: Pavel Vacek. Ambasadori i OSBE-së ka rreth një vit që është emëruar në këtë detyrë dhe bashkë me ekspertët e tij, po përpiqet të gjejë një zgjidhje për tensionin parazgjedhor që mbretëron në vend. Në fund të muajit gusht, ai së bashku me ambasadorin gjerman në Tiranë, Hans Petter Anen ia arritën të ulin në një tryezë të përbashkët përfaqësues të PS-së dhe PD-së. Palët negociuese nënshkruan një marrëveshje që u duk se e futi në udhë të mbarë procesin e reformës elektorale. Por në Shqipëri, marrëveshjet që lidhen ditën, prishen natën. PS-ja shtroi kërkesa të tjera, PD-ja nuk pranoi t’i zbatonte dhe atëherë mediatorët ndërkombëtare u nxehën. Ata vendosën të mos i përkrahin kërkesat e reja të opozitës dhe kjo shkaktoi një sulm të të majtëve kundër OSBE-së.
Guvernatorët e postdiktaturës
Me shembjen e komunizmit, shtetet që nuk kishin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë zgjodhën diplomatët më të mirë për t’u përfaqësuar në Tiranë. I ngarkuari me punë i SHBA-së në vendin tonë, u caktua Kristofer Hill, tani ndihmës/sekretar në Departamentin e Shtetit. Hilli mori përsipër detyrën e vështirë ta orientonte drejt Perëndimit këtë vend të izoluar e të harruar nga vetë Zoti. Ishtë e kuptueshme dashamirësia e tij ndaj forcave demokratike të sapoardhura në pushtet dhe alergjia ndaj të porsalindurës Partia Socialiste, që në fakt ishte Partia e Punës me emër të reformuar. Diplomati amerikan merrte pjesë në fushatat elektorale të Partisë Demokratike, dilte buzëqeshur në fotografi me Berishën dhe lavdëronte popullin shqiptar për kurajon me të cilën mposhti komunizmin. Në kohën kur Hill ishte ambasador, sekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Bejkër vizitoi Shqipërinë: atij iu rezervua një pritje madhështore. SHBA-ja ngriti nivelin e përfaqësimit në Tiranë, i ngarkuari me punë Hill, u zëvendësua nga ambasadori Uilliam Rajerson, i cili u akuzua nga opozita si një mik personal i Berishës. Në korrik të vitit 1993, parlamenti shqiptar i hoqi imunitetin e deputetit, kryetarit të PS-së, Fatos Nano. Ja ç’thotë patriarku socialist në një letër të asaj kohe drejtuar shqiptarëve: “Diplomatë të tipit Hill dhe Rajerson, pasi bënë karrierë me CIA-n në Beograd, i vunë në tavolinë Berishës skenarin kundër meje. Është fatkeqësi e madhe dhe fatalitet që Shqipëria nuk drejtohet sot në Shqipëri. Ky është alarmi, kthimi në një shtet klient ideal, pa dinjitet dhe sovranitet”. Në fakt, Shqipëria gëzonte sovranitet territorial të plotë, por “governatorët” ishin udhëheqësit e vërtetë të këtij vendi. Uilliam Rajerson ishte dhe ngeli miku i ngushtë i Berishës; ai nuk hezitonte të ngrinte dy gishtat lart, sa herë ndodhej përpara objektivit të ndonjë aparati. Diplomatët amerikanë u sulmuan shumë nga politikanët e lartë të ish-PPSH-së, por edhe politikëbërësit e PD-së nuk mbetën prapa, por e gjetën shënjestrën e tyre: ambasadorin italian, Torkuato Kardili dhe konsullin grek, Kanellas. Në faqet e shtypit shqiptar plasën skandale të njëpasnjëshme të trafikut të vizave që kishin për protagonistë dy diplomatët e vendeve fqinj. Ja ç’kujton deputeti i PD-së së asaj kohe, Mitro Çela. “Në kohën e Qeverisë së Stabilitetit më 1991, Kardili dhe Kanellas ishin personazhet më të spikatur të skenës politike shqiptare. Po si u bënë të tillë? Me viza nën dorë, me peshqeshe, me bursa për fëmijët e “Familjeve të mëdha”, me darka e me dreka, me joshje për shërbimet sekrete, me organizim të turneve nëpër hotele me pesë yje dhe plazhet ekzotike. Dy ditë para zgjedhjeve elektorale të 22 marsit ’92, Kardili njoftoi zyrtarisht Romën: fitorja do t’i buzëqeshë Partisë së Punës! Paradoks për një diplomat karriere, pas asaj fitoreje të bujshme të PD-së!”
Kriza e ’97-s
“Ci vuole concordia”. Kjo frazë e shkurtër e kryeministrit italian, Romano Prodi gjatë megalajthitjes së vitit 1997, do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Shumë gazetarë asokohe e përkthyen shpejt e shpejt në mënyra të ndryshme këtë fjalë: paqe, mirëkuptim, bashkëpunim, bashkëjetesë. Por, apeli i Prodit nuk pati nevojë për përkthim. Kreu i qeverisë italiane dhe ambasadori Paolo Foresti i qëndruan pranë Shqipërisë në atë vit të vështirë dhe thirrjet për dialog mes palëve patën efektin e vet. Nën urdhrin e Prodit forcat ushtarake italiane ndihmuan në zbutjen e krizës shqiptare. Ai e vizitoi personalisht vendin e shqiponjave në një moment të vështirë, kur anija “I katri i Radës” u godit nga “Sibilla” italiane. Shkelja e Vlorës nga kryeministri italian u krye në një moment kur ndjenjat e urrejtjes përziheshin me ato të dashurisë. Megjithatë, në vitin 2003, ai u shpall Qytetar Nderi nga bashkia e këtij qyteti.
Pavarësisht, vëmendjes së madhe ndërkombëtare, kryenegociatori i krizës së ‘97-s, mbetet ish-kancelari austriak, i dërguar i posaçëm i OSBE-së, Franc Vranicki. Ai erdhi në Shqipëri pas një dyzimi të shkurtër të institucioneve ndërkombëtare rreth mënyrës me të cilën duhej të zgjidhej “çmenduria” shqiptare. Si një mediator i regjur, Vranicki vendosi të negociojë me të gjitha palët, politike dhe jopolitike. Ai u përpoq të bindte, presidentin e atëhershëm Berisha për nevojën e një qeverie teknike dhe e ftoi opozitën t’i bënte thirrje popullit të mos rrëmbente armët. Ish-kancelari austriak u pa me skepticizëm nga PD-ja, fill pasi vendosi të takojë ata që zyrtarisht njiheshin si “rebelë të armatosur” në jug të vendit. Megjithatë, kontrata e paqes e nënshkruar mes partive kryesore politike më 9 maj 1997, ishte meritë personale e diplomatit austriak. Po ashtu edhe përgatitja e vështirë dhe realizimi i zgjedhjeve të 29 qershorit.
...Janë tashmë të njohura e të publikuara orvatjet e ambasadores së SHBA në verën e 1997, Mariza Lino, e cila bëri të gjitha përpjekjet për të shmangur liderin socialist dhe për të lënë kryeministër të Shqipërisë edhe pas 29 qershorit, Bashkim Finon. Dihet gjithashtu se si e priti kryeministrin Nano po atë vit sekretarja e Shtetit, Medlin Ollbrajt. Gjatë takimit të tyre të shkurtër në Uashington, kryediplomatja amerikane u shpreh e pakënaqur ngaqë në administratën e re, po integroheshin punonjësit e ish-Sigurimit të Shtetit. Që nga ajo kohë, ambasadorja Lino, e qëlluar me vezë para selisë së PD-së, fitoi edhe armiqësinë e Fatos Nanos. Një vit më pas, kryeministri Nano e akuzoi publikisht atë se po komplotonte me presidentin Meidani për rrëzimin e tij. E në fakt, pas vizizës së nënsekretarit amerikan, Strobe Talbot, qeveria “Nano” u konvertua në qeverinë “Majko”.
Negociatorët e shekullit të ri
Një nga sfidat e vështira me të cilat është përballur politika shqiptare pas viteve 2000, ishte zgjedhja e presidentit të Republikës në vitin 2002. Beteja mes dy partive kryesore ishte e ashpër, socialistët në pushtet ishin të përçarë ndërkohë që zgjedhja e pasardhësit të Meidanit, kërkonte një konsensus të gjerë parlamentar. Krahas ambasadorëve të huaj në Tiranë, një njeri në veçanti ishte shumë aktiv në përpjekjet për t’i ulur palët në një tryezë të përbashkët. Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Doris Pak e vizitoi disa herë Shqipërinë në pranverë dhe në fillim të verës. Ajo kërcënoi hapur se Shqipëria do të mbetej pas në procesin e integrimit në BE dhe se marrëveshja e Stabilizim-Asociimit nuk do të nënshkruhej kurrë, nëse Kuvendi nuk zgjidhte një president. Në 18 qershor 2002, Nano dhe Berisha shtrënguan duart për herë të katërt brenda atij viti. “Ndihem shumë krenare që në Shqipëri ka një president konsensual”, u shpreh Doris Pak gjatë takimit të parë me presidentin Moisiu.
Historia e re e governatorëve të huaj është më e njohur. Ambasadori i OSBE-së, Gert Ahrens ishte protagonist në ato palo-zgjedhje që u zhvilluan në vitin 2001. Rekomandimet e institucionit që ai drejtonte ia bënë të lehtë PS-së rrugën drejt “Dushkut”. Katër vjet më vonë, pasuesi i Ahrens, Osmo Liponen bekoi “Mega-Dushkun” që i dha mundësi dy partive kryesore, PD-së dhe PS-së të përfaqësohen në mënyrë masive në Kuvend duke denatyruar votën e shqiptarëve. “Ik, ik në saunat finlandeze”, i tha atij Neritan Ceka në ditët e fundit të qëndrimit në Shqipëri.
Në fund të vitit 2001, është i njohur roli i Xhozef Limpreht në konfliktin brenda PS-së, akuzat e opozitës ndaj tij si një mik i Nanos dhe i Metës. Fill pas akteve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, ambasadori amerikan dhe ministri i Rendit, Ilir Gjoni lanë të kuptohej se “Shqipëria e Berishës” kishte ndjekur një politikë pak të ashpër ndaj elementëve të dyshimtë islamikë. Pasardhësi i Limpreht, Xhejms Xhefri i ruajti me fanatizëm balancat mes PS-së e PD-së.
Në momente të caktuara, negociatorët apo ambasadorët e huaj, më shumë kanë prishur, se sa kanë zgjidhur punë. Megjithatë, kanë qenë gjithmonë ata që e kanë thënë fjalën e fundit, duke shpërndarë çertifikata pastërtie apo duke vënë damka fajësie për njërin apo tjetrin politikan. Duke treguar, krahas të tjerave, edhe kompleksin e inferioritetit të njerëzve që na udhëheqin.











