|
Banka e Shqipërisë është banka qendrore e Republikës së Shqipërisë e cila nxjerr vendime, rregullore, urdhra dhe udhëzime për zbatimin e dispozitave të ligjit "Për Bankën e Shqipërisë" dhe të ligjit "Për bankat në Republikën e Shqipërisë".
Aktet nënligjore të nxjerra nga Banka e Shqipërisë dhe që zbatohen nga disa subjekte, publikohen në Buletinin Zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë nxjerr akte normative dhe jonormative për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit bankar bazuar në ligj dhe për zbatimin e tij.
Aktet nënligjore të Bankës së Shqipërisë me zbatim të përgjithshëm, miratohen nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, si organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i politikave, i administrimit dhe i operacioneve të Bankës së Shqipërisë. Këshilli Mbikëqyrës i merr vendimet e tij bazuar në objektivat dhe detyrat e Bankës së Shqipërisë, dhe brenda kompetencave të përcaktuara në ligj.
Këshilli Mbikëqyrës miraton të gjitha aktet në zbatim të ligjit dhe të statutit të Bankës së Shqipërisë, për çdo rast që konsiderohet e nevojshme apo e përshtatshme për të administruar veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë. |