Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

Prej ditësh ka nisur puna për rikonstruksionin e rrugëve, rehabilitimin e institucioneve dhe përgatitjen e koncerteve festive

Vlora në prag të 90- vjetorit të Pavarësisë

Për këtë përvjetor qeverisë i janë paraqitur 90 projekte. Qyteti në kantjer ndërtimi

VLORË- Vlora është duke u përgatitur për të festuar 90- vjetorin e Pavarësisë Kombëtare. Gjallëria e qytetit për festimin e këtij përvjetori ndihet prej ditësh. Ngado po punohet për rikonstruksionin e godinave të institucioneve, të rrugëve. Po punohet në gjelbërim, në ndriçim, në art e kulturë. 30 projekte i janë paraqitur qeverisë për këtë 90- vjetor, ndërkohë që godina e bashkisë së qytetit po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Fondi për rikonstruksionin e brendshëm kap shifrën e 13 milionë lekëvë, kurse lyerjen e fasadës e ka marrë përsipër biznesmeni Krenar Karafili. Po kështu rikonstruksioni i teatrit "Petro Marko" është drejt përfundimit, pas akordimit të një fondi prej 13.5 milionë lekësh, në fazën e parë, dhe 6.5 milionë lekësh në fazën e dytë. Teatri ka marrë një tjetër pamje, ku fasada e jashtme është veshur me mermer dekorativ dhe janë kryer punime speciale nga brenda. Pamje ka ndryshuar edhe Muzeu i Pavarësisë, i cili i është nënshtruar rikonstruksionit me një investim prej 5 milionë lekësh. Ndërkohë janë kërkuar fonde për vendosjen e stendave të reja, ku do të pasqyrohen dokumentet e kohës. Rikonstruksioni ka përfshirë edhe Pallatin e Sportit të qytetit, me një fond prej rreth 20 milionë lekësh, si dhe po vazhdon puna për lyerjen e fasadave të pallateve përgjatë rrugës kryesore nga Vlora në Skelë. Në përmirësimin e infrastukturës së qytetit me rastin e 90-vjetorit të Pavarësisë ka kohë që është angazhuar firma greke "Kamatakis Grup", e cila po kryen rikonstruksionin tërësor të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza, me një gjatësi prej 30 km dhe një fond prej 9.5 milionë Euro. Po kështu firma "Asfaltim Rruga", e drejtuar nga inxhinierja Liri Naqo është duke përfunduar segmentin rrugor të unazës së qytetit, me një gjatësi 1.6 km, që fillon nga vendi i quajtur "Bishti i Kalldrëmit" e deri tek Akademia e Marinës. Sipas kryebashkiakut, Niko Veizi cilësia e kësaj rruge sfidon të gjithë rrugët e shtruara deri tani në qytet. Problem për qytetin mbetet rruga nga Spitali Psiqiatrik e deri në qendër të Skelës dhe rruga e spitalit rajonal, të cilat janë jashtë kushteve. Po ashtu po punohet për ndriçimin e plotë dhe të veçantë të Sheshit të Flamurit dhe monumentit të Pavarësisë. Ky i fundit iu nënshtrua së fundi një pastrimi kimik dhe një lyerjeje të posaçme. Ndërkohë qendra e Kulturës në Vlorë po përgatitet për festivalin e iso polifonisë, i cili do të mbahet në qytet një javë përpara 28 Nëntorit. Në këtë festival do të konkurrojnë grupet më të spikatura të Labërisë. Kurse koncerti i madh qeveritar do të organizohet nga Teatri i Operas dhe Baletit në Tiranë, por drejtuesit e Qendrës Kulturore në Vlorë kanë kërkuar që udhëheqës artistik i këtij koncerti të jetë kompozitori dhe dirigjenti vlonjat, Artisti i Merituar, Haxhi Dalipi. Një problem që i ka mbetur peng bashkisë është mospërfundimi i hotelit 10- katësh në qendër të Sheshit të Flamurit, ndërtimi i të cilit ka filluar që në vitin 1985. Ky hotel administrohet së fundi nga biznesmeni Sulo Shehu, i cili ia fitoi komisionit të transparences së firmave piramidale, po që nuk po arrin ta përfundojë pasi pretenduesit e tokës në këtë zone dhe biznesmeni po mbeten gjyqeve pa fund. Komisioni organizator i festimeve, nën drejtimin e Prefektit Shpëtim Gjika, ka detajuar gjithçka për këtë festë të madhe të të gjithë shqiptarëve kudo që janë. Është parashikuar mbajtja e një mitingu madhështor në 28 Nëntor, në Sheshin e Flamurit, ku do të marrin pjesë autoritete të larta të shtetit shqiptar si dhe nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora. Me rastin e kësaj feste do të organizohet një aktivitet i madh festiv gjatë gjithë ditës së 28 Nëntorit, i cili do të finalizohet në mbrëmje me një spektakël fishekzjarresh. Në vigjilje të 90- vjetorit të Pavarësisë Kombëtare Vlora është kthyer në një kantier pune. E vetmja gjë negative që po shoqëron vlonjatët këto ditë është ndërprerja e vazhdueshme e energjisë elektrike.
Ilir Ruci


Marrë nga Gazeta shekulli



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa