Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

Pritje në ambasadën kineze, vizita dhe darka të bollshme

Viti i Ri në rrugën e Dibrës, festa e kinezëve

Një shkurti, dita e Vitit të Ri kinez. Rrëfejnë tregtarët kinezë: Ja si e festojmë këtu në kryeqytetin shqiptar

Belina Budini
Disa prej tyre janë nisur drejt Kinës për të festuar vitin e ri kinez, një shkurtin. Ata që nuk kanë mundur, kanë vendosur ta festojnë për të disatin vit radhazi në Tiranë vitin e ri sipas kalendarit të tyre. Për kinezët e kryeqytetit sot është dita e parë e vitit të ri 2003. Si e festojnë tregtarët e rrugës së Dibrës këtë festë të ndryshme nga e gjithë bota? Pa pemë krishtlindjesh, pa përrallën e plakut të vitit të ri, një muaj pas të tjerëve, kinezët e përkujtojnë këtë ditë sipas riteve të tyre. Megjithëse festa e vitit të ri kinez nisi dje që në orën 12 të mesditës, dyqanet kineze i gjetëm që të gjitha të hapura. Kjo nuk do të thotë që viti i ri u harrua prej tyre. Për ta ai vazhdon 15 ditë, duke nisur që sot. Ja çfarë tregojnë për “Shekullin” disa prej tregtarëve që takuam dje. Çfarë kanë përgatitur për festën, cila është menyja, zbukurimet dhe mënyra e tyre e festimit? Zhan Ziang Ping, pronarët e “Rong Hua”, Huan, Guiljan dhe Fafa tregojnë vitin e ri kinez në Tiranë.
Ritet kineze në Tiranë
Zhan Ziang Ping është 41 vjeç dhe ka gjashtë vjet që jeton në Tiranë. Për të gjashtin vitin radhazi ai feston dy herë vitin e ri. Një herë sipas mënyrës shqiptare dhe herën tjetër kinezçe. Megjithatë, ditën e djeshme në mesditë, kur viti i ri kinez kishte nisur sipas orës kineze, atë e gjetëm në dyqanin e tij, duke shitur si përditë. Argëtimin tha se e kishte lënë për në darkë. I pamartuar, Zhan Ping nuk preferon ta festojë vitin e ri në shtëpi. Por dy ditë më parë ai qe i pranishëm në një pritje për këtë rast që ambasada kineze në Tiranë kishte përgatitur për të gjithë përfaqësuesit e firmave kineze të kryeqytetit. Ky ishte aktiviteti që i mblodhi së bashku kinezët e Tiranës me rastin e vitit të tyre të ri. Ziang Ping thotë se nuk e ka adoptuar në shtëpinë e vet zakonin e përgatitjes së pemës së krishtlindjeve. Si objekt festiv tipik të vendit të vet ai përmend fenerin e madh e të kuq, i cili është edhe objekt i festivalit të përvitshëm të fenerëve në Kinë, disa ditë pas festës së vitit të ri. Zhan Ziang Ping thotë se pas gjashtë vjetësh qëndrim në Tiranë, tanimë ka fituar zakonin e festimit të vitit të ri si në Shqipëri dhe se nuk sheh shumë ndryshime në mënyrat e festimit mes dy vendeve. Ndërsa pronarët e “Rong’Hua” janë nisur që në datën 4 janar për në Kinë, ku do të festojnë edhe këtë vit ditën e ndërrimit të viteve sipas kalendarit të tyre. Të ardhur në Shqipëri që në vitin 1995, me një djalë të lindur këtu dhe një vajzë 13 -vjeçare, bashkëshortët, sipas shitëses së dyqanit të tyre, e kanë bërë zakon që ta festojnë vitin e ri kinez në vendin e tyre. Ndërsa nipi i Guiljanit, Huani, ka vetëm një vit që jeton në Tiranë. Ai ka mësuar të flasë mirë shqip. Është 18 vjeç dhe ka ardhur të ndihmojë tezen e tij në tregtinë që ka nisur prej pesë vjetësh në kryeqytet. “Tani ka nisur viti i ri në Kinë. Në orën pesë mbasdite ndërrohen vitet. Por këtu është ditë, nuk mund ta festojmë njëlloj si atje. Megjithatë sot në darkë do të festojmë”, - na tregoi dje në mesditë Huani. Ai tregon se vitin e ri do ta kalojë në shtëpinë e tezes. Dhuratat që pret nuk janë bizhuteri, parfume, apo objekte të këtij lloji, por ushqime. “Ne dhurojmë ushqime”, - thotë ai. Cigare, pije dhe mish, këto janë sipas tij dhuratat e vitit të ri. Ndërsa Guiljani, tezja e tij, 35 -vjeçare që ka tani një vajzë të vogël, të lindur në Shqipëri dhe që ka mësuar shqip, na tregon: “Përgatitjet nisin një muaj para datës së vitit të ri kinez, kur njerëzit përgatisin dekoracionet, ushqimin dhe veshjet. Një pastrim rrënjësor i shtëpive fillon disa ditë para vitit të ri, për të hequr gjithë gjurmët e fatit të keq: dyert dhe dritaret zbukurohen me një pëlhurë zakonisht të kuqe. E nesërmja e vitit të ri është pjesa më pasionante e festës. Sipas traditës, vëmendje më e madhe u kushtohet ushqimit dhe veshjes. Darka është zakonisht një dhuratë me fruta deti. Vjet viti i ri kinez u festua më 12 shkurt (me hënë të re) dhe ka zgjatur 15 ditë. Ishte viti i “Kalit””, - na thotë Guiljani ndërsa shton se këtë radhë familja e saj do të festojë si zakonisht, duke ngrënë, duke pirë dhe duke parë televizor. “Pas mesnate fillojnë fishekzjarret. Rrimë zgjuar deri në mëngjes duke luajtur bixhoz ose duke parë emisionet e televizorit”, - shton nipi i Guiljanit.
Rituale të veçanta
Gjatë festimeve shpenzohet një sasi shumë e madhe ushqimi, e ndarë në familje, mes miqsh, ashtu si caktohet ushqim edhe për njerëzit e dashur dhe të vdekurit. “Shumë mish, si një peshk i tërë për të shënjuar bollëkun dhe një pulë për begatinë”, - thotë Guiljan. Pula duhet të serviret me gjithë kokë dhe këmbë, që të tregojë përsosmërinë. “Nëse ju qani ditën e viti të ri, keni për të qarë gjithë vitin. Kështu që fëmijët tolerohen dhe nuk goditen, edhe nëse bëjnë prapësira. Ditën e vitit të ri kinez nuk duhet të lahen flokët sepse konsiderohet se në këtë mënyrë largojmë fatin e mirë për vitin që vjen”, - këto janë disa nga besytnitë kineze. Preferohen veshjet e kuqe. E kuqja konsiderohet si një ngjyrë e ndritshme dhe e gëzueshme që mund të ndjellë një të ardhme me diell dhe të shkëlqyer. Mos i përdorni thikën dhe gërshërët ditën e viti të ri kinez, sepse mund t’iu pritet fati! Ditën e vitit të ri zbatohet edhe një zakon antik që quhet "Hong Bao" dhe do të thotë pako e kuqe. Duke ndjekur këtë rit çiftet e martuara u japin fëmijëve dhe të rriturve beqarë para në zarfa të kuqe. “Përveç ushqimeve, dhurata tjetër që presim për këtë festë është pakoja me para, por as lodra, as bizhuteri si këtu tek ju. Dhurata të tilla u bëhen në fakt fëmijëve dhe pleqve”, - thotë Huan. Festa e Viti të Ri quhet ndryshe në Kinë “Festa e Pranverës” edhe pse ajo nuk përkon asnjëherë me ekuinoksin e pranverës. Përgatiten ushqime speciale për vitin e ri, duke mos harruar të fusin në ndonjërën prej pjatave një monedhë. Sigurisht fishekzjarret janë të përhershëm, shpesh tepër të fuqishëm në mënyrë që të tremben shpirtrat e këqinj. Gaforre të kuqe për fat, midhje të thara për mirësi, sallatë peshqish të gjallë për shans, Fai-hai (lloj alge) për begati, këto janë disa nga gatimet kineze për këtë rast. Zakonisht vishet diçka e kuqe, gjithnjë për të përzënë shpirtrat e këqinj. Pas darkës familja ulet për të luajtur me letra, me tabela ose për të parë programet televizive. Në mesnatë fillon festa e fishekzjarreve deri në agim.

Përralla
Tradita e fishekzjarreve

Viti i ri kinez quhet edhe Viti i Ri Hënor. Kjo festë bie gjithnjë në gjysmë-janar ose gjysmë-shkurt. Është një festë që nuk festohet vetëm në Kinë dhe nga kinezët. Çdo familje vendos pëlhura të kuqe gjak në dyert e shtëpisë. Mbi to shkruhen me gërma të bukura urime të ndryshme për vitin e ri. Ekziston edhe një përrallë kineze që shpjegon pse kinezët shpërthejnë kapsolla e fishekzjarre pa fund afër agimit të ditës së parë të vitit të ri. “Para shumë kohësh, kur dragonjtë jetonin në tokë dhe në det, askush në Taivan nuk festonte vitin e ri hënor. Kjo ditë në një fshat ishte dita ters e vitit, sepse një banor kishte vrarë një dragua deti. Të gjithë e konsideronin vrasjen e një dragoi si një fatkeqësi të madhe sepse fantazma e dragoit do të persekutonte fshatin çdo vit të ri në agim. Sipas përrallës, në fund, fantazma ia mbath vetëm kur sheh të varur në dyer pëlhurat e kuqe me gjak. Pas kësaj ranë këmbanat dhe u celebrua dita e madhe, ndërsa shpërthenin fishekzjarret nga gëzimi. Dhe që prej asaj dite, çdo vit, në secilin fshat, vendosen pëlhura të kuqe përreth dyerve dhe ndizen kapsolla e zjarre deri në mëngjes. Fantazma e dragoit nuk është parë më”.

Legjenda
Viti i Ri, një kafshë

Sipas një legjende, Buda vendosi të mbledhë gjithë kafshët, por iu paraqitën vetëm 12 të tilla brenda afatit që ai kishte parashikuar. Një për çdo vit. Kështu kinezët i japin çdo viti një emër kafshe si për shembull atë të Dragoit elegant, Gjarprit të urtë, Kalit të talentuar, Dhisë së ndjeshme, Majmunit gazmor, Këndezit krenar, Qenit besnik etj. Sipas kohës kur u paraqitën para Budës, ato shënjuan secili një vit të ri. Çdonjëri prej kafshëve u shoqërua me pesë elementet : Zjarri, Toka, Metali, Uji dhe Druri, cikli i plotë i 60 vjetëve.

Zakoni

“15 ditë festë për vit të ri”

1.Dita e parë është “pritja e zotërve të qiejve dhe njerëzve të tokës”. Shumë kinezë nuk hanë mish këtë ditë sepse besojnë që kështu do të mund të sigurojnë një jetë të gjatë e të lumtur.
2.Ditën e dytë kinezët u luten paraardhësve ashtu si edhe zotave. Ata janë veçanërisht të dashur me qentë dhe i ushqejnë ata mirë, sepse besojnë që dita e dytë është përvjetori i gjithë qenve.
3.Dita e tretë dhe e katërt është dita kur bijtë tregojnë respekt për të parët e tyre.
5.Ditën e pestë njerëzit rrinë në shtëpi për t’i uruar mirëseardhjen Zotit të pasurisë. Kjo ditë kalohet në familje dhe bëhen shumë vizita, sepse besohet që fati kështu dyfishohet.
6.Ditën e gjashtë deri të dhjetën u bëhen vizita prindërve lirisht, vizitohen edhe tempujt për fat e shëndet.
7.Ditën e shtatë fermerët demonstrojnë produktet e tyre. Dita e shtatë konsiderohet si përvjetori i qenieve njerëzore.
8.Këtë ditë njerëzit e Fujianit darkojnë duke mbledhur familjen dhe në mesnatë i luten gondut të Tian, Zotit të qiellit.
9.Ditën e nëntë i bëhen dhurata perandorit të Jades.
10. Këtë ditë deri më 13 miqtë dhe prindërit ftohen për darkë.
14-15. Janë ditët e përgatitjes për festën e llampadarëve. Dita e 15 e vitit të ri quhet “festivali i fenerëve” dhe festohet natën kur fëmijët shëtisin jashtë me fenerë të kuq në duar.

Marrë nga Gazeta Shekulli


ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa