Shqiperia.Com Portali me i madh Shqiptar
Email Falas @shqiperia.com
Miqte, krijoni komunitetin e miqve tuaj
Chat #shqiperia, vajza djem shqipetare
Dyqani Virtual Shqiptar
Lojra ne Internet
Albania
Hapesira
Artikull Lajm
 

 

 

 

Flet regjisori i famshëm shqiptar, që në vitet 70-të krijoi personazhin real negativ të nacionalistit ashtu siç ishte në të vërtetë

Viktor Gjika: Si e realizuam Sali Protopapën në filmin “I teti në bronx”

 

“Si do të organizoja forcat nacionaliste të zonës së Roskovecit dhe përse donim ta ekzekutonim ushtarin italian që kishte lënë shtatzënë një vajzë”

Sejfi Protopapa: Situata para largimit për në Itali

Incidenti me Dane Cukalatin e Bajram Xebën. Vrasja në pazarin e qytetit që bëri bujë

Në kujtimet e tij, personazhi i rrallë, Sejfi Protopapa, i detyruar të largohet nga Shqipëria pas çlirimit të vendit nga okupatorët e huaj dhe ardhjes në fuqi të komunistëve, në moshën 23-vjeçare, rrëfen për gazetën “Panorama” vitet e rinisë. Ndër të tjera, Protopapa shpjegon arsyet e angazhimit me Ballin Kombëtar. Ndonëse emri i tij sot është i shkruar në stendën e 10 emrave më të shquar të Fizikës Bërthamore, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ai nuk rresht së kujtuari atdheun e tij të dashur, nga i cili iu desh të largohej për shkak të bindjeve ndryshe nga ata që erdhën në pushtet pas vitit 1944. Në pjesën e parë të autobiografisë së tij, zoti Protopapa tregon për vitet e shkollës në uniken e Beratit mes shokëve të klasës, një pjesë e të cilëve ai i përmend me emra si: Resul Dollani, Namik Meqemeja, Vangjel Myzeqeja etj. Ndër të gjithë shquan Margarita Tutulanin, heroina që u pushkatua nga fashistët së bashku me të vëllain Kristaqin, në një moshë shumë të re. Në memorien e Sejfi Protopapës ka mbetur përgjithnjë Margarita e bukur, me të cilën ishin dashuruar djemtë e klasës. Më tej, ai shpjegon lidhjen me Grupin e të Rinjve, kryetar i së cilës ishte Anastas Lulo, miqësinë me Kristaq Tutulanin dhe ndihmën që i jepte atij në shtypjen e trakteve, gjë e cila nuk i shpëtoi syrit të fashistëve italianë që pak ditë para kapitullimit arrestuan shumë të rinj, disa prej të cilëve edhe i pushkatuan. Përndjekja fashiste e detyroi Protopapën të largohej nga Berati me mendimin për t’u strehuar për pak kohë tek njerëzit e tij, në fshatin Protopapë të krahinës së Oparit. Sapo mbërriti në teqen e Kulmakut, në malin e Tomorrit, mësoi kapitullimin e Italisë fashiste, kështu që vendosi të kthehej në shtëpi në Berat. Mbas kthimit, ai vazhdoi të mbante lidhje me Grupin e të Rinjve. Në këtë kohë, ky grup nxori një deklaratë ku shpallej formimi i Partisë Nacionaliste Komuniste. Kjo do të bëhej shkak edhe për eliminimin e drejtuesve dhe anëtarëve të këtij grupi nga Partia Komuniste. Gjatë periudhës së punës, në zyrën e shtypit të Partisë Komuniste, atij i ra në dorë një letër e dëguar për t’u shtypur nga shoku “Shpati” (pseudonim i Enver Hoxhës), ku shkruhej se PKSH-ja nuk e njihte Marrëveshjen e Mukjes, që ndryshe do të thoshte luftë kundër Ballit Kombëtar. Në këto momente, Protopapa konsultuar edhe me xhaxhanë e tij, Veliun, vendosi t’ia dorëzonte këtë letër Abaz Ermenjit. Për këtë, nga ky moment ai do të ishte një person nën shënjestrën e komunistëve. Për këtë arsye, Abaz Ermenji vendosi pranë tij njerëz që ta ruanin. Në rrjedhën e ngjarjeve të jetuara nga Protopapa do të ishin të shpeshta incidentet me partizanët, ku ai mundi të shpëtojë falë zgjuarsisë dhe fatit. Më tej, në kujtimet e tij, Sejfiu rrëfen se si Abaz Ermenji e vendosi si komandant në zonën e Roskovecit dhe i dha për të siguruar jetën vëllanë e tij, Vehbiun, dhe Selim Moglicën. Rrjedhimisht na rrëfen se si nga fundi i luftës ai u bë pjesë e një grupi prej 600 ballistësh ku u atashuan oficerët e misionit anglez në Shqipëri, kolonel McClean dhe major Julian Amery, si dhe radisti i tyre. Sipas Sejfiut, forcat e Ballit zunë pozicion në malin e Lezhës, në një kohë kur forcat komuniste nuk operonin në atë zonë. Gjatë kësaj periudhe, ata ndërmorën një sulm kundër një autokolone gjermane që u finalizua me sukses. Mbas një muaji misioni anglez pranë Ballit, mori urdhër që të tërhiqej nga Shqipëria, e me ta edhe Sejfiu përfundoi në Itali me një motobarkë që transportoi 100 vetë. Deri në vitin 1947, qëndroi në një kamp refugjatësh dhe mes shumë peripecish në Amerikë. Për më tepër lexoni kujtimet e Sejfi Protopapës.

Faktikisht prof. Ermenji më ngarkoi detyrën e organizimit të zonës në qytetin e vogël të Roskovecit, në perëndim të Beratit, që përfshinte një numër fshatrash, liderët e të cilëve ishin anëtarë të Ballit Kombëtar.

Unë pranova me kusht që ata liderë lokalë të mos ndërhynin në punën time. Meqënëse çaloja dhe nuk kisha eksperiencë ushtarake, prof. Abaz Ermenji dërgoi vëllanë e tij, Vehbiun, për të mbuluar sigurimin tim. Gjithashtu, xhaxhai im Veliu më dërgoi një kushëri të largët tonin nga Moglica, Selim Moglica, një qitës i mirë, për sigurim shtesë për personin tim. Kudo që shkoja kisha me vete 4 a 5 djem nga Berati dhe mes tyre edhe Numan Numani një kushëri të largët nga nëna. Unë e mora punën shumë seriozisht. Shkova nga fshati në fshat, i mblodha meshkujt dhe fola me ta për platformën e Ballit Kombëtar, një program 10 pikësh, (Dekalogu i Ballit) që mbronte demokracinë politike, ekonominë e tregut dhe rilindjen e Shqipërisë Etnike.

Nën drejtimin tim, bëra që të zgjidhej një drejtues për çdo fshat dhe menjëherë u kërkova të çonin një numër të vogël burrash për t’u bashkuar me forcat tona guerrile. Shpesh, një drejtues lokal i guerriles do të bashkohej nën komandën time dhe do sillte me vete një grup 15-20 burrash të armatosur. Brenda pak javësh kisha mbledhur një forcë guerrile të armatosur prej 150-200 vetësh dhe kështu u ndjeva disi më i sigurtë në fushatën time politike e ushtarake, ndërkohë që vetë nuk isha as 20 vjeç.

Në një fshat, nuk më kujtohet emri, burrat e grumbulluar më sollën një ushtar italian, të cilit i kishin dhënë strehë në fshat, me kusht që të punonte. Megjithatë, italiani kishte lënë shtatzënë një vajzë të fshatit. Ata më thanë që kur kishin kaluar komunistët në fshat, e kishin deklaruar ushtarin një vëlla italian dhe sugjeruan që të martohej. Më kujtohet qartë ndjesia që pata se fshatarët po më vinin në lojë duke më ofruar një sfidë që nuk mund ta përballoja. Në të vërtetë, ndërsa po merresha me hetimet, u dalldisa si mashkull kur mora në pyetje vajzën e lënë me barrë. Ishte e qartë që lidhja e tyre ishte një lidhje me dëshirën e të dy palëve. Duke përdorur arsyetimin linear të asaj kohe, e pashë këtë lidhje si një ofendim ndaj nderit shqiptar. Ushtari i mjerë, i cili në fakt kishte lënë vendin e tij dhe kishte kontribuar në shpartallimin e Italisë, kishte pasur guximin të joshte një vajzë të bukur shqiptare të pafajshme dhe megjithatë, të lejohej të jetonte në fshatin e saj në këmbim të punës që do bënte pa para. Ndërsa isha gati të vendosja që italiani të ekzekutohej si një kriminel, pasi kishte kryer një akt kriminal, ndërhyri një plak i moshuar nga njerëzit e mi. Ai sugjeroi që bastardi i mjerë vështirë të kishte shpëtim, por do të ishte më i vlefshëm tek guerrilet tona, si ekspert për mirëmbajtjen e riparimin e mitrolozave që kishim kapur nga italianët. Plaku vazhdoi “rregulloje me qendrën e Ballit dhe dërgoje tek një grup tjetër i Ballit, kështu që fshatarët do mendojnë se italiani do ekzekutohet për krimin e tij fatal”. Ne, sigurisht nuk e vramë dhe në fakt unë rregullova që ai të kthehej në Itali. Në kujtesën time nuk kam ndonjë informacion tjetër lidhur me fatin e këtij ushtari italian. Besoj se u kthye në Itali shëndoshë e mirë.

* * *

Ndërsa udhëtoja në zonën e Roskovecit, iu përgjigja një urdhëri nga Berati që t’i bashkohesha një operacioni ushtarak të Ballit kundër komunistëve dhe të zija pozicion në zonën perëndimore të Malit të Shpiragut, në jug-perëndim të Beratit. Të dy malet mund të shihen me sy që nga qyteti dhe përbëjnë një pamje të mrekullueshme për banorët e qytetit përgjatë luginës së Osumit. Sipas legjendës, mali i Shpiragut bëri duel me malin e Tomorrit. Ky i fundit përdori shpatën duke i bërë Shpiragut disa prerje vertikale në faqen lindore. Ndërsa Shpiragu i hodhi gjyle topash Tomorrit duke i shkaktuar disa gropa në faqen perëndimore.

* * *

Ndërsa forca ime guerrile ishte e rreshtuar në malin e Shpiragut, unë kontrolloja pozicionet e njerëzve të mi në mesnatë. Gjatë një kontrolli, një të mërkurë më thanë që Dane Cukalati si dhe Bajram Xeba dhe truprojat e tyre kishin shkuar në Roskovec për të qenë atje ditën e pazarit që bëhej në atë qytet të enjten. Atje ata do të mblidhnin taksa për përfitim të tyre personal. Kjo sjellje ishte absolutisht e papranueshme për mua dhe Ballin Kombëtar që unë përfaqësoja, prandaj mblodha njerëzit që kisha përreth, rreth dhjetë vetë dhe u nisa për Roskovec që të takoja dezertorët. Në agim mund të shihja qytetin që nga kodra në Lindje. Me dylbi vura re edhe se Bajram Xeba po hynte në qytet nga Jug-Lindja. Kur hyra në qytet, lajmërova se qëllimi im ishte t’iu flisja njerëzve të mbledhur në pazar për luftën tonë për demokraci. Në të njëjtën kohë, unë dhe skuadra ime kontrolluam vendin e pazarit se mos kishte persona të tjerë të armatosur, përveç bandave drejtuar nga Dane Cukalati dhe Bajram Xeba. Ne ftuam disa burra të armatosur të bashkoheshin me skuadrën time. Ndërkohë, ne kishim kuptuar që Bajram Xeba e kishte nuhatur rrezikun dhe ia kishte mbathur nga qyteti, ndërsa Dane Cukalati ishte ulur brenda kafes kryesore me tri truproja. Është për t’u shënuar që Bajram Xeba ishte nga një fshat, lideri i mëparshëm, i të cilit, z. Neshat Vrioni ishte i vetmi kolaboracionist fashist shqiptar ekzekutuar nga forcat e Ballit në Berat kur kapitulluan italianët. Ai u mbajt nën arrest për 30 ditë dhe u gjykua. Ndryshe nga ne, komunistët ekzekutuan 23 vetë brenda 24 orëve të para të arritjes së tyre në Berat, shumica e të cilëve, objekt i skemave të tyre politike.

* * *

Duke ditur pozicionet e burrave të armatosur, ndjeva se operacioni do ishte i thjeshtë dhe i lehtë. Ne rrethuam ndërtesën dhe pastaj i shoqëruar nga dy truprojat e mi, hyra në kafe. Nxorra pistoletën time, një beret 9 mm dhe i thashë z. Cukalati: “Në emër të Ballit Kombëtar ju jeni i arrestuar”. Ai nuk ia vuri veshin urdhërit tim dhe bëri të nxirrte pistoletën e vet. Në këtë kohë, z. Moglica çarmatosi truprojat e tij, ndërsa Vehbi Ermenji i mori armën z. Cukalati. Duke parë që situata ishte përsëri nën kontroll e kapërceva konfuzionin e parë dhe urdhërova që t’i lidhnin duart z. Cukalati, në mënyrë që ta çonim në qendër të pazarit. Një nga njerëzit tanë e tërhiqte z. Cukalati lidhur për mesi me një litar tre metra të gjatë. Pasi ecëm disa metra, z. Cukalati u çlirua nga litari dhe me duart e lidhura vrapoi mes turmës. Pa pritur për fjalën time, njerëzit pa eksperiencë të skuadrës, jo truprojat, hapën zjarr mbi Cukalatin që ndoshta mori dhjetra plumba dhe ra i vdekur për tokë. Megjithatë, duke qenë një vend pazari i mbushur plot me njerëz, një nga tanët, (e kishte emrin Qemal më duket) u plagos në këmbë. U plagos edhe një gomar, por pa pasoja.

* * *

Njerëzit në pazar erdhën të më falenderonin që i kisha çliruar nga një djall, siç ishte Cukalati. Ata kurrë se kishin besuar se do bëja një gjë të tillë. Unë mbajta fjalimin tim politik, por lëvizja e Cukalatit nuk më dha mundësinë e një ceremonie ekzekutimi që unë kisha ndërmend. Duhej të ishte një gjyq publik dhe që njerëzit në pazar të dëshmonin drejtpërdrejtë si viktima të të akuzuarit. Pra edhe me vdekje, z. Cukalati ia arriti t’i shkonte e tija, të injoronte liderët e vet, Ballin Kombëtar dhe viktimat e veta në pazar.


 

Dritëro Agolli kishte shkruar romanin “Komisari Memo” që në të vërtetë përfundonte disfatisht me vrasjen e Ibrahim Kovaçit, sapo ai dilte nga klinika e doktor Borovës. Letërsia e realizmit socialist nuk mund ta pranonte një fund të tillë të heroit pozitiv.

Dorëshkrim, romanin e famshëm Agolli, ia jep ta lexonte një mikut të tij, regjisorit Viktor Gjika, i cili e pëlqeu si fabul dhe nisi të punojë që t’ia përshtaste një filmi kinematografik. Pasi e punoi, Gjika ia ktheu përsëri romanin autorit për të parë dhe punuar ende mbi të deri sa në dritë dolën dy vepra të arrira: libri “Komisari Memo” dhe filmi “I teti në bronx”. Ajo që i kishte pëlqyer më shumë Agollit ishte përfundimi i romanit që e shpëtoi atë nga censura e kohës. Për realizimin e filmit regjisori, që më pas do të ishte dhe bashkëskenarist me Agollin, thotë se është dashur shumë punë, pasi duheshin gjetur aktorët në përputhje me personazhet dhe sidomos ata negativë. Përveç heroit pozitiv, një figurë tjetër e spikatur e filmit është edhe nacionalisti Sali Protopapa. Ja si e kujton regjisori punën për realizimin e filmit.

Në vitin 1970, pas dy vjet pune intensive u realizua filmi “I teti në bronx” me mori personazhesh interesantë ku për herë të parë vihet re një personazh negativ tepër interesant, ai i Sali Protopapës…
Ky është një personazh vërtet interesant. Për herë të parë në letërsi, ata që ne i quanim personazhe negativë u trajtuan në mënyrë realiste. Atëherë Sali Protopapa ishte një personazh i pozicionuar në krah të gabuar. Gjithnjë e parë me syrin e kohës, e vërteta ishte me ato forca përparimtare që fituan luftën. Personazhi kishte marrë rrugë tjetër dhe arsyet ishin të ndryshme. Ky personazh, edhe pse i takonte kampit tjetër, u pëlqye, sepse ishte i vërtetë, megjithëse për të nuk kanë munguar edhe reagimet popullore, madje ato ishin të shumta.

Si e konsideroni tashmë personazhin?
Për mua ka qenë një nga gjetjet më të mëdha të personazhit negativ të asaj kohe. Kam vuajtur shumë për ta gjetur aktorin që t’i përshtatej personazhit të Sali Protopapës. Në fillim zgjodha trupa të mëdhenj, të bëshëm, hamsa, sepse kështu thuhej se ishin ballistët atëherë.

Kur vendosët që këtë rol ta realizonit me Pirro Manin?
E kisha marrë Pirron në filmin “Askush kurrë nuk vdes” dhe e njihja tipin e tij, ishte shpërthyes dhe energjik. Mendova se mund të gjeja një tjetër me karakteristikat e mësipërme, trupmadh e të tjera, por nuk isha i bindur nëse ai do të arrinte ta mbante interpretimin.

Cila ishte zanafilla e filmit “I teti në bronx”?
Ky film ka një histori paksa të veçantë, pasi u realizua përpara se të dilte në qarkullim romani “Komisari Memo”. Shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, ma dha ta lexoja dorëshkrim romanin e tij. Ai kishte menduar që përfundimi i romanit të ishte vrasja e komisarit sapo dilte nga shtëpia e doktor Borovës. Mendoj se ndonjë mik i kishte thënë Dritëroit se fundi ishte disfatist, gjë që nuk pranohej nga letërsia e kohës. Nuk mund të kishte një fund të tillë për heroin pozitiv.

Çfarë ndodhi pas…
Menduam që ta zhvillonim edhe më skenarin dhe skena e vrasjes së Ibrahim Kovaçit të zhvendosej nga qyteti në mal. Vendosëm të zhvillonim dialogjet dhe ndryshimet ia dhashë t’i shikonte përsëri e të punonte me ta edhe më Dritëroi. Nuk mund të harroj fjalët e tij entuziaste pas bisedës për të bërë ndryshime. Menjëherë pas këtyre sugjerimeve dhe ndryshimeve Dritëroi më tha se “romani ishte shpëtuar”. Në përshtatjen që iu bë skenarit për film kinematografik, Sali Protopapës iu shtuan edhe skenat e vrasjes. Sigurisht, që pasi shkrimtari iu fut edhe më thellë romanit dhe shtoi atje edhe patriotin Rrapo Tabanin që ishte Riza Kodheli, ish-komandant i Brigadës së 20-të. Kurse në figurën e komisarit Memo, kishte mjaft gjëra nga Misto Treska, ish-komisar i po kësaj brigade.

Le t’i kthehemi edhe njëherë figurës së ballistit që mishërohet me personazhin Sali Protopapa, e cila është mjaft e arrirë apo jo…
E them sinqerisht se merita për këtë i takon së pari Dritëro Agollit, i cili duke qenë nga fshati Menkulas i Devollit, ku ka pasur edhe disa familje nacionaliste, kishte pasur mundësi që me tipin e tij, tejet popullor, të hynte kudo edhe në këto familje. Nuk e di, nëse Dritëroi ka pasur në mendje ndonjë personazh real për të ndërtuar në roman këtë personazh, por në film për të arritur deri tek realizimi i këtij karakteri nuk kemi pasur si model ndonjë person konkret.

Ku janë xhiruar skenat e filmit “I teti në bronx”?
Xhirimet e filmit janë bërë në rrethinat e Korçës dhe në Devoll. Edhe sot e them se është bërë një punë e mirë me realizimin e filmit nga grupi i xhirimit, grimi, dekori të gjithë. Për shembull, Sali Protopapës i vendosëm mustaqe, pasi ato janë një shenjë burrërore dhe ato i mbanin kapedanët kudo në vendin tonë. Xhaketa e personazhit ishte e uniformës së oficerit të monarkisë. Atëherë ishim nën presion se duhej të shquhej heroi pozitiv dhe jo ai negativ, e megjithatë mundëm të paraqesim me realizëm këtë të dytin, ndryshe nga herët e tjera ku ballistët paraqiteshin frikacakë, hajdutë, hamës e të tjera si këto.

Interesante është skena e dashit në sofrën e ballistëve…
Kjo skenë është dekor e për këtë meritë ka piktori Namik Prizreni. Kjo skenë është nga më të bukurat, pasi brenda në të ka shumë elementë. Aty mpleksen gjaku, mishi, kënga dhe pse jo edhe elementë biblikë. Në biseda që kam pasur më vonë me ish-ballistë më kanë thënë: “A ç’na ke bërë me atë film”. U jam përgjigjur sinqerisht se ashtu flitej për ta në atë kohë dhe unë ashtu i njihja e atë realizova. Dritëroi ka thënë një të fortë kur e kanë pyetur ballistët: “Më thoni një këngë që iu është kënduar ballistëve”. Ata kanë shtangur se nuk kanë ditur se çfarë të thoshin. E më pas Dritëroi është shprehur: “Unë për partizanët di me dhjetëra këngë”.

Kontributi i Viktor Gjikës

1966
Operator në filmin “Debatik”

1966
Bashkëregjisor dhe bashkëoperator në filmin “Komisari i Dritës”

1968
Regjisor dhe operator në filmin “Horizonte të hapura”

1970
Bashkëskenarist dhe regjisor në filmin “I teti në bronx”

1973
Skenarist dhe regjisor në filmin “Yjet e netëve të gjata”

1974
Regjisor në filmin “Rrugë të bardha”

1976
Regjisor në filmin “Përballimi”

1978
Regjisor dhe bashkëoperator në filmin “Gjeneral gramafoni”

1980
Regjisor në filmin “Nëntori i Dytë”

1983
Skenarist dhe regjisor në filmin “Njeriu me top”

Kinemaja shqiptare

Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1911-1912. Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër e Korçë. Filmat e parë u bënë nga të huajt dhe qenë kronika.
Ndër kronikat, e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë, është ardhja e Princ Vidit në vitin 1914.

Gjatë 30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë, nga shoqëri të huaja kinematografike.

Xhirimi i filmave kronikalë nisi në vitin 1948, ku u shfaq kinokronika e parë shqiptare.

Një etapë të re shënoi ngritja e së parës studio shqiptare të filmave, Kinostudio “Shqipëria e Re” (1952).

Përvoja e parë në fushën e filmit artistik qe bashkëprodhimi shqiptaro-sovjetik, luftëtari i madh i Shqipërisë – Skënderbeu (1954, regjisor S. Jutkeviç, fitues çmimi në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës).

Filmat e parë artistikë të kineastëve shqiptarë janë filmat-diplomë “Fëmijët e saj” (1957, regj. H. Hakani), dhe Tana (1958, regj. K. Dhamo), i pari film artistik me metrazh të gjatë.

Vitet ’60 shënojnë prodhimin sistematik të filmit artistik në mesatarisht 1 film në vit dhe bënë filmat e tyre të parë regjisorët e rinj Dh. Anagnosti, V. Gjika, G. Erebara, P. Milkani.

Në vitet ’70, u shënua një rritje e ndjeshme e prodhimit, nga 5-6 filma artistikë në vit, në 8-10 për të arritur në 14 në vitet ’80, në kohën kur drejtor i Kinostudios “Shqipëria e Re” ishte Viktor Gjika. U zgjerua gama e zhanreve.

Në vitet ’80 filmi artistik shqiptar trajtoi më shumë aktualitetin si dhe ngjarje e personazhe para Luftës së II Botërore deri më 1990, nga rreth 200 filma artistikë 80 janë ekranizime nga letërsia shqiptare.

Në vitet ’90, me ndryshimin e sistemit shoqëror, u bënë reforma të thella.

Që prej vitit 1976, në Shqipëri janë organizuar Festivale Kombëtare të Filmit, në fillim një herë në dy vjet për të gjithë filmat, e më pas në mënyrë alternative.

Festivali i parë (5-11 prill 1976)
“Në fillim të verës” dhe “Beni ecën vetë” janë fituesit e parë.

Festivali i dytë (16-23 prill 1977)
Prej këtij festivali spikati filmi “Lulëkuqe mbi mure” si dhe virtuoziteti i aktores Violeta Manushi në filmin “Zonja nga qyteti”.

Festivali i tretë (21-28 prill 1979)
Lindi plejada tjetër e aktorëve të mëdhenj si Sandër Prosi dhe Bujar Lako në filmat “Udha e shkronjave” dhe “Gjeneral gramafon”.

Festivali i individualiteteve regjisoriale (20-26 prill 1981)
Fitues i kupës është Viktor Gjika, në vitin 1979 dhe Dhimitër Anagnosti, në vitin 1977. Triumfojnë edhe regjisori Kujtim Çashku dhe Pirro Milkani.

Festivali i katërt (19-23 prill 1983)
Kupën e fitoi “Njeriu i mirë” me regji të I.Muçës dhe K.Mitros.

Festivali i publikut (1-5 tetor 1985)
“Filmi “Dora e ngrohtë”, me regji të Kujtim Çashkut, bëhet i pari film shqiptar që mbulon shpenzimet e prodhimit për nga numri i spektatorëve.

Festivali i tetë (18-22 prill 1989)
Fitues janë filmat “Flutura në kabinën time” me protagoniste Luiza Xhuvani e regji të Vladimir Priftit dhe “Rrethi i kujtesës” në kryerol Marjeta Ljarja me regji të Esat Musliut.

Festivali i ankthit shoqëror (12-17 nëntor 1991)
Fikson krijime që mbeten në fondin e artë. Viti 1991, shënon kapërcimin e Kinematografisë shqiptare në një etapë tjetër për pasojë të ndryshimeve politike. Fiton filmi “Balada e Kurbinit” nga Kujtim Çashku dhe “Fletë të bardha” nga Mevlan Shanaj.

Festivali i dhjetë (10-13 maj 1995)
Në garë mbeten regjisorët e brezit të katërt. Fitojnë filmat “Dashuria e fundit” me regji të Gjergj Xhuvanit dhe “Vdekja e kalit” me regji të Saimir Kumbaros.

Festivali i bisedës me veten (23-27 prill 2000)
Ishin katër filma në bashkëprodhim me producentë të huaj. Fitojnë filmat “Kolonel Bunker” nga Kujtim Çashku dhe “Bolero” nga Besnik Bisha.

Panorama
18-10-2004

 



ShqiperiaCom Toolbar Install

  Faqe në rrjetin tonë: Krijo miqesi, vajza dhe djem shqiptare Lajme, Shtypi i Dites, Gazeta Komuniteti me i lire shqiptar ne internet Sporti Shqiptar, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Pare Chat Shqiptar
ShqiperiaCom Sh.p.k
Copyright © 2008 ShqiperiaCom. Të gjitha te drejtat e rezervuara.
Kompania | Konfidenca | Vende Pune | Reklamo tek ne | Adresa